Kulturë

Prej Roosveltit deri te Bushi për paradokset e raporteve shqiptaro-amerikane

Descriptive Text

Fotografia e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Roosevelt, qëndron krahas një teksti të botuar në gazetën “Drita” në dhjetor të vitit 1936.

Fotografitë e shkrepura nga shqiptaro-amerikani George Tames në vitet ’30 të shekullit të kaluar e paraqesin presidentin në veturë me qenin e tij, në takime pune a ngjarje të ndryshme.

Në tekst është urimi që kreu ShBA-së i kishte përcjellë Mbretit Ahmet Zogu me rastin e 24-vjetorit të pavarësisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në rastin e festës kombëtare që populli shqiptar celebron sot, dëshiroj t’u dërgoj përshëndetjet e Mija të sinqerta dhe t’u siguroj për estimen t’eme të naltë dhe për urimet e Mija mâ të mira”, shkruhet në përkthimin e telegramit të botuar në gazetën “Drita”. Mbreti i shqiptarëve, asokohe i kishte shkruar presidentit amerikan një telegram nëpërmjet të cilit e falënderonte atë si mik të tijin dhe të kombit shqiptar. Por krejt ndryshe raportonin mediat e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore kur vendi ballkanik po instalonte diktaturën e proletariatit në krye me diktatorin Enver Hoxha. Më nuk kishte shkëmbime urimesh e as raporte normale midis shteteve. Shqipëria i konsideronte Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend imperialist e armik.

Pikërisht raportet midis dy vendeve dalin në pah në ekspozitën “Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet me Shqipërinë” që është hapur të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. E organizuar nga fondacioni “OTTOnomy”, ekspozita nxjerr në pah se fotografi me prejardhje nga Shqipëria e Jugut, George Tames (1919-1994) ka punuar për prestigjiozen “The New York Times” dhe ka qenë fotograf në Shtëpinë e Bardhë ku edhe ka përjetësuar nëpërmjet aparatit momentet e 10 presidentëve amerikanë duke nisur nga Roosevelt e deri tek George Bushi i Vjetër.

Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, mediat shqiptare raportonin për “Amerikën imperialiste”. Në korrik të vitin 1961, John F. Kennedy i ishte drejtuar popullit amerikan me një fjalim pas marrjes së detyrës. E në Shqipëri, gazeta “Bashkimi”, raportonte me tituj si “Demagogjia e Kenedit dhe realiteti”.

Shkruhej se politika e Kennedyt bazohej në demagogji e gënