LAJMET E MBRËMJES

Gazetarët ankohen për ambientin në të cilin operojnë mediat në Kosovë

Në Ditën botërore të lirisë së shtypit, gazetarët janë ankuar për klimën në të cilën e ushtrojnë profesionin.

Mimoza Koprani-Muçaj është prej shumë vitesh redaktore në KTV dhe tregon se shumë shpesh gazetarët hasin në justifikime të llojllojshme nga zyrtarët kur nuk përgjigjen në pyetjet që u shtrohen apo nuk ofrojnë informatat që u kërkohen.

"Duke refuzuar ftesën me mirësjellje nuk i bën aspak më të mirë dhe më të përshtatshëm për gazetarët ata njerëz që janë në institucione e që duhet të tregojnë kur mediat kërkojnë diçka që është në interesin e publikut dhe kjo haset shpesh fatkeqësisht", tha Koprani-Muçaj.

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e mediave, konstaton raporti i fundit i organizatës “Reporterët pa Kufij”, por e rendit shtetin në mesin e vendeve me “situatë problematike”.

Muajin e shkuar, Departamenti Amerikan theksoi kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias në Kosovë, dhe përmendi dhunën e kërcënimet ndaj gazetarëve.

Dren Gërguri, studiues i gazetarisë, flet për ambientin e tashëm në të cilin operojnë mediat.

"Unë besoj që mediat duhet të vazhdojnë të punojnë që të përmirësojnë kushtet e gazetarëve dhe natyrisht gazetarët vazhdojnë të kenë vështirësi të ndryshme, të cilat kryekëput ndërlidhen me qëndrueshmërinë financiare të mediave", tha Gërguri, që është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Një numër ankesash kanë listuar edhe përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

“Ende ka shqetësime serioze sa i përket nivelit të lirisë së mediave, të cilat kanë të bëjnë pikërisht me përpjekjet e vazhdueshme edhe të këtij pushteti për të kontrolluar në një formë apo tjetër mediat, pikërisht nëpërmjet presionit të vazhdueshëm, nëpërmjet gjuhës denigruese”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Përderisa në komunitetin e gazetarëve janë ankuar në pushtetin, zyrtarë institucionalë i uruan gazetarët në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Në mesin e tyre është edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila në llogarinë e saj “Twitter” shprehu nderimin ndaj gazetarëve që raportuan gjatë luftës në Kosovë.

Ambasada amerikane nëpërmjet një deklarate theksoi mbështetjen për gazetarët që rrezikojnë jetën e tyre për të treguar të vërtetën, ndërkaq duke iu referuar fushatës së dezinformimit nga Rusia, ambasadori i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, theksoi nivelin e lartë të profesionalizmit të shumicës së mediave të Kosovës në raportimin për luftën në Ukrainë.