LAJMET E MBRËMJES

QUINT-i kërkon prej Qeverisë t’ia kalojë pronësinë e tokave Manastirit të Deçanit

Gjashtë vjet pas nxjerrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, QUINT-i për të disatën herë i ka kërkuar Qeverisë që t’ia kalojë pronësinë e 22 hektarëve Manastirit të Decanit. Kërkesa vjen disa ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e ku, sipas njohësve të kësaj organizate, respektimi i vendimeve të Kushtetueses përbën kriter thelbësor për vendet që synojnë të anëtarësohen.

Shefat e misioneve të shteteve të QUINT-it ia kanë përsëritur kërkesën Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit.

Edhe gjashtë vjet pas nxjerrjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila ia njeh si pronësi Manastirit mbi 22 hektarët, ai nuk është zbatuar.

Nëpërmjet një komunikate të premten, QUINT-i ia ka rikujtuar ekzekutivit atë që e ka quajtur obligim në fushën e zbatimit të ligjit.

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet në letrën e QUINT-it.

Njohës të rrethanave, kanë thënë se zbatimi i vendimit për pronat e manastirit do të jetë kusht themelor për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pas deponimit të aplikacionit.

Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë tri vlerat mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, është shprehur i bindur se çështja e zbatimit të vendimit do të jetë lart në agjendë në vlerësimin që do ta bëjë Asambleja Parlamentare.

“Unë jam i sigurt që Kosovës në vlerësimin që do ta bëjë Asambleja Parlamentare do ta vërë në agjendë shumë lart si kusht çështjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit”, ka thënë Hasani të martën për “Kohën”.

Në përgjigje të thirrjeve të ndërkombëtarëve që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 për këtë çështje, Kurti kishte thënë në shkurt të këtij viti se do të angazhohen maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit.

Por kishte kërkuar edhe nga liderët fetarë të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyre, duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale dhe, ai beson se që një gjë e tillë është e mundur.