Kulturë

“Të jetosh vertikalisht” për historitë e parrëfyera

Prishtinë, 14 qershor – Rrëfimet e paraardhësve, përjetimet e tij e shumë histori të tjera që lidhen me Junikun, Dukagjinin, por edhe trojet shqiptare në përgjithësi, Lush Isufaj i ka përjetësuar. “Të jetosh vertikalisht” në më shumë se 700 faqe, vjen si kronikë e tre shekujve të fundit e rrjedhimisht edhe si një monografi historike e disa brezave. Rrëfimet për burrat që ua kanë mësyrë kullave të Junikut si Hasan Prishtina e Azem Bejta, përmblidhen në librin që shkon përtej historisë së një rajoni.

Në promovimin e “Të jetosh vertikalisht”, të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, të pranishmit kanë vlerësuar lart punën që ka bërë Isufaj.

Shkrimtari e studiuesi i letërsisë, Agron Gashi, ka thënë se vepra mund të pranohet dhe mund të lexohet edhe nga si e prekshme, si libër i ndjeshëm me dilema e paradokse të kohës, në të cilat ka kaluar familja e bashkëvendësit e autorit.

“Këtu flitet për periudha historike, për të cilat është folur e dëshmuar shumë. Por pas leximit të këtyre rrëfimeve historike e autobiografike, qoftë në trajtë të kuptimeve dhe dëshmisë e shohim më mirë me sy të mendjes e të shpirtit, të njëjtën histori të thënë më ndryshe të shkruar më ndryshe, të cilën edhe duke e lexuar duhet ta lexojmë më ndryshe”, ka thënë Gashi. Arkivisti Jusuf Osmani ka thënë se historia për pavarësi nuk ka filluar sot po është e njohur me shekujt (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).