Arjeta Mala sjellë dy botë me tensione në ekspozitën në Prishtinë

Arjeta Mala sjellë dy botë me tensione në ekspozitën në Prishtinë

14 qershor 2018 10:24

Ajo ka lindur në Pejë dhe me punët e saj të fundit artistike mendjen e ka pasur në një tjetër pjesë të botës. Peja pati luftë e terror, sikur Kosova në tërësi, para disa dekadash, ndërsa Siria ka një luftë që ka nisur qëmoti e po vazhdon edhe sot.

Me refugjatët nga Siria dhe me pamjet e tmerrshme, Arjeta Mala tregon se ka marrë një inspirim për punimet e ekspozitës e cila u hap mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë, përcjell KultPlus.com. Arjeta është artiste e vizatimeve më abstrakte, dhe me anë të ngjyrave të ujit krijon edhe fytyra njerëzish por edhe lë ngjyrim të llojllojshëm në fletën e bardhë.

Ekspozita “Tensione të dukshme dhe të fshehta” u hap sonte nga artistja e cila jeton prej kohësh në Holandë, në qytetet e të cilit shtet ajo ekspozon punët e saj artistike gjithmonë të nisura pa një koncept por ndërtuar ngadalë drejt tërësisë.

“Unë kur filloj punën nuk e kam në mend një koncept, por gjithçka merr formë më pas. Punimet e kësaj ekspozite janë disa të reja e disa të ekspozuara më herët. Në një pjesë shihni edhe fytyra të njerëzve të cilat i kam marrë prej ngjarjeve në Siri dhe pamjeve të ndryshme në televizion të cilat më japin emocione dhe ndjenja të tmerrshme nga realiteti atje” tregon artistja Arjeta Mala.

Në punët e saj ajo përdorë akrilin. Punimin e parë e realizoi në moshën 8 vjeçare, gjyshin e saj duke lexuar gazetën. Më vonë një pjesë e mirë e karrierës do të ishte e lidhur me artin e kulturën, me fokus vizatimin.

“Jam e lumtur që jam në Kosovë, këtu gjithmonë është ndjenjë tjetër sepse këtu është familja, këtu janë miqtë prandaj është një ndjesi tjetër të jem në vendin tim me ekspozitë. Do të vazhdoj me ekspozita të tjera” thotë artistja për ekspozitën që ndahet në dy cikle.

Zeni Ballazhi, kurator i ekspozitës, ka shkruar se si Arjeta ka krijuar një stil të lidhjes së vetvetes me universin që e rrethon ndërmjet mundësive shprehëse dhe dinamikave sasiore të botës përreth saj. Ajo akordon intensivisht pjesën e padukshme të realitetit në një hapësirë të vetme në një mënyrë specifike që përcakton edhe individualitetin e saj.

Arjeta Mala (1964) u lind në Pejë. Ka mbaruar Fakultetin e Arteve, drejtimin e dizajnit grafik, në Universitetin e Prishtinës. Për shkak të luftës së vitit 1999, mërgon në Holandë ku edhe punon sot si artiste e lirë. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit si në Rotterdam, Piershil, Binnenmaas, Hagë, Eindhoven, Dordrecht, Bochold, Prishtinë, etj.

Ndërkaq ekspozita personale ka realizuar në Galerinë e Ambasadës së Shqipërisë në Hagë (2017), në Piershil (2006), pastaj në Galerinë e Arteve të Komunës së Pejës (2017), në Rotterdam (2017), si dhe tani në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (2018). Jeton dhe vepron në Holandë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme