LAJMET E MBRËMJES

Kritika Qeverisë në Kuvend për politikën e jashtme, opozita braktis sallën

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, janë akuzuar të martën se i kanë pezulluar tërësisht aktivitetet në sferën e diplomacisë. Opozita e ka kritikuar Ekzekutivin për mungesë të rezultateve në gjenerimin e njohjeve të reja për shtetësinë dhe për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë. Këto kritika janë adresuar gjatë debatit parlamentar për politikën e jashtme, i cili nuk arriti që të përfundonte shkaku që opozita e lëshoi sallën pasi Gërvalla u largua më herët nga seanca

Si i pezulluar tërësisht është cilësuar aktiviteti i Qeverisë së Kosovës në rrafshin e diplomacisë gjatë debatit parlamentar të së martës për politikën e jashtme.

Ligjvënësit nga radhët e opozitës kanë adresuar kritika të shumta ndaj Ekzekutivit, duke ia numëruar bilancin njëvjeçar pa njohje të reja për shtetësinë e Kosovës dhe mungesën e aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Krejt këto, deputetët e opozitës i kanë vlerësuar si pjesë të një problemi serioz, i cili kërkon trajtim të menjëhershëm. Ata i kritikuan edhe shkarkimet e diplomatëve, të cilat i kanë quajtur si veprime hakmarrëse politike.

Krahas kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, për mospunë është akuzuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Duke iu adresuar kritikave të ngritura, kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria e tij ia ka kthyer dinjitetin Kosovës në arenën ndërkombëtare. Këtë ai e ka quajtur si pikën kyç të angazhimit. Nga Qeveria më herët ishte njoftuar se do të ndodhë aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se po bëhen angazhime edhe për përafrim sa më të shpejtë me Aleancën ushtarake të NATO-s.

Opozita kishte pritur kohë të konsiderueshme për zhvillimin e një debati parlamentar rreth diplomacisë, pasi që insistonte që në atë të jenë të pranishëm si kryeministri ashtu edhe ministrja Gërvalla. Porse debati i së martës nuk arriti që të merrte epilog, pasi që Gërvalla e lëshoi seancën me arsyetimin se kishte angazhime të tjera. Në shenjë pakënaqësie për largimin e saj, ligjvënësit opozitarë e pamundësuan mbajtjen e debatit duke e braktisur sallën.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës që e kishte propozuar debatin, ka thënë se Qeveria ka abstenuar në raport me politikën e jashtme. Ai ka theksuar se diplomacia është dëmtuar nga skandalet që krerët e shtetit i kanë bërë në raport me partnerët ndërkombëtarë ndërkaq ka numëruar ngecjet në njohje, në anëtarësimin nëpër mekanizma ndërkombëtarë si dhe në dialog. Krejt këto, Krasniqi ka thënë se janë rezultat i performancës së dobët të kryeministrit, zëvendëskryeministrit si dhe ministres. Si rrjedhojë, shefi i PDK-së ka theksuar se Kosova e ka humbur mundësinë që të lëvizë në drejtim të Këshillit të Evropës. Për këtë ka numëruar një skandal të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili kishte cituar gabimisht zëvendëssekretarin e përgjithshëm te Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

“Republika e Kosovës sot nuk ka politikë të jashtme. Ka abstenuar plotësisht nga diçka e tillë. Nuk ka as ide dhe as veprim, por as angazhim në politikë të jashtme, që ka për fokus Kosovën dhe pozicionimin e avancimin e saj në skenën ndërkombëtare. Kjo na bëhet e qartë në disa dimensione, që nga rrafshi i përfaqësimit diplomatik, tek mungesa e një agjende politike në planin ndërkombëtar e deri tek reduktimi i politikës së jashtme në turizëm politik pa relevancë”, ka theksuar Krasniqi.

Avdullah Hoti, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka akuzuar Gërvallën për degradimin e Shërbimit të Jashtëm me anë të shkarkimit të diplomatëve në shumë vende të botës. Ai ka përmendur edhe vizitat që shefja e diplomacisë i ka bërë jashtë vendit, duke thënë se ajo më tepër është orientuar kah Lindja sesa kah Perëndimi. Për gjendjen e diplomacisë ai ka kritikuar Kurtin, për të cilin ka thënë se në forumet ndërkombëtare flet më tepër për lidhjet e Serbisë me Rusinë sesa për Kosovën dhe pozicionin e saj.

