“Arturo Ui”, gati për premierë

13 qershor 2018 19:54

“Çfarë të them, ndoshta kam shumë për të thënë, ndoshta hiç”, kështu e nisi fjalimin e tij në konferencën për media për shfaqjen “Arturo Ui”, regjisori i njohur Bekim Lumi.

Përkundur gjendjes së rëndë shëndetësore, regjisori Lumi ka arritur të çojë deri në fund projektin e tij më të ri, që premierën do ta ketë të enjten në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Lumi shtoi se kjo shfaqje ka qenë një proces shumë i lodhshëm, por që bashkë me aktorët kanë dhënë gjithçka për ta realizuar atë. Ai tregoi se “Arturo Ui” ka qenë ëndërr e kamotshme për ta inskenuar, por që tek tash në 20 vjetorin e karrierës së tij, vjen me këtë realizim të madh, meqë “Arturo Ui” është një prej veprave, siç e quajti ai, më të rënda.

Për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet nëpër botë. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ‘20.

Roli kryesor në këtë shfaqje i është besuar aktorit Bujar Ahmeti, i cili tha se është i privilegjuar që në CV-në e tij do ta ketë një rol të këtillë.

Ndërsa, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari, tha se i vjen mirë që kjo premierë po ndodh pikërisht tani.

Premiera do të jepet të enjten nga ora 21:00. Ndërsa, për momentin nuk do të ketë repriza për shkak të Kampionatit Botëror të Futbollit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme