LAJMET E MBRËMJES

Opozita bojkoton mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit

Partitë parlamentare opozitare të premten e kanë bojkotuar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit. Arsyeja e mospjesëmarrjes u tha të jetë mosthemelimi i komisionit hetimor në seancën e një dite më parë. Për shmangien e këtij bojkoti, pushteti tha se ka dhënë alternativa të shumta, që opozita nuk po i merr parasysh. Seanca e re u caktua më 5 maj dhe aty do të shqyrtohet projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2022, si dhe ai për pagën minimale.

Pas dështimit të themelimit të komisionit hetimor të propozuar nga PDK-ja, në seancën e një dite më parë, opozita të premten nuk mori pjesë në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Arsye për mospjesëmarrjen e tyre, sipas shefes së deputetëve të LVV-së, nuk u dha.

KOHA ka kontaktuar partitë opozitare dhe vetëm në AAK kanë konfirmuar që ky bojkot ka ardhur si pasojë e mosvotimit të komisionit hetimor dhe se për mospjesëmarrje ka pasur koordinim mes grupeve parlamentare opozitare.

Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së kryesisë, tha që aty u shtrua për shqyrtim edhe kërkesa e 41 deputetëve të LVV-së për formimin e komisionit hetimor për vendimmarrjen në sektorin e energjisë, porse ajo nuk u procedua për seancë, me kërkesën e saj.

“Unë kërkova në fakt që shqyrtimin e saj ta shtyjmë për një seancë tjetër, në të cilën shpresojmë që të kemi edhe dakordim me partitë e opozitës, duke e ditur se kjo është tema apo çështja e cila ka bërë që opozita edhe sot të mos jetë prezente edhe në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, e rrjedhimisht edhe në komisionet apo seancat plenare”, tha Kusari-Lila.

E pyetur se si do të gjendet konsensusi me opozitën për ta shmangur bojkotin, Kusari tha se kanë bërë përpjekje të mjaftueshme dhe se tash u takon PDK-së, LDK-së e AAK-së të bëjnë hapa para.

“Nuk duam që të vazhdojmë punën as në kryesi as në komisione e as në seanca plenare, përkundrejt që i kemi votat, vetëm si pozitë. Duam që Kuvendi dhe demokracia të jenë në plotësinë e saj me pozitën dhe opozitën prezentë, natyrisht me korrektësi dhe bashkëpunim, ashtu siç parashihet e jo me sjellje dhe ofendime siç i pamë dje nga shefi i deputetëve të PDK-së”, u shpreh ajo.

Nga kjo mbledhje e kryesisë u caktua seancë për të enjten, në të cilën pritet të shqyrtohet, ndër të tjera, projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022 dhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.