LAJMET E MBRËMJES

Fshesa e ministres Gërvalla prek edhe 11 zyrtarë

11 zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë shkarkuar nga ministrja Donika Gërvalla, shkaku i pretendimeve se ishin punësuar pa iu nënshtruar procedurave ligjore. Megjithëse nuk janë publikuar emrat, KOHA ka mësuar se në mesin e tyre ka diplomatë që kanë lidhje partiake e familjare me ish-zyrtarët e qeverive të kaluara. Disa prej të shkarkuarve thonë se kanë mbetur të shokuar nga vendimi i ministres, ndërsa kanë paralajmëruar ndjekjen e rrugëve ligjore

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) ka shkarkuar 11 zyrtarë të Shërbimit të Jashtëm. Vendimi për këtë është cilësuar si pjesë e masave të Ministrisë për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike dhe për anulimin e vendimeve të jashtëligjshme.

“Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në Shërbimin e Jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në Shërbimin e Jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të Shërbimit të Jashtëm përmes vendimeve arbitrare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në MPJD kanë paralajmëruar edhe masa ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të zyrtarëve të shkarkuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”, përfundon njoftimi i MPJD-së.

MPJ-ja nuk i ka bërë të ditur emrat e të shkarkuarve, por KOHA ka mësuar që disa prej tyre janë punësuar në këtë dikaster para më shumë se 10 vjetësh.

Në mesin e të shkarkuarve mësohet se është edhe vajza e ish-zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi, Shota Bukoshi.

Dy nga të shkarkuarit e tjerë, Adnan Dragaj dhe Enver Buqaj, kanë qenë zyrtarë në Departamentin për NATO. Ndërkaq Petrit Hajdari në atë për Marrëdhënie Rajonale, Bahrije Hoti në Departamentin e Protokollit të Shtetit, e Mit’hat Fejza në Konsullore.

Adnan Jakupi është aktualisht në misionin në Pragë, ndërsa në mesin e të shkarkuarve është edhe ish-konsulli i përgjithshëm në Stamboll, e tani zyrtar për siguri, Rrahim Morina.

KOHA ka kontaktuar disa prej të shkarkuarve.

Lulzim Rifaj që ka shërbyer si konsull jashtë vendit dhe tani zyrtar i lartë për çështje konsullore thotë se është shokuar me vendimin që vjen dy vjet para pensionimit.

“Unë jam njoftuar me vendimin përmes email adresës. Kam qenë i shokuar për çfarë arsye, qysh, tek, jam habit edhe vetë. Shkeljet: Nuk e di për të tjerët. Unë kam aplikuar në konkurs. Provimit i jemi nënshtruar në Fakultetin Teknik – mbi 700 kemi qenë. Pas asaj kam qenë në provim për gjuhën, mandej kam qenë në intervistë me gojë në ministri”, ka thënë Rifaj, që ka paralajmëruar kontestimin e vendimit. “Këto veprime po na përkujtojnë vitet ‘90, kur Serbia pa kurrfarë arsye veç na largojke. Nuk e di se ka pasur shkelje. Pas 10 vjetësh punë me u largu, kjo nuk është e logjikshme. Unë edhe dy vjet dal në pension. Dy mandate kam qenë si konsull jashtë, qe dy vjet në ministri. Nuk kemi rrugë tjetër veç rrugëve ligjore. Jam i bindur se do ta fitojmë rastin”.

Kurse Adnan Dragaj ka thënë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për shkarkimin.

“A beson se hala nuk jemi duke e ditë se çfarë po ndodh. Çfarëdo prononcimi do të ishte i ngutshëm dhe i pamatshëm. Po flitet se jam shkarku, por të shohim se çka po ndodh. Zyrtarisht nuk mundemi kurrgjë me iu njoftu. Ta shohim deri në fund çka do të dalë prej kësaj pune”, ka theksuar ai.

Sipas burimeve të KOHËS, janë mbi 50 zyrtarë që janë punësuar në konkursin e njëjtë, prej të cilit Ministria në mënyrë selektive i shkarkoi vetëm 11.

Ky është shkarkimi më i madh pas atij në majin e vitit të kaluar, kur me vendim të ministres Gërvalla ishin shkarkuar 12 ambasadorët e emëruar me çelës politik.

Vetëm pesë muaj pas shkarkimit të ambasadorëve që ishin emëruar me çelës politik, Qeveria iu kishte dhënë drejtim propozimeve të reja.

Edhe ministrja aktuale është denoncuar nga mekanizmat brenda Ministrisë, siç është Shoqata Sindikale, për vazhdimësi të praktikës së qeverive paraprake duke emëruar persona të afërt me partitë në pushtet, pa respektuar procedurat ligjore.