LAJMET E MBRËMJES

Kastrati ia përgatit letërdorëheqjen Nagavcit, Kurti e quan sulm tendencioz

Nëpërmjet një aksioni simbolik, ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e ministres Arbërie Nagavci, si reflektim ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e hodhi poshtë të premten vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar. Nagavci nuk u është përgjigjur thirrjeve për dorëheqje, ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka thënë të ketë sulme, me synimin për ta zvogëluar shpejtësinë e ndërmarrjes së reformave

Me letërdorëheqjen e përgatitur, Qëndron Kastrati, ish-kryetar i Kamenicës, ka kërkuar të martën që ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të japë dorëheqje apo të shkarkohet, pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia hodhi poshtë javën e shkuar vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar në Komunën e Kamenicës.

Nëpërmjet një aksioni simbolik, Kastrati ka tentuar që t’ia dorëzojë personalisht letërdorëheqjen që e kishte përgatitur për Nagavcin, porse dyert e kabinetit të saj ishin të mbyllur. Si pasojë, Kastrati e ka lënë letrën para dyerve të kabinetit, pasi që ka thënë se Nagavci i ka shkelur tri dokumentet më kryesore të demokracisë në Kosovë.

“Më 8 prill, bash në përvjetorin e Kushtetueses së Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Nagavci i ka shkelur tri prej dokumenteve më kryesore për demokracinë në Kosovë. E para, ka shkelur Kushtetutën. E dyta, e ka shkelur kartën evropiane për qeverisje lokale dhe e treta, e ka shkelur Ligjin për qeverisje lokale, që është një prej ligjeve vitale në Kosovë. Me këtë, ajo çfarë Nagavci ka bërë është që ta shtrembërojë vullnetin e qytetarëve të një komune të Kosovës, sepse duke i tejkaluar kompetencat ka ndërhyrë drejtpërsëdrejti dhe i ka cenuar përgjegjësitë e Komunës”, ka theksuar ai.

Kastrati ka akuzuar Nagavcin për keqpërdorim të pozitës dhe për tejkalim të kompetencave, për të cilën arsye ka përsëritur se ajo duhet që të japë dorëheqje apo të shkarkohet.

“Unë po e rikujtoj që me këtë veprim të Nagavcit, nxënësit në Kamenicë do t’i humbin dy vjet, sepse Gjykata Kushtetuese e ka anuluar vendimin që ajo e ka bërë. Ata rrjedhimisht janë duke e bërë një vit tjetër pa e kaluar një vit paraprak. Nagavci asnjëherë nuk e ka zgjidhur problemin në Komunën e Kamenicës. Përkundrazi, ajo e ka pasur veç një detyrë dhe vullnet që të ndërhyjë elektoralisht, ngase ka qenë në prag të zgjedhjeve. Unë i ftoj të gjithë, e në veçanti Nagavcin e kryeministrin Kurti, që për shkak kësaj ajo duhet qoftë të japë dorëheqjen apo të shkarkohet”, ka theksuar ai, duke e cilësuar rastin si një precedent të rrezikshëm.

Kryeministri Kurti, nëpërmjet një konference për media lidhur me prezantimin e masave të reja në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, nuk ka treguar nëse do të ndërmarrë masa ndaj Nagavcit. Por ai polemikat rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese i quajti sulme me tendencë.

“Sa i përket ministres Nagavci, e kam përshtypjen që është më së miri që ajo të japë një sqarim për këtë gjë. Duhet ta kemi parasysh një gjë, që Qeveria jonë demokratike me qeverisje të mirë në çdo fushë nuk e ka ndërmend të ndalet për shkak se po i vërejmë qartazi sulmet e ndryshme, të cilat po përpiqen të na e zvogëlojnë shpejtësinë. Mirëpo ne nuk do të ndalemi asnjëherë në reformat tona, ku do t’i respektojmë edhe Ligjin edhe Kushtetutshmërinë, por për detajet e çështjes konkrete do të flasë vetë ministrja Nagavci”, ka thënë Kurti.

Me gjithë thirrjen e shefit të ekzekutivit që të sqarohet lidhur me çështjen, ministrja Nagavci gjatë së martës nuk ishte e qasshme në telefon, pasi u kontaktua nga KOHA.

Reagimin e vetëm për këtë çështje ajo e kishte bërë në ditën e publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, Nagavci ka bërë të ditur se vendimin për mësimin alternativ të përshpejtuar e kishte marrë për të siguruar vijimin e shkollës për të gjithë nxënësit, pasi që fëmijët kishin mbetur peng i një mosmarrëveshjeje në mes të kryetarit të Komunës dhe komunitetit ku jetojnë. Ka potencuar se vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta analizojë me kujdes, duke mos e komentuar më tepër.

Si kryetar i Komunës, Kastrati më 2019 kishte iniciuar reforma në arsim përbrenda Komunës, duke i mbyllur disa shkolla shkaku i numrit të vogël të nxënësve në to. Si rrjedhojë, nxënësit e këtyre shkollave i kishte bartur në objekte të tjera, porse në pakënaqësi ndaj vendimit, prindërit e nxënësve kishte refuzuar që ta zbatonin. Pas kësaj, MASHTI kishte marrë vendim që të organizohet mësimi alternativ i përshpejtuar, duke i rihapur shkollat e mbyllura, veprim ky që nga Kushtetuesja u cilësua si jokushtetues.