LAJMET E MBRËMJES

Më pak tollovi në ditën e dytë të testimit të rrugëve njëkahore

Qarkullim më i vogël i veturave dhe më pak tollovi nëpër rrugë e kanë shënuar ditën e dytë dhe të fundit të testimit të unazës njëkahore në Prishtinë.

Dita e parë e zbatimit të këtij testimi, të shtunën, kishte shkaktuar radhë të gjata veturash dhe pakënaqësi të mëdha të ngasësve në kryeqytet.

Testimi i qarkullimit njëkahësh në unazën e brendshme të Prishtinës, përfundoi të dielën në orën 17:00.

Beni Kizolli, inxhinier i komunikacionit, është shprehur në mbështetje të testimeve të tilla. Ka thënë se qarkullimi njëkahor e mundëson organizimin e transportit publik, si dhe gjeneron edhe benifite të tjera.

“Duke i marrë për bazë qasjet bashkëkohore me qarkullimin njëkahor, krijojmë kushte shumë të mira për transportin alternativ, përkatësisht, me të mundësojmë organizimin e transportit publik në një shirit, krahas saj mund të kemi edhe mundësinë e shtrirjes së shiritave të biçikletave”, u shpreh Kizolli.

Për Rashit Gashin, asamblist opozitar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, testimi, ani se e ka quajtur të nevojshëm, tha se nuk është ndërmarrë në kohën e duhur.

“Besoj që një test është i nevojshëm për Komunën e Prishtinës, duke e ditur qarkullimin shumë të ngarkuar. Por besoj që nuk ishte momenti i duhur tash në këtë kohe, sepse nuk kishte një fushatë sensibilizimi dhe informata të mjaftueshme në lidhje me këtë ekspertizë apo analizë të komunës”, tha Gashi.

Eksperimenti rrugor edhe të dielën shkaktoi pakënaqësinë e disa qytetarëve.

“Ne nuk mund të themi që është në rregull, por shpresat janë që do të rregullohet”, deklaroi Sherif Sejdiu, qytetar. “Një ditë vikendi edhe apo e sheh çfarë tollovie. Po me qenë ditë pune, nuk ka kush që depërton”.

Për disa të tjerë, mbyllja e rrugës që shpien nga Katedralja deri te hyrja e sheshit “Zahir Pajaziti” për vetura, ishte mundësi e mirë për ngasje të biçikletave, të papenguar. Madje atë gjatë së dielës e ka frekuentuar me biçikletë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me disa meraklinjë të biçikletave.

“Vendimi do të ishte që të shtunë e të diel të këtë hapësirë për ta shfrytëzuar sa më shumë”, pohoi Genc Jakupi, qytetar.

Lidhur me testimin dyditor, Rama ka mbledhur të shtunën vonë ekspertët për ta analizuar procesin.

E përmes Facebookut, ka thënë se Prishtina po frymon.

“Jemi duke punuar fort për lirimin e trafikut në kryeqytet, andaj i inkurajoj qytetarët të fillojnë të përdorin transportin alternativ për të mirën e ambientit dhe shëndetit të të gjithëve”, ka shkruar kryetari i Prishtinës, Rama.

Në përpilimin e analizës përfundimtare, sipas Halil Halilit, zyrtar që e drejton Task-forcën e komunikacionit në Komunën e Prishtinës, pjesë do të jenë edhe mendimet e qytetarëve.