LAJMET E MBRËMJES

Nderohen viktimat e masakrës së Rezallës, kërkohet drejtësi

23 vjet më parë, forcat serbe rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë, ku filluan të ndanin të gjithë burrat e djemtë e rinj. Të gjithë pa dallim i pushkatuan.

Dy dekada pas, qytetarë të shumtë bën homazhe në kompleksin e varrezave të martirëve në Rezallë të Skenderajt, ku pushojnë 98 të ekzekutuarit e asaj dite.

Përveç qytetarëve, homazhe kanë bërë edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Ata kanë thënë se Rezalla është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë, derisa kanë shtuar se nuk do të ndalen deri kur Serbia të mbahet përgjegjëse për të gjitha masakrat e kryera.

“Nuk ka dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht përveçse nga ne shqiptarët që e përjetuam, andaj edhe drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojmë në mënyrë që përgjegjësit dhe urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të gjykohen e të dënohen”, tha kryeministri Albin Kurti.

“Ne nuk do të ndalemi. Do t’ia tregojmë botës dhe ta argumentojmë dhe më mirë gjenocidin që ka ndodhur derisa Serbia të mbahet përgjegjëse, e të gjenden e të dënohen të gjithë ata kriminelë të cilët janë kryes të drejtpërdrejtë të masakrës së Rezallës dhe të qindra masakrave të tjera në Kosovë”, tha kryekuvendari Glauk Konjufca.

Presidentja e vendit ka kujtuar Rezallën nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare.

“E vërteta nuk mund të fshihet, ndaj do të jetë përkushtim i yni i vazhdueshëm. Për Rezallën dhe çdo vend të Kosovës ku janë kryer krime nevojitet drejtësi. Të rënët në këtë masakër nuk do të harrohen kurrë dhe bashkë me përvjetorët e lirisë do të kujtohen çdoherë”, shkroi në faqen e saj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Homazhe në Rezallë kanë bërë edhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, e ish-kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, ndërsa është mbajtur edhe një manifestim që është organizuar nga Kuvendi Komunal.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për persona të pagjetur, trupat e 36 prej 98 viktimave të masakrës së Rezallës ishin zhdukur nga forcat serbe. 29 prej tyre janë gjetur në një varrezë masive në Rudnicë të Rashkës e 7 të tjerë janë gjetur në Kishevak.

Nga masakra në Rezallës kanë shpëtuar vetëm tre persona. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të mëdha gjatë luftës në Kosovë.