LAJMET E MBRËMJES

Tash e 11 vjet, banorët në “Qafë” jetojnë në objektin e ndërtuar pjesërisht

Kështu duket hyrja e objektit banesor në lagjen “Qafa” të Prishtinës.

Punimet në të, të nisura më 2011-n, në marrëveshje me kompaninë kontraktuese “ING Company”, u ndalën rreth katër vjet më vonë.

Banorët që jetojnë në të, krahas mbeturinave të demolimit e ndërtimit, në 10-ditëshin e fundit u përballën edhe me mungesë të rrymës.

“Probleme qëkur ka filluar, ka pasur. Tash qe 10 vjet e gjysmë na kanë dëbuar prej shtëpive. As nuk jepte qira, as nuk punonte as asgjë. Nesër sot, nesër sot. Vitet kalonin dhe mbetëm deri tash. Tash disa pronarë i kanë lidhur orën, rrymën që sa herë po u shkyçet. Rreth dy familje, i kanë vendosur moti në fillim, aty janë regjistruar orët edhe e kemi paguar rregullisht. Ata gjendjen po e marrin, por nuk po e regjistrojnë”, ka thënë Sahit Morina, banor.

Problem për këta banorë është edhe mungesa e ashensorit, që e vështirëson lëvizjen e personave, sidomos atyre në moshë të shtyrë. Ka banorë që në pamundësi për të lëvizur shkallëve, nuk dalin fare nga banesat e tyre.

“Qe 11 vjet jemi duke jetuar në kushte shumë të këqija. Kemi probleme me rrymë. Tash në kohën e fundit po na bëjnë probleme”, ka thënë Erolld Qaja, banor.

Probleme ai thotë të ketë edhe me investitorin dhe se e kanë adresuar atë edhe në komunë. Mirëpo, siç tregon, përgjigjja e marrë nga komuna nuk ka sjellë zgjidhje.

“Nuk e di deri kur do të vazhdojë kjo kështu. Me komunë kemi kontaktuar edhe më herët, me Qeverinë e vjetër, na kanë thënë shkoni kërkoni strehim social”, ka shtuar ai.

Sipas banorëve, rreth 11 vjet më parë kishte filluar lirimi i shtëpive të tyre, pas marrëveshjes së arritur me investitorin. Shtatë vjet më vonë, më 2018, ata ngritën padi ndaj investitorit për mospërmbushje të kontratës, por gjykata ende nuk ka marrë vendim.

“Paditësit i janë përmbajtur në tërësi kontratës dhe nga data e kontratës kanë vënë në dispozicion parcelat për ndërtim, duke i liruar shtëpitë e tyre, tanimë të rrënuara. I padituri ka filluar me ndërtimin e objektit banesor-afarist dhe i njëjti ka arritur të ndërtojë këtë kompleks deri në katin e tetë dhe nga interpretimi i ekspertëve të ndërtimtarisë deri në këtë fazë ka arritur ta përfundojë objektin deri në 33%”.

Po atë vit, çështja u dërgua edhe në Drejtorinë e Inspektoratit, me ç’rast u konstatua se pala nuk ka qenë aktive me punime ndërtimore.

E Bekim Llugiqi, pronari i firmës kontraktuese “ING Company”, thotë se ato i kishte ndërprerë qeverisja e mëparshme. E pranon se gjatë ndërtimit kishte bërë ndërhyrje në projekt.

“Arsyen ata e dinë përse e kanë ndaluar, sepse nuk më kanë dhënë shpjegime për ta vazhduar punën. Përmbi 100 dënime i kam nga komuna që më kanë ndaluar punën. E kam bërë një tejkalim në objekt dhe aty çdo herë më kanë mbajtur si peng për atë tejkalim, në zgjerim të objektit”, ka thënë Bekim Llugiqi, “ING Company”.

Ai gjithashtu theksoi se problemi me energjinë elektrike është zgjidhur nga KEDS-i dhe se po pritet që në marrëveshje me Komunën të vazhdojnë punimet dhe të përfundojë objekti.

Në Komunë e kanë konfirmuar se objekti e kishte marrë lejen e ndërtimit, porse nuk kanë dhënë hollësi të tjera dhe as se kur pritet të vazhdojnë ato.