LAJMET E MBRËMJES

QUINT-i kritikon Qeverinë për moslejim të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Moslejimi i organizimit të zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës ka nxitur kritikat e Quintit ndaj Ekzekutivit.

Në një reagim të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për një gjë të tillë minon aspiratat evropiane të Kosovës.

“E kuptojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës të vendosë nëse duhet apo jo të japë leje për organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër. Përderisa e vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim shënim vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga QUINT-i. Me këtë vendim Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile e politike të të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre të grupeve minoritare. Një sjellje e këtillë nga Qeveria e Kosovës s’është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe i minon aspiratat e tyre evropiane”, thuhet në reagimin e QUINT-it.

E gjatë të mërkurës kryeministri Albin Kurti ka sqaruar rrethanat, të cilat kanë bërë që të mos arrihet marrëveshja për mbajtjen zgjedhjeve serbe.

Sipas tij, nga Serbia nuk është plotësuar kushti që është kërkuar, për shkëmbim kërkese mes qeverive të të dyja shteteve.

“Unë jam i bindur që marrëveshja duhet të jetë nëpërmjet shkëmbimit të letrave ndërmjet Qeverisë së Serbisë me Qeverinë e Kosovës. Ne jemi instancat që jemi autoritetet e vendeve përkatëse dhe të cilat do të duhej të merreshin vesh në mënyrë që të zhvilloheshin ato zgjedhje. Kështu siç është, çështja ka marrë një kah tjetër, ne kemi shprehur keqardhjen tonë, por edhe më shumë se kaq nuk kam se çfarë të them”, ka pohuar Kurti.

Sipas Kurtit, BE-ja nuk ka qenë e lumtur që ai nuk ka pranuar që i gjithë procesi të përmbyllet me një letërshkëmbim mes zyrtarëve ndërlidhës.

Kryeministri Kurti, të mërkurën, është akuzuar nga presidenti i Serbisë se është duke synuar që të destabilizojë rajonin. Duke folur për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, Vuçiqi ka thënë se qëllimi është që të poshtërohen serbët dhe t`u hiqen të drejtat e tyre.

Vendimi i Kurtit pritet të përcillet me protesta nga serbët, të cilat planifikohen të mbahen të premten.

Mbajtjen e tyre e ka konsideruar të padrejtë kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se do t’i kuptonte qytetarët serbë nëse do të protestonin për çështje sociale, arsim e shëndetësi

“Andaj më lejoni që t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë në Kosovë, që të mos organizojnë dhe të mos marrin pjesë në protesta të tilla. Unë jam organizator i madh i protestave nga e kaluara ime, po më besoni që me kompetencë jo vetëm nga përvoja po edhe nga rrethanat politike në të cilat ndodhemi e gjeopolitike që janë bërë të sigurisë, protestat nuk janë rruga e duhur”, shtoi kreu i ekzekutivit kosovar.

Kryetari i Qeverisë ka folur edhe për pjesëmarrjen e zyrtarëve qeveritarë, komunalë e të institucioneve të sigurisë, në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, me një çështje të tillë u takon organeve të tjera të shtetit që të merren me të.