LAJMET E MBRËMJES

Opozita do të tentojë shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, pushteti kundër

Shkarkimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë do të tentohet nga opozita në seancën e së enjtes.

Ky paralajmërim është bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke u bazuar në, siç kanë thënë deputetet opozitarë, paaftësinë e këtij institucioni për marrjen e vendimeve të duhura.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se Komisioni për Ekonomi duhet të iniciojë shkarkimin e Bordit ose do të gjenden mënyra të tjera për ta bërë këtë.

“Është një situatë jashtëzakonisht e rëndë dhe presim që (bordi i) ZRrE të shkarkohet për arsye se është i paaftë, ka shkelur mirëbesimin ose detyrimet që i thotë ligji dhe për arsye se i ka qitur në lajthitje Kuvendin dhe institucionet e tjera dhe për arsye se këta vendimet që kanë marrë janë vendime të paligjshme dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës”, tha Arben Gashi.

E shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike të jetë e qartë dhe të mos krijojë paqartësi për tarifat e rrymës.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit është shumë i qartë, pra Gjykata e Apelit e ka pezulluar tarifimin e shtrenjtë të energjisë elektrike në vendin tonë, ky është një vendim i cili duhet të respektohet prandaj, ZRrE duhet ta bëjë të qartë në vendimin e saj dhe instruksionet e saj që jep në këtë rast KESCO, e cila i faturon qytetarët që tarifimi të bëhet me tarifa të ulëta, siç ka qenë para ngritjes së çmimit të energjisë elektrike para muajit shkurt”, tha Tahiri.

Në mbrojtje ZRRE-së i ka dalë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i cili ka thënë se vendimi i Apelit nuk është i saktë dhe se kërkesa për shkarkim të bordit është e paligjshme.

“Baza e kërkesës është e palogjikshme, opozita ka pasur një kërkesë për shkarkimin e Bordit të ZRrE-së, është në vazhdimin e traditës së tyre që çdo bord që nuk iu shkon për shtati kërkojnë ta shkarkojnë. Besoj që ajo që unë vërej është një përpjekje e opozitës që të ketë një koordinim të plotë, të pamundësohet ose të vendoset Kosova në një kolaps energjetik dhe me veprimet e tyre të pamatura”, tha Muja.

Lidhur me situatën e krijuar PDK-ja ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën zyrtarët e saj kanë thënë se po tentohet të shpërfillet shteti ligjor.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Blerand Stavileci, theksoi se pushteti po e suspendon sistemin ligjor me mosbindje dhe moszbatim të vendimeve të gjykatave.