LAJMET E MBRËMJES

Ukraina me aksion të madh kthen periferinë e Kievit

Ukraina ka kthyer ushtrinë në pjesën perëndimore të kryeqytetit pas një beteje të madhe me ushtrinë ruse. Ndërkaq, Rusia ka bërë të ditur se që prej 24 shkurtit kur nisi pushtimin janë vrarë 1351 ushtarë të saj në Ukrainë

Ushtria ukrainase ka ripozicionuar trupat në pjesën perëndimore të Kievit në ditën kur është konfirmuar fitorja ndaj ushtrisë ruse në një prej betejave më të mëdha që kur nisi pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Në një fshat 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit kishte shenja të luftimeve të mëdha.

Ushtria ruse ishte pozicionuar në këtë fshat gjatë javës së kaluar, mirëpo janë tërhequr shkaku i kundërsulmit të madh nga forcat e Ukrainës.

Ushtria ukrainase ka vazhduar me avancimin më thellë në perëndim me qëllim që të kthejë kontrollin e territoreve të tjera, të cilat i kishte humbur gjatë javëve të kaluara.

Ndërkaq, Rusia për herë të parë është deklaruar në lidhje me ushtarët e vrarë rusë në Ukrainë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pranuar se 1351 ushtarë rusë kanë vdekur që kur nisi pushtimin e Ukrainës

Ky është përditësimi i parë që kur Ministria pranoi se 498 ushtarë rusë u vranë në luftë dhe 1500 u lënduan.

Një shifër e konfirmuar e viktimave ruse nuk është ende e qartë, por analistët presin të jetë shumë më e lartë.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane këtë javë kanë vlerësuar se mbi 7000 ushtarë rusë janë vrarë në luftë në Ukrainë në fund të shkurtit.

Ndërkaq, Zyra për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara ka thënë të premten se 1081 civilë kanë vdekur dhe 1707 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi pushtimin më 24 shkurt.

SHBA-ja zyrtarisht ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e krimeve të luftës dhe ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi me çdo mjet të mundshëm.

Teksa Evropa po përballet me një prej krizave më të mëdha të gjeneratave, liderët perëndimorë po kërkojnë mënyra për të rritur presionin ndaj presidentit Vladimir Putin teksa po shmangin mundësitë që do të zgjeronin luftën në krejt Evropën.