LAJMET E MBRËMJES

BSPK-ja kërkon 100 euro shtesë për punëtorët, deri në miratimin e Ligjit për paga

Grevë të përgjithshme nga 20 prilli kanë paralajmëruar përfaqësuesit e sindikatave të sektorit publik në Kosovë. Nëpërmjet protestës së organizuar të premten para qeverisë, ata kanë kërkuar rritje të pagave, zbatimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për skemat pensionale

Oborri i Bibliotekës Kombëtare, mesditën e së premtes, ishte “pushtuar” nga afro një mijë të punësuar në sektorin publik, pas thirrjes së organizatave sindikale për të protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj mosplotësimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.

Mbledhja e protestuesve zgjati rreth 30 minuta, derisa marshi u nis në drejtim të Ministrisë së Arsimit, në orën 12:00. Në mesin e flamujve të sindikatave, vend më së shpeshti zuri flamuri i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Protestuesit vazhduan në drejtim të shesheve qendrore të kryeqytetit, për të përfunduar para objektit të Qeverisë. Drejtuesit e sindikatave, të cilët ishin në rreshtin e parë mbanin në duar një pankartë që shkruante “Kryeministër realizo kërkesat tona: Parandalo grevën e përgjithshme”.

Rritja e pagave, zbatimi i Ligjit për sigurimin shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për skemat pensionale, ishin kërkesat kryesore.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, në fjalën e tij ka thënë se qeveria duhet të punojë bashkërisht me sindikatat për të gjetur një zgjidhje.

“Partnerit tonë social, qeverisë, i mbetet barra, po nuk e mori vendimin e duhur për përmbushjen e kërkesave tona, duke mos u lënë rrugë tjetër sindikatave, por vetëm rrugën e grevës, e cila është e padëshiruar për sindikatat”, është shprehur ai.

Më i ashpër në fjalim e në paralajmërim të masave të tjera, nëse Qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre, ishte kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.

“Këta punëtorët e arsimit nga çerdhet deri në universitet, nga 20 prilli do t’i shohësh edhe në një veprim tjetër në grevë. Populli le ta dijë se fajtori i vetëm janë kryeministri dhe qeveria e tij. Edhe në të ardhmen do të jemi këtu, edhe në të ardhmen do të jemi në shkolla, por nuk do të ketë mësim”, është shprehur Jasharaj.

Kritika për shefin e Qeverisë adresoi edhe kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica.

“Ngritja e pagave për të gjithë të punësuarit në Kosovë, sepse ngritja e çmimeve ka ndodhur për mospunën tuaj kryeministër, për mospunën e kabinetit tuaj, Parlamentit të Kosovës. Hidhni sytë nga punëtori, pasi nëse nuk orientoheni nga punëtorët, atëherë nuk do të jeni në Parlament”, ka thënë Llumnica.

Edhe Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës, i kërkoi qeverisë t’i marrë parasysh kërkesat e punëtorëve.

“Kryeministër hapi dyert, dëgjo zërin, kërkesat e punëtorëve dhe priti sindikatat, pasi ne nuk jemi armiq, por partnerë”, tha Gashi.

Qeveria do të përballet me protesta edhe nga një sindikatë tjetër, më 1 maj. Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së sektorit privat, ka thënë se nëpërmjet protestës do të kërkojnë rritjen e pagës minimale. Duke folur për protestën e së premtes, ai u shpreh se sektori privat ndryshe prej atij publik vazhdon të mbetet i lënë anash nga institucionet.

“Ne e konsiderojmë veten që e mbushin buxhetin e Kosovës, ata që e shpenzojnë me arsye e shpenzojnë, janë më të privilegjuar sesa na dhe normal se sektori privat në këtë moment është i dënuar jashtëligjshëm”, është shprehur Azemi.

Pas protestës, kanë reaguar nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke e vlerësuar atë si një mesazh të qartë për qeverinë.

“Protesta e mësimdhënësve ishte mesazh i qartë për qeverinë se Ligji i pagave duhet të kalojë sa më parë. Në një situatë ku kemi ngritje enorme të çmimeve në vend dhe përkeqësim të gjendjes sociale, shumë familje me vështirësi ia dalin ta mbushin shportën elementare të konsumit. Përcaktimi i pagës minimale dhe miratimi i Ligjit për paga janë çështje që duhen trajtuar me urgjencë nga kjo qeveri”, thuhet në reagimin e tyre.