LAJMET E MBRËMJES

Shtatë mijë nxënës do t’i nënshtrohen testit PISA

Nxënësit e klasave të nënta, këtë vit, do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë ndryshe nga herët e tjera. Njohuritë e tyre do të maten brenda një periudhe dyditore, më 4 dhe 14 qershor. Kështu bëri të ditur zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, të premten.

Në konferencën për media ai ka sqaruar arsyet e ndryshimit të metodologjisë, duke treguar edhe për renditjen e lëndëve në test.

“Qëllimi i këtij ndryshimi është që të fokusohemi pak më shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve nga të gjitha lëndët relevante dhe jo të shkojmë me një numër të vogël pyetjesh siç është vepruar deri më tani”, ka thënë zëvendësministri Pupovci. “Në ditën e parë do të jetë testi nga gjuha shqipe, angleze, historia dhe gjeografia. Ndërsa në ditën e dytë do të jetë testi nga matematika, informatika, fizika, kimia dhe biologjia”.

Zyrtari i Ministrisë së Arsimit ka njoftuar se 7 mijë nxënës 15-vjeçarë, këtë vit, do t’i nënshtrohen edhe testit PISA, test ky që për shkak të pandemisë nuk është mbajtur vitin e kaluar.

Në konferencë, Pupovci ka folur edhe për interesimin e ulët të nxënësve që mund të përfitonin nga bursa për ndjekje të kurseve për IT. Ai ka thënë se kanë pritur një numër më të madh të aplikuesve.

“Mendoj që duhet në të ardhmen të bëjmë pak më shumë nxitje dhe informim të nxënësve që të aplikojnë. Ose duhet t’i orientojmë këto grante herëve të tjera në fusha të tjera ose duhet ta zgjerojmë rrethin që të mos shkojmë veç me maturantë, por edhe me nxënës të klasës së 11-të, që ky numër të jetë më i madh”.

Zëvendësministri Pupovci bëri të ditur edhe për hapjen e konkursit për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe për mbështetjen financiare për studentët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

“Synohet që të sigurohen bursa për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që studiojnë në universitet publike në mënyrë që të ndihmohet krijimi i kuadrit me arsimim universitar nga këto komunitete”, ka theksuar Pupovci.

Në konferencë u përmend edhe Projektligji për edukimin në fëmijërinë e hershme, për të cilin zëvendësministri tha se së shpejti do ta dërgojnë në Qeveri dhe Kuvend. Sipas tij, ky projektligj synon që edukimin parafillor ta bëjë të detyrueshëm.