Ekspozita interaktive për Ana Frankun trajton edhe racizmin

Ekspozita interaktive për Ana Frankun trajton edhe racizmin

18 qershor 2018 12:09

Një kopje e ditarit më të famshëm në botë, në të cilin vajza e re hebraike përshkruan kohën kur po fshihej nga nazistët në dhomat e fshehta të një ndërtese në Amsterdam, është ekspozuar menjëherë në hyrje të qendrës edukative të titulluar “Anne Frank”.

Por ky ditar është e vetmja gjë tradicionale në gjithë ekspozitën, për të cilën vizitorët kanë nevojë të qasen me mjete multimediale për të mësuar më shumë për jetën e fshehtë të Anës në apartament. Titulluar “Anne Frank, Morgen Mehr” (Ana Frank, më shumë nesër), ekspozita është përceptuar “jo si muzeore, por laborator mësimor”, ka shpjeguar Meron Mendel, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e DW.

Në vend se të udhëheqë klasat apo grupet e të rinjve nëpër një lloj turneu linear, kjo ekspozitë ua mundëson atyre të udhëhiqen nga vetë gjërat që u interesojnë. “Për të treguar se mund të jetë argëtuese të sfidosh veten”, ka thënë Mendel.

“Ne i marrim shumë seriozisht të rinjtë. Motoja jonë është: opinioni juaj ka rëndësi”. Themeluar më 2003, qendra edukative e vendosur në vendlindjen e Ana Frankut, Frankfurt, tashmë ka tërhequr afërsisht 120 mijë vizitorë me ekspozitën permanente “Ana Frank: një vajzë nga Gjermania”. Laboratori i ri interkativ mësimor ka për qëllim të tërheqë edhe më tepër se kaq.

Duke qenë se të rinjtë rregullisht janë interaktiv me kompjuterët, videot dhe ambientet digjitale, Mendel ka ardhur me idenë e shfrytëzimit të mjeteve multimediale, për të trajtuar tema si antisemitizmi, racizmi e diskriminimi – që janë pjesë e përvojave të përditshme të të rinjve – me një vizitë në “Museum of Technology” në Berlin. Pasi ka parë sesi djali i tij në mënyrë shumë entuziaste ka provuar të ketë interkativitet me instalacionet atje, ai ka vendosur që ta aplikojë këtë koncept edhe në qendrën edukative të Ana Frankut.

“Është një lloj fushe e lojës dhe një fushë eksperimenti që lidh të tashmen me të kaluarën”, ka thënë Meron. Katërmbëdhjetë punonjësit e qendrës u ndihmojnë vizitorëve në aspektin teknik – për shembull, sesi një buton i mundëson përdoruesit ta vizitojnë Ana Frankun në vendin ku familja e saj ishte fshehur nga 6 korriku i vitit 1942 derisa ishin zbuluar e arrestuar më 6 gusht të vitit 1944.

Laboratori interaktiv u mundëson vizitorëve të shkojnë nëpër dhomat e rikonstruktuara dhe të zbulojnë këndin privat të Anës, ku një arush qëndron mbi shtratin e saj, apo edhe në hapësirën e përbashkët ku ndante familja – përfshirë edhe të riun Peter, që ishte dashuria e parë dhe e vetme e saj. Skenat e pasqyruara në video 360-shkallëshe janë të bazuara në përshkrimet e dhëna në ditarin e saj. Një libër audio ua përshkruan vizitorëve hapësirën e Anës. Edhe dëshmitarët bashkëkohorë rrëfejnë dëshmitë e tyre.

Nxënësit që e vizitojnë laboratorin, megjithatë, nuk lihen veç me përshtypjet e tyre. Në fund të vizitës, gjithçka përmblidhet dhe diskutohet në grup, ka thënë kuratorja Deborah Krieg.

“Vizitorët e rinj ftohen ta pyesin veten: ku qëndroj me këto çështje? Çfarë më duket e padrejtë? Çfarë dua të ndryshoj?” Mes vizitorëve të veçantë në këtë ekspozitë ishte edhe e mbijetuara e kampit të përqendrimit, Trude Simonsohn. E pyetur nga të rinjtë sesi duhet mbrojtur nga tmerret naziste, që të mos përsëriten, ajo është përgjigjur: “Menjëherë thoni ‘jo’ cilësdo padrejtësi”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme