LAJMET E MBRËMJES

Aplikimi në KE mirëpritet nga Shqipëria e opozita, paralajmërohen veprime nga Serbia

Paralajmërimet e bëra tash e sa kohë nga Qeveria e Kosovës, të enjten u konkretizuan me hapa konkretë.

Ministrja e Punëve të Jashtme ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Pas aplikimit, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se me hapin e bërë, për Kosovën është hapur një kapitull i ri, derisa është shprehur optimiste për përgjigjen.

“Kosova është vendi më demokratik në rajon, Kosova është vendi më proevropian në rajon dhe Kosova është vendi më optimist në rajon prandaj Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës një ditë dhe më parë dhe kjo procedurë të cilën e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe qasje të tyre në instanca evropiane”, ka deklaruar Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme.

E kryeministri, Albin Kurti ka deklaruar se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pranimin e aplikimit e kanë konfirmuar për televizionin nga Zyra e Këshillit të Evropës në Kosovë.

“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë.

Për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ka vite që është duke u punuar.

“Është bërë punë e madhe qe së paku një vit, por puna ka qenë edhe e mëhershme edhe prej qeverive të mëhershme, kurrë nuk është ndalur ajo punë. Edhe vetë kur kam qenë në opozitë kam qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kemi punuar të gjithë së bashku, pavarësisht partive politike se është sukses i Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ky veprim i Kosovës ka nxitur reagime të shumta.

Ndonëse me gjuhë më të zbutur se më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar veprime, derisa për të premten ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë.

Vuçiqi ka akuzuar Kosovën për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, asaj të Washingtonit e të rezolutës 1244.

“Mentorët e Prishtinës janë shumë më të fortë, kjo lojë udhëhiqet nga vendet kryesore perëndimore dhe ne jemi një vend i vogël që ruan sovranitetin e tij dhe të drejtën për të vendosur. Ata do të bëjnë gjithçka për të njohur pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë dhe neve na takon ta mbrojmë vendin tonë”, ka pohuar Vuçiqi.

Derisa shprehu keqardhje për Serbinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në iniciativa të tilla, si aplikimi në KE, kanë mbështetje absolute për Kosovën.

“Kur vjen puna te demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vet të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do ta mbështesim Kosovën”, u shpreh Rama.

Veprimin e Qeverisë e kanë mirëpritur edhe partitë në opozitë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se do ta mbështesin nismën në hapat e mëtutjeshëm

“Aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është hap i duhur për të cilin s’do të duhej të kishte pasur hamendësim dhe të cilin e kemi kërkuar të ndodhë sa më parë. E përshëndesim këtë nismë dhe si opozitë do ta mbështesim në të gjithë hapat e ardhshëm këtë proces, në mënyrë që kjo objektivë shtetërore e shoqërore të realizohet sa më parë. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, jo vetëm që e ofron Kosovën me vlerat demokratike evropiane, por i hap perspektivë të re dhe shumë të nevojshme institucioneve të Kosovës, qytetarëve dhe shoqërisë tonë në përgjithësi”, ka deklaruar Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se për anëtarësimin e Kosovës në KE ka kërkuar ndihmë nga Partitë Popullore Evropiane, ku bëjnë pjesë.

“Si anëtar të EPP-së, ne do të shfrytëzojmë të gjitha kanalet komunikuese tona në këtë drejtim. Prandaj sot, menjëherë pas aplikimit zyrtar, kam nisur një letër në drejtim të presidentit të EPP z. Donald Tusk. Në këtë letër kam kërkuar mbështetjen e parezervë të familjes sonë evropiane për aplikimin e Kosovës; mbështetje e domosdoshme në Komitetin e Ministrave e në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës - aty ku deputetët e EPP-së përbëjnë grupin më të madh politik sot. Këtë mesazh do ta përcjell edhe nga afër në Kongresin e radhës së EPP-së që do të mbahet këtë muaj në Rotterdam. Aty unë dhe LDK-ja do të kemi rastin e adresimit me fjalë e të takimeve me udhëheqës shtetërorë e liderë të partive anëtare të EPP-së nga e gjithë Evropa. LDK-ja beson se anëtarësimi ynë në Këshill të Evropës forcon demokracinë tonë, siç dhe ndikon në stabilitetin rajonal për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Lajm të mirë për vendin e ka konsideruar aplikimin në Këshillin e Evropës edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Perspektiva evropiane e Kosovës është e paalternativë. Si vend kemi ecur para drejt përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe kemi marrë notat më të larta në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit tash e sa vjet. Aplikimi sot i Kosovës në Këshillin e Evropës, është lajm i mirë për vendin. Është jetike për ne që Bashkimi Evropian t’ia hapë dyert Kosovës në proceset integruese duke liberalizuar vizat fillimisht dhe duke i dhënë Kosovës statusin e kandidatit. Kosova natyrshëm është pjesë e familjes evropiane!”, ka thënë Haradinaj.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.