LAJMET E MBRËMJES

Abdixhiku: Krimi s’mund të fshihet përmes mosvotimit të Komisionit hetimor

“Kosovës i duhet transparencë e plotë. Po kërkojmë Komision hetimor dhe arsyetimet e kota të pushtetit për çështje ligjore rreth themelimit s’mund ta ndalin këtë komision. Krimi nëse ka ndodhur dhe tentoni ta fshihni përmes mosvotimit të Komisionit hetimor, nuk do të fshihet, ai mbetet aty, herët apo vonë do të merremi me këtë çështje”, ka thënë Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar partinë në pushtet se po përpiqet të fshehë të vërtetën për keqmenaxhimin dhe krimin e mundshëm, nëpërmjet bllokimit të themelimit të Komisionit hetimor për menaxhimin e krizës me energjinë. Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, ai ka kërkuar transparencë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ka drejtuar akuza për tendencë për fshehje të krimit.

“Ne po kërkojmë transparencë, po kërkojmë komision hetimor dhe arsyetimet e kota të pushtetit për çështjet ligjore të themelimit – të pavërteta dhe të pasakta – s’mund ta ndalin këtë komision. Unë u dërgoj mesazh të qartë kësaj qeverie dhe njerëzve të përfshirë: Krimi në qoftë se ka ndodhur dhe tentoni ta fshihni me mosvotim të Komisionit hetimor, nuk do të fshihet”, ka thënë Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Në LDK kanë thënë ta kenë çimentuar pozicionin për mospjesëmarrje në asnjë lloj votimi në Kuvend pa u themeluar Komisioni hetimor. E vendimet e Qeverisë në lidhje me energjinë, kryetari i kësaj partie i ka kualifikuar skandaloze.

“Ne kemi vendosur të mos votojmë dhe të mos marrim pjesë në asnjë votim derisa të mos themelohet Komisioni hetimor për çështje energjetike. Ka ndodhur një menaxhim skandaloz i krizës energjetike në Kosovë, nga zyrtarët më të lartë qeverisës, një papërgjegjësi e paparë prej muajve të verës, vjeshtës dhe krizës së madhe në dimër dhe ka ndodhur një përfundim skandaloz që i merr Kosovës 120 milionë euro, i vendos në një kompani private dhe prapë rrit faturat e energjisë elektrike deri në 100 për qind”, ka thënë Abdixhiku. “Për këtë Kosovës i duhet transparencë e plotë. Po kërkojmë komision hetimor dhe arsyetimet e kota të pushtetit për çështje ligjore rreth themelimit s’mund ta ndalin këtë komision. Krimi nëse ka ndodhur dhe tentoni ta fshihni përmes mosvotimit të Komisionit hetimor, nuk do të fshihet, ai mbetet aty, herët apo vonë do të merremi me këtë çështje”.

Këtë javë, opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në asnjë nga proceset vendimmarrëse në Kuvend, qoftë në seanca plenare, qoftë në mbledhje të komisioneve funksionale, për aq kohë sa Lëvizja Vetëvendosje në pushtet bëhet pengesë për themelimin e komisionit hetimor për çështjen që lidhet me menaxhimin e krizës me energjinë. Shefat e grupeve parlamentare për herë të fundit janë takuar të enjten, por nuk kanë arritur ndonjë pajtim pasi që përfaqësuesit e Vetëvendosjes kanë insistuar se ka gabime procedurale në nismën e deputetëve opozitarë, por në opozitë kanë thënë të jenë në të drejtën kushtetuese për mbikëqyrje parlamentare, e cila nuk mund të bllokohet.

Në konferencën për shtyp, Abdixhiku ka paralajmëruar edhe organizimin e një konvente për programin politik e qeverisës të LDK-së.

“Çdo parti e ka të domosdoshme ta ketë të shkruar dhe të debatuar e diskutuar fillimisht brenda vetes e më pas me palët e tjera të interesit idetë që do t’ua parashtrojë qytetarëve të vet për çfarë qëndron dhe në çfarë beson – jo vetëm ideologjikisht, por konkretisht në politika të matshme, konkrete për çdo fushë të caktuar. LDK-ja do të ketë përgjigje për energjetikë, do të ketë përgjigje për arsim, do të ketë përgjigje për shëndetësi, do të ketë përgjigje për politikë të jashtme dhe do të ketë përgjigje për proceset madhore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Për programin e LDK-së, sipas tij, do të merren komente edhe nga jashtë partisë e jashtë vendit, në mënyrë që të ofrohen zgjidhje ndaj qeverisjes së keqe.

“Këto çështje do t’i diskutojmë brenda forumeve tona në një konventë madhore dhe do të diskutojmë me palët e interesit që janë jashtëpartiake e që mund të shërbejnë në pasurimin e platformës sonë politike dhe do t’i konsiderojmë po ashtu kontributet e EPP (Partisë Popullore Evropiane) që është familje gjithëpërfshirëse ideologjike e jona. Pra, për ne është proces jetik, i ndërtimit të identitetit tonë programor, konkret qeverisës si alternativë ndaj keqqeverisjes në Kosovë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Abdixhiku ka shprehur pritjen se në konventën e 29 dhe 30 prillit do të marrin pjesë anëtarë të LDK-së nga të gjitha strukturat udhëheqëse të kësaj partie, ku bëjnë pjesë edhe rreth 200 asamblistë.