LAJMET E MBRËMJES

“Ferronikeli” kërkon suspendim të liberalizimit të tregut për gjashtë muaj

Kompania “Ferronikeli” ka kërkuar nga institucionet që t’ia mundësojnë furnizimin me rreth 40 për qind me energji elektrike vendore me çmim siç paguajnë bizneset e tjera.

Kriza energjetike ka goditur këtë kompani, e cila energjinë e importon nga bursat ndërkombëtare, gjë që ka bërë që në tetor ndërmarrja të ndalë prodhimin.

Në Komisionin për Ekonomi, drejtori i përgjithshëm i “Ferronikelit”, Genci Beribashi, si zgjidhje të situatës e sheh edhe pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të tregut të energjisë.

“Suspendimi i përkohshëm i liberalizimit të tregut energjetik për një periudhë gjashtëmujore, pikërisht gjatë periudhës kur Kosova ka kapacitete gjeneruese më të larta se nevoja vendore me çmime duke krijuar një tarifë të re industriale vetëm për këta tre konsumatorë vendorë”, tha Beribashi.

Sipas tij, Qeveria ka mbështetur dhe subvencionuar rrymën për të gjitha bizneset e tjera, përveç tri kompanive që funksionojnë në treg të liberalizuar, përfshirë edhe “Ferronikelin”.

Kryesuesi i Bordit të “Ferronikelit”, Steven Grunerud, theksoi se përkundër përpjekjeve të tyre, nuk kanë gjetur ndonjë përgjigje nga institucionet vendore për ta ndaluar këtë krizë.

“Jemi këtu që Komisioni të marrë rolin udhëheqës dhe të mundohet të na ndihmojë të zgjedhim këtë çështje dhe t’i vendosin 850 punëtorë direkt dhe 1 mijë të tjerë indirekt t’i kthejmë në punë”, tha Grunerud.

Deputetët kanë pyetur se sa është shuma që ka fituar ndërmarrja nga Ligji i rimëkëmbjes, por menaxhmenti nuk i kishte këto të dhëna.

Ata po ashtu kanë pyetur lidhur me mundësitë për investime ne energji të ripërtëritshme, por sipas menaxhmentit ato nuk janë shumë të përshtatshme për industrinë e tyre dhe kanë kosto të lartë investimi.