LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Ne po i nderojmë të rënët për liri, Serbia kasapin e vet

Erdhi për të bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në “Velani”, por u shpreh i tmerruar me gjendjen atje.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në Ditën e Dëshmorëve premtoi rregullimin e kësaj zone pasi, siç tha, gjendja e tanishme e varrezave nuk e respekton sakrificën e dëshmorëve.

“Projekti duhet të bëhet, ne kemi në plan ta bëjmë një konkurs ndërkombëtar për ta bërë projektin e gjithë kësaj zone për të përmirësuar gjendjen e këtyre varrezave të dëshmorëve, të veteranëve, të Presidencës, po ashtu me transformua gjithë këtë park në një zonë, në një park për qytetarët tanë”, tha Rama.

Për të shënuar Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës homazhe tek varrezat e dëshmorëve ka bërë edhe kryeministri Albin Kurti.

“Ne i kujtojmë dhe përkujtojmë këta njerëz të vendit tonë të kryeqytetit, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e popullit dhe çlirimin e vendit. Kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta është dëshmi se ne besojmë se për të tashmen dhe të ardhmen tonë, e kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjen përpara të Kosovës si shtet dhe shqiptarëve si komb”, tha Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës ka përkujtuar të gjithë ata që ranë për lirinë e vendit.

Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë në rajonin e Llapit e të Gollakut.

“Ne po i nderojmë të rënët për liri, Serbia kasapin e vet që vrau mbi 160 mijë njerëz”, ka thënë ai.

Krerë institucional bënë homazhe edhe te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti, i cili u vlerësua nga ta si udhërrëfyes për kombin shqiptar.

Por veteranët e UÇK-së u shprehën të indinjuar nga institucionet. Ata thanë se nuk po respektohen nga Ekzekutivi.

“Ne nuk kemi qenë mercenarë dhe nuk kemi luftuar që të fitojmë sot nga shteti ynë, ne kemi qenë luftëtarë çlirimtarë dhe lufta jonë nuk ka menduar se do të përfitojmë diçka prej saj”, tha veterani Fatmir Sopi.

“Respekti ka rënë krejt se përkrahja financiare prap bëhet diqysh, apo respekti nuk e di pse kaq shumë s'i do veteranët, është diqysh një mosmirënjohje”, tha veterani Bajrush Kameri.

Për nder të Ditës së Dëshmorëve Komuna e Prishtinës së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së organizuan një sërë aktivitetesh. Si pjesë e këtyre aktiviteteve kryetari Rama dhe disa veteranë dhuruan gjak.