LAJMET E MBRËMJES

Opozita e quan të paaftë Qeverinë Kurti

Ekonomia, drejtësia, shëndetësia e politika kanë qenë disa nga sferat për të cilat është kritikuar ekzekutivi i drejtuar nga Albin Kurti, ditën kur i ka bërë një vit prej kur është mandatuar. Kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare në vend, PDK-së dhe LDK-së, konsideruan se qeveria e Kurtit ka qenë e paaftë në adresimin e çështjeve me interes, derisa thanë se barrën për veprimet e ndërmarra e kanë bartur vetë qytetarët

‘Qeveri e paaftë’ është epiteti që partitë opozitare ia kanë dhënë Qeverisë Kurti, ditën kur i ka bërë një vit prej kur është mandatuar.

Në dy konferenca të ndara, të organizuara me një orë dallim në martën, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ai i LDK-së, renditën, sipas tyre, disa nga dështimet e Qeverisë, si në ekonomi, politikë, drejtësi, e shëndetësi. Kritikat e dy krerëve opozitarë ishin të ngjashme ashtu sikurse edhe vlerësimi i tyre se barrën e “qeverisjes së paaftë” të kryeministrit Albin Kurti e kanë bartur qytetarët.

“Që nga idetë me të cilat e ka shtruar planin e qeverisë, te prioritetet që i ka vendosur në plan të qeverisë, për të vazhduar te performanca e dikastereve të kësaj qeverie, dhe si kryefjalë, rezultatet e munguara të saj, në çdo fushë, nuk lënë tjetër mbiemër për këtë ekzekutiv, veçse si një qeveri tërësisht e paaftë dhe jokompetente”, ka thënë Memli Krasniqi i PDK-së. “Dhe ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjesht performanca e dobët në realizimin e objektivave të saj. Karakteristika themelore e kësaj qeverie të paaftë është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës”, shtoi më tej ai.

Sipas kryetarit të PDK-së, gjatë vitit të parë të qeverisjes së Kurti është rritur numri i të papunëve e atyre që kërkojnë të largohen nga Kosova.

“Gjatë këtij viti numri i të papunëve është rritur tepër shumë, numri i të papunëve, të rinjve e rejave që kërkojnë largim nga Kosova është rritur jashtëzakonisht shumë, çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, ndërsa të vetmet që nuk janë rritur janë prodhimi, eksporti, punësimi dhe pagat”, deklaroi Krasniqi.

Ai ka kritikuar qeverinë edhe për politikën e jashtme.

“Një vit i plotë, kur asnjë hap, as vendim, as veprim, as lobim nuk është ndërmarrë, qoftë për njohje të reja të shtetit të Kosovës, qoftë për anëtarësim në organizata e institucione ndërkombëtare”, ka thënë kreu i PDK-së.

Krasniqi tha se përkundër premtimeve, qeveria nuk ka bërë asgjë për realizimin e vettingut, dialogu është kthyer në çështje teknike, e Kosova ka qenë e papërfaqësuar në arenën ndërkombëtare.

Për përfaqësimin jo të duhur të Kosovës, ekzekutivin e kritikoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, qeveria është karakterizuar “nga skandale e me dëme të pariparueshme për pozitën e vendit, me komunikime të turpshme e amatoreske dhe diskurs joadekuat diplomatik”.

“Mbi të gjitha, është karakterizuar me mungesë të takimeve të rëndësishme në nivel ndërkombëtar, përjashtuar takimet e forumeve të përbashkëta me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk ka pasur ndonjë takim të nivelit të lartë të institucioneve përkatësisht të kryeministrit të qeverinë sonë”, ka thënë Abdixhiku, derisa ka shtuar se Kosova ka ngecur edhe në pozitën e saj dialoguese.

Abdixhiku tha se “qeverisja e paaftë” e Kurtit është përcjellë me popullizëm, arrogancë e me arsyetime tek e shkuara.

“Nga kriza e pandemisë, ajo e energjetikës, e deri te rritja alarmante e çmimeve, qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët tanë në betejën e tyre me përballueshmërinë”, ka thënë Abdixhiku. “Kjo qeveri me paaftësinë e saj vepruese për qytetarët megjithatë, ka qenë shumë e aftë në kapjen e bordeve në kompani publike e institucionet e pavarura me qëllim që t’i zaptojë ato me familjarë, të afërm e me militantë. Kapja e këtyre institucioneve jetike për funksionalizimin e shëndoshë të shoqërisë ka rezultuar të jetë fatale në momentin që jemi përballë me krizë, në krizën energjetike dhe në rritjen e çmimeve”.

Abdixhiku tha se dëshpërimi i qytetarëve me qeverisjen është duke u përcjellë me largimin e tyre masiv nga Kosova.

Krahas kritikave, Krasniqi e Abdixhiku, thanë se qeveria e Kurtit ka pasur edhe vendime të mira, ndonëse të martën nuk përmendën një prej tyre.

“Unë e vlerësoj faktin që deri sot, përkundër mospunës së madhe së paku nuk kanë pasur skandale që ndërlidhen me korrupsionin... Deri sot, të paktën nuk ka plasur ndonjë skandal, por çka do të ndodhë në të ardhmen, do ta shohim, por pastaj është një çështje, njerëzit që nuk punojnë nuk mund të bëjnë as gabime, e këta janë dëshmuar edhe si të papunë edhe si të paaftë”, ishte përgjigjja e Krasniqit.

Vendime të mira tha se ka pasur qeveria edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Nuk po themi që nuk ka pasur vendime të mira. Në fakt një njeri që qëndron në zyrë 12 muaj bën edhe ndonjë punë të mirë. Çështja është se cilat janë dëmet e vërteta të këtyre 12 muajve”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka renditur, sipas tij, dështimet e Qeverisë Kurti, në një postim në “Facebook” Mosmiratimi i ligjit të pagave, kapja e bordeve, menaxhimi i keq i pandemisë, dialogu i nivelit teknik, janë vetëm disa nga dështimet me të cilat Haradinaj thotë se karakterizohet njëvjetori i Qeverisë Kurti.

“Prejse e ka marrë detyrën e kryeministrit, nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, ka ngecje në shtimin e të hyrave për qytetarët. Qytetarët marrin aq sa kanë marrë para një ose dy vjetëve, e çmimet janë rritur në mënyrë enorme”. Ndalja e projektit të gazsjellësit amerikan, vendnumërimi në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, shtrenjtimi enorm i energjisë elektrike, pagesa e dhjetëra milionë eurove për energjinë e qytetarëve serb në veri, nepotizmi në shkallë shqetësuese në politikën e punësimeve, janë disa nga kritikat e kreut të AAK-së. “Ka edhe shumë dështime të tjera, kategori në vete, që janë edhe më shumë se dështime, por gabime ordinere, si: kërkesa qesharake e Kurtit në Bruksel për shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA, deklarimi pa sqarim se Kosova e mbështet një asociacion gjeografik, qëndrimi skandaloz që marrëveshja e Washingtonit nuk ka obligime juridike për Kosovën, shfuqizimi i marrëveshjeve me komuna dhe heqja e mjeteve të parapara me buxhet, Zvogëlimi i subvencioneve për bujq, vonesa e realizimit të tyre dhe realizimi parcial...”

Një vit më parë, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës, votoi për qeverinë e re, në krye të së cilës, u vendos kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.