LAJMET E MBRËMJES

Mesazhe paqeje e bamirësie në ditën e Fitër Bajramit

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, në ceremoninë e faljes së Fitër Bajramit, që u mbajt në Xhaminë e Madhe të Prishtinës bëri thirrje që të ndalen luftërat e të mbështeten njerëzit në nevojë në kohë krizash. Mesazhe paqeje e solidariteti dhanë edhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, Kurti, Konjufca e Osmani, si dhe përfaqësuesit e partive politike e të bashkësive të tjera fetare

Thirrje për paqe e unitet ka bërë myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, në ceremoninë e faljes së Fitër Bajramit, që u mbajt në Xhaminë e Madhe të Prishtinës. Para besimtarëve myslimanë, Tërnava bëri lutje që të ndalen luftërat e të mbështeten njerëzit në nevojë në kohë krizash.

“Kur ne sot po festojmë të lirë Fitër Bajramin, kur ne po shijojmë mirësitë e kësaj feste, në shumë vende të botës, kemi konflikte, luftëra e gjakderdhje, ku popullata e pafajshme po përballet me padrejtësi, dëbime e vrasje e shkatërrime. Nuk është ky misioni i njeriut në këtë botë, nuk është ky misioni ynë në këtë jetë. Kështu nuk na mësojnë librat e Zotit, e nuk na kanë ligjëruar kështu as pejgamberët e tij”, ka thënë Tërnava.

Kultivimi i solidaritetit, dhembshurisë dhe bamirësisë për nevojtarët, ishin disa prej porosive të myftiut Tërnava.

Bashkësia Islame si rëndom ka organizuar pritjen tradicionale për përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të bashkësive të tjera fetare. I pari aty ka mbërritur Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji. Ai ka e vlerësuar lart tolerancën ndër fetare në Kosovë.

“Është ditë feste ku Bajram e Pashkë i festojmë bashkë, sepse jemi të gjithë vëllezër dhe vazhdojmë të lutemi për njëri-tjetrin, duke iu uruar gjithë popullit tonë, njerëzve që festojnë begati, paqe, rehati, mirëkuptim, pajtim, falje dhe gëzim për secilin”, ka thënë Gjergji.

Mesazhe urimi për besimtarët myslimanë nga vizitat në BIK drejtuan edhe udhëheqësit e institucioneve shtetërore. Kryeministri Albin Kurti, falënderoi BIK-un për ndihmën e dhënë në shpërndarjen e 34 mijë pakove ushqimore për familjet në nevojë.

“Me lutjet më të mira që të pranohet agjërimi, sakrifica, dëshiroj për të gjithë njerëzit të ketë paqe, gëzime, mirëqenie, lumturi dhe më lejoni që edhe një herë ta falënderoj Bashkësinë Islame të Kosovës dhe myftiun Naim Tëranva për kontributin dhe rolin e jashtëzakonshëm që kanë pasur për shoqërinë, populli, shtetin dhe kombin, edhe për çlirimin, edhe për pavarësinë, shtet-ndërtimin e zhvillimin e Kosovës. BIK-u po ndihmon shumë që të shpërndahen pakot për qytetarët e vendit tonë, të cilët janë pjesë e masave tona që të gjithë bashkërisht”, ka thënë Kurti.

Roli i Bashkësisë Islame në shoqërinë kosovare, u vlerësua edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“E falënderova që po vazhdojnë ta kultivojnë njërin prej virtyteve i cili po tretet në çdo shoqëri të botës dhe globalisht - ky është solidariteti dhe bamirësia. Domethënë Bashkësia Islame me të vërtetë po luan një rol të jashtëzakonshëm, shumë të vlerësuar prej popullit tonë siç është bamirësia, pra ata që nuk kanë, skamnorët, që ta kenë përkujdesjen e shtetit dhe Bashkësisë Islame, prandaj urime edhe një herë të gjithëve“, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në urimin e saj ka thënë se kjo festë duhet të karakterizohet me solidaritet.

“Frymën solidare duhet ta dëshmojmë çdoherë, e posaçërisht në festat si kjo, kur duhet t`ua zgjasim dorën njerëzve në nevojë. Kjo festë është, po ashtu mundësi e mirë për forcimin e mirëkuptimit, afërsisë ndërnjerëzore me dëshirën e përbashkët për zhvillimin e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë”, thuhet në urimin e saj, përcjell Zyra e Presidencës të hënën.

Edhe liderët e partive politike përçuan mesazhin e paqes dhe të harmonisë për besimtarët myslimanë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo festë duhet të rikujtojë se sakrifica dhe vlerat njerëzore ndaj njëri-tjetrit janë të domosdoshme për shoqëri me zhvillim të begatshëm.

“Në këtë festë ne mësojmë shumë, mësojmë për vlerat bazike njerëzore, atë të solidaritetit dhe atë të sakrificës si dy vlera jetike për çdo njeri, për sjelljet tona, për shoqërinë tonë, për politikën tonë pa përjashtim. Lutemi që këto të njëjtat të vazhdojnë edhe përtej festës së sotme, përtej muajit të kaluar, sepse kështu mbajmë shoqërinë tonë drejt begatisë së përgjithshme”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se festa e bajramit ia shton vlerën familjes e miqësisë.

“Është një moment i rëndësishëm i cili edhe në traditën tonë fetare dhe kombëtare, gjithmonë është shënuar me bashkimin rreth sofrës së përbashkët, duke u dhënë vlerë familjes, miqësisë, bashkëpunimit. Shpreha mirënjohjen më të thellë për Bashkësinë Islame dhe punën e tyre të madhe që e bëjnë në vazhdimësi në kuadër të ndihmave ndaj familjeve që janë në vështirësi ekonomike“, ka deklaruar Krasniqi.

Festa e Fitër Bajramit vjen pas muajit të Ramazanit, të cilët besimtarët myslimanë e agjëruan për 30 ditë në shenjë sakrifice dhe falënderimi ndaj Zotit.