“Shkarkimet e diplomatëve ishin hakmarrje e pastër politike, se kur i bën ato me plan, atëherë nuk kanë se si ndryshe të shihen. Ndoshta mund të shihen edhe si nevojë për të demonstruar një fuqi nga Qeveria, e cila duhet thënë se është ndër më të dobëta që ka pasur Kosova në politikën e jashtme”, ka thënë Hoti.

Kurti ndërkaq i ka shpalosur ato që i ka cilësuar si arritje të diplomacisë gjatë këtij viti qeverisës. Kryeministri ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, teksa ka shtuar se i janë përafruar raportet me një numër të konsiderueshëm të vendeve, të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet. Ai ka përmendur strukturimin në Ministrinë e Jashtme si një reformë të domosdoshme dhe të suksesshme, ndërsa lidhur me kritikat rreth dialogut ka theksuar se procesi për herë të parë është bërë transparent dhe se në të më nuk diskutohet mbi statusin e Kosovës.

“E kthyem dialogun nga takimet e fshehta për ndarje territoriale të Kosovës dhe përfshirjen e Serbisë si hisedare në burimet tona natyrore, në një proces transparent që ka njohjen reciproke në qendër të saj. Qëndrimi ynë parimor në këtë proces ka bërë që edhe vetë zyrtarët e BE-së të thonë publikisht dhe për herë të parë që dialogu nuk ka të bëjë për statusin e Kosovës, por me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

E kritikuar rreth dikasterit që e drejton, ministrja e Jashtme ka pasur përgjigje të hollësishme. Ka përmendur vendimet e marra dhe takimet e mbajtura në shumë vende të botës, teksa ka thënë se Kosova nuk ka nevojë që të ripozicionohet, siç iu kërkua në seancë, porse qëmoti është rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe NATO-s.

“Numri i takimeve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme është jo më pak se 174 gjatë 12 muajve punë. Prej tyre 52 janë takime me vetëm homologë nga pritjet në Kosovë. Numri i marrëveshjeve ndërkombëtare rajonale dhe bilaterale është jo më pak se 182 gjatë një viti. 187 vendime ka marrë ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, e cila këtu përmendet si joaktive në politikën e jashtme”, ka deklaruar ajo.

Në seancën e së martës të Kuvendit nuk kanë munguar as akuzat se Qeveria i ka prishur marrëdhëniet me ndërkombëtarët, veçmas me SHBA-në. Këtë akuzë Ekzekutivit ia drejtoi deputeti dhe njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se pushteti aktual nuk e ka në interes ruajtjen e dy vlerave të popullit të Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe miqësinë me SHBA-në.

“Dy faktorë që nuk kanë pushtet ekzekutiv në vend janë UÇK-ja dhe Amerika. Ndikim po, se jemi të këtij vendi, por këta dy faktorë nuk janë pushtet ekzekutiv. Po bëhet çmos, në mënyrë konsistente, që të mos lejohet implementimi i projekteve që i propozon dhe synon Amerika”, ka thënë Haradinaj.

Akuza për “lëndim” të marrëdhënieve me SHBA-në ka pasur edhe nga dy partitë më të mëdha opozitare – PDK dhe LDK, porse atyre iu kundërpërgjigj deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.

“Raportin e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në vazhdimisht po dëshironi që të duket sikurse është i keq. Po i fryni një zjarri në të cilin po digjeni edhe vetë. Nuk e di ku është logjika që Kosova të ketë marrëdhënie të këqija me BE-në dhe me SHBA-në. Në listën e zezë të SHBA-së nuk janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, janë njerëz që krimin e korrupsionin i kanë pasur instrument të politikës së jashtme. Njerëz që kanë dashur ta ndajnë Kosovën, anëtarë të PDK-së”, ka thënë Abazi.

Në debatin mbi politikën e Jashtme është kërkuar gjithashtu hartimi i një strategjie në nivel vendi, si kundërpërgjigje ndaj ish-raportuesit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty, pas raportimeve se ai është kërcënuar për vrasje nga inteligjenca e Serbisë. Marty, i cili e kishte përpiluar raportin që e ngarkonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim të organeve gjatë luftës, ka bërë të ditur javën e shkuar se është vënë nën mbrojtjen e policisë zvicerane, pasi që kishte marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit serb të Inteligjencës. Ai për mediat zvicerane ka thënë se qarqet e caktuara të shërbimit të Inteligjencës serbe kërkonin vrasës profesionistë për ta likuiduar, në mënyrë që faji për këtë t’u vihej kosovarëve.