Kulturë

Vazhdojnë përpjekjet për të mirën e ShKA Agimit

Descriptive Text

Kastriot Marku, Kryesues i Kuvendit të Anëtarëve të SHKA “Agimi”, përmes një komunikate për media, ka sqaruar se çfarë është duke ndodhur me këtë shoqatë së fundmi si dhe për hapat që do të ndërmerren në të mirë të kësaj shoqate.

Kjo është komunikata e SHKA Agimi:

Pjesa dërmuese e anëtarëve të ShKA AGIMI nga Prizreni, të përjashtuar padrejtësisht nga një grup i vogël individësh, vazhdojnë përpjekjet për të vendosur rend dhe zhvilluar Agimin.

Në takimin e fundit të anëtarësisë në shkurt 2017, me qëllim të gjetjes së gjuhës së përbashkët mes të gjithëve, është mandatuar një Grup i Përkohshëm Menaxhues. Ky Grup ka përgatitur Planin për tejkalimin e sfidave aktuale në Agimi, duke i shterur të gjitha mundësitë e dialogut me individët që po e mbajnë peng shoqatën.

Plani dhjetë pikësh propozonte verifikimin dhe konsolidimin e anëtarësisë pa e përjashtuar askënd, publikimin e raporteve financiare, hartimin e dokumenteve të brendshme dhe mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të anëtarëve. Për shkak të mungesës së gatishmërisë nga këta individë, anëtarësia e ShKA Agimi ka vendosur që të vazhdojë me realizimin e këtij Plani.

Pas shumë konsultimeve të zhvilluara, u vendos që Kuvendi zgjedhor i ShKA Agimit të mbahet më 20 Maj 2017 në ndërtesën e shoqatës në Prizren. Deri në takimin e Kuvendit do të bëhet verifikimi i anëtarësisë, hartimi i Statutit të ri, i rregulloreve të brendshme dhe i Planit zhvillimor për vitet në vijim. Prandaj, i ftojmë të gjithë anëtarët e ShKA Agimi, pa përjashtime, që të bëhen pjesë e procesit të verifikimit të anëtarësisë gjatë kësaj periudhe. Për t’u nënshkruar në regjistrin e anëtarëve të ShKA Agimit, të gjithë duhet të lajmërohen te Kryesuesi i Kuvendit të Anëtarëve ose Grupi i Përkohshëm Menaxhues. Kjo thirrje u dedikohet të gjithëve, përfshi grupin e individëve të cilët kanë refuzuar bashkëpunimin deri tani.

Me qëllim të informimit të drejtë të publikut për zhvillimet në ShKA Agimi përgjatë viteve të fundit, po i bëjmë edhe disa sqarime të domosdoshme. Nga takimi i fundit i Kuvendit të Anëtarëve, Grupi i mandatuar nga anëtarësia ka komunikuar zyrtarisht me autoritetet relevante publike të Kosovës. Nga përgjigjet e siguruara deri tani, konstatohet një numër parregullsish në shoqatë, përfshi: mosrespektimin e procedurave të brendshme për zgjedhjet e organeve të shoqatës, përjashtimin e anëtarëve pa i respektuar procedurat dhe ligjet, moskryerjen e obligimeve tatimore dhe shkaktimin e dëmeve materiale dhe fizike si rezultat i një marrëveshjeje joligjore me një entitet afarist.

Duke e rikonfirmuar përkushtimin tonë për të vendosur rend dhe për ta shpëtuar ShKA Agimin, edhe një herë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të vullnetit të mirë që, sikurse deri tani, të vazhdojnë të jenë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të mirën e ShKA Agimit.