LAJMET E MBRËMJES

FMN-ja kundërshton anulimin e tarifave të energjisë dhe tërheqjen nga Trusti

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka vlerësuar të dëmshme tërheqjen e një pjese tjetër të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Sipas tyre, kjo mund ta rëndojë jetesën e qytetarëve pas pensionimit të tyre. Kjo iniciativë ligjore e kritikuar nga FMN-ja do të shqyrtohet të hënën në mbledhjen e Kryesisë për t’u caktuar më pas si pikë e rendit të ditës në një nga seancat plenare. Përveç Trustit, FMN-ja ka dalë edhe kundër anulimit të vendimit për tarifat e energjisë elektrike

Qëndrim kundërshtues ka mbajtur Fondi Monetar Ndërkombëtar rreth propozimit për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, e po ashtu edhe për anulimin e tarifave të reja të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Stafi i FMN-së, pas vizitës që ka pasur në Kosovë, ka dalë me një përmbledhje për zhvillimet, perspektivën dhe politikat e fundit ekonomike në Kosovë. Përveç Trustit e energjisë elektrike, aty u komentuan edhe paga minimale, subvencionet e Qeverisë për kategoritë më të cenueshme, si dhe ndikimi i inflacionit që u përmend se gjatë këtij viti mund të mbërrijë deri në 10 për qind.

Në përmbledhjen e tyre, ekspertët e FMN-së prerë e kanë kundërshtuar iniciativën e tërheqjes së kursimeve pensionale. Sipas FMN-së, tërheqja e parakohshme e kursimeve do të ndikonte negativisht në standardin e jetesës së qytetarëve pas pensionimit.

“Stafi i FMN-së shprehu kundërshtimin e fortë për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK) meqë këto do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme”, është thënë në këtë opinion.

Qëndrim ky institucion ndërkombëtar ka dhënë edhe për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Rritja e tarifave të rrymës për t’i mbuluar shpenzimet e importit të energjisë është quajtur politikë e duhur nga FMN-ja. Të duhura i kanë vlerësuar edhe politikat e Qeverisë për subvencionim të energjisë për rreth 20 për qind të ekonomive familjare. Kësisoj nga FMN-ja është thënë se anulimi i vendimit për rritjen e tarifave do ta rëndonte buxhetin.

“Rishikimi i planifikuar i buxhetit për vitin 2022 duhet të përshkruajë se në çfarë mënyre programet mbështetëse janë duke arritur tek më të cenuarit, si dhe në çfarë mënyre është duke u ruajtur funksionimi adekuat i zinxhirit të vlerës së energjisë elektrike karshi subvencioneve aktuale të energjisë elektrike”, kanë thënë ata.

Stafi i FMN-së, gjithashtu, u pajtua me propozimin e Qeverisë për rritjen rreth 50 për qind të pagës minimale dhe shkëputjen e saj nga disa kategori të tjera buxhetore në mesin e të cilave ishin personat e verbër, tetraplegjikët, paraplegjikët dhe veteranët.

Rritja e inflacionit, sipas FMN-së, mund të shkojë deri në 10 për qind brenda vitit 2022 dhe si kundërpërgjigje ndaj të cilit, është rekomanduar mbështetje e përkohshme për t’u ndihmuar familjeve të rrezikuara nga ngritja e çmimeve. Në kuadër të kësaj, ekspertët e FMN-së kanë përmendur reagimin e Qeverisë duke thënë se i ka dhënë përgjigje të shpejtë inflacionit.

“Autoritetet janë përgjigjur shpejt me subvencione për inpute bujqësore, bonuse në paga dhe rritje të përkohshme të pensioneve dhe transfertave sociale. Në të njëjtën kohë, autoritetet janë përmbajtur nga shkurtimet tatimore nga të cilat, në mënyrë joproporcionale, përfitojnë personat në gjendje më të mirë ekonomike dhe janë të kushtueshme dhe të vështira për t’u rivendosur”, kanë vlerësuar nga FMN-ja.

Sipas FMN-së, edhe pse pandemia dhe lufta në Ukrainë kanë qenë sfida serioze, megjithatë kanë nxitur investime në Evropë, kësisoj ky institucion ka rekomanduar që të ruhen stabiliteti financiar, politikat e shëndosha makroekonomike dhe të bëhet zbatimi i reformave. Në këtë mënyrë, sipas tyre, do të thithen investimet e huaja direkte në Kosovë.

Në analizimin e situatës ekonomike në Kosovë, stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka dhënë opinionin e tyre edhe për sektorin bankar për të cilin vlerësohet se u ka dalë ballë tronditjeve. Rritja e kredive është thënë se e ka mbështetur aktivitetin ekonomik në Kosovë, porse varësisht situatës financiare në Evropë, normat e interesit brenda vendit mund të rriten, çka sipas tyre mund të krijojnë cenueshmëri për sektorët që janë zgjeruar shpejt, duke përfshirë këtu edhe sektorin e ndërtimtarisë.

FMN-ja urgjentisht ka kërkuar plotësimin e pozitës së zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.