LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria insiston në dënimin e Gucatit e Haradinajt me nga 6 vjet burgim

Mundësinë e fundit për të folur para gjykatës për rastin e dosjeve e kanë pasur të enjten Zyra e Prokurorit të Specializuar e mbrojtja e krerëve Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare.

Teksa i është përgjigjur deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes, prokurori Smith insistoi që dënimi i Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit parandalon frikësimin e dëshmitarëve.

“Ata bënë atë që premtuan se do ta bënin dhe ajo që bënë ata ishte e parashikueshme dhe e parandalueshme në qoftë se do të bëhet në të ardhmen. Pra, dëmi që do të shkaktojnë ata në të ardhmen është i parashikueshëm sepse na e kanë thënë këtë. Na e kanë thënë qartë që do ta bëjnë përsëri. Pse është e kaq e rrezikshme sjellja e të akuzuarve? Për shkak të frikësimit që ekziston në Kosovë. Veprimet e të akuzuarve duan të shfrytëzojnë dhe të kontribuojnë në këtë klimë”, ka thënë Jack Smith nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Prokuroria që pati kërkuar nga 6 vjet burgim, në këtë seancë ka transmetuar edhe video-materiale të intervistave televizive e pjesë të gjykimeve, duke i paraqitur si dëshmi që të akuzuarit nuk janë penduar.

“Asnjë milimetër... Edhe pesë vjet burgim të m’i japin, unë jam i gatshëm t’i përgjigjem Gjykatës Speciale për publikimin e dosjeve”, ka deklaruar Gucati.
 

“Kam qenë thellë i bindur se është në interes publik dhe është për hir të transparencës publike”, ka shtuar Haradinaj.

Ndërsa, mbrojtja e krerëve të OVL-së së UÇK-së ka insistuar se Prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë shkaktimin e rrezikut.

“E thashë edhe një herë që nuk dua që t’iu ngarkoj me përsëritjen e pretendimeve që i kam parashtruar edhe të martën, edhe të mërkurën. Megjithatë, më duhet t’ia kujtoj trupit gjykues që nuk ka prova për shembull sa i takon pikës në aktakuzës që ka të bëjë me frikësimin. Pra, asnjë person nuk është nxitur ta japë një deklaratë të rreme apo asnjë person nuk është nxitur që të refuzojë që të japë një deklaratë apo që ka pasur një person që nuk ka dhënë informacion në mënyrë tjetër për shkak të veprimeve të të akuzuarit. Nuk ka asnjë provë që flet për dhunë apo të dëmtimeve që janë shkaktuar siç u pohuan edhe nga z. Pach”, deklaroi Jonathan Rees, avokat i të akuzuarve.

Gucati e Harandianj i kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë dhe kanë thënë se nuk ndihen fajtorë.

“Në shtator të vitit 2020 unë jam ballafaquar me marrjen e një vendimi si kryetar i OVL-së. Pas arritjes, krejtësisht të papritur, të dokumenteve në zyrën tonë, e kam marrë vendimin me anëtarët e pranishëm të këshillit drejtues të OVL UCK-së. Për aq sa më përket mua, ka qenë në interes më të mirë, të ligjshëm të anëtarëve të OVL të UCK-së. Unë vazhdoj të pohoj se jam i pafajshëm ndaj akuzave penale ndaj meje”, tha i akuzuari Hysni Gucati.

E Nasim Haradinaj, i akuzuari tjetër i Gjykatës Speciale tha se “ne asnjëherë nuk kemi bashkëpunuar me kriminelë”.

“Prokuroren Bolici e kuptoj se është e zemëruar dhe mungesën e fakteve, për të mbërritur qëllimin që ka kjo prokurori, mirëpo ajo duhet ta ketë të ditur se edhe në këtë moment të tanishëm për ne vlen ende prezumimi i pafajësisë. Ne asnjëherë nuk kemi bashkëpunuar me kriminelë, e as nuk kemi kryer urdhrat e tyre”, tha Haradinaj.

Për publikimin e dokumenteve me emra të dëshmitarëve, për të cilat të akuzuarit po mbrohen se i kanë bërë mediat e jo ata, Gucati e Haradinaj akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurave penale, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në bazë të rregullave të saj, gjykata i ka 90 ditë për të dalë me vendim përfundimtar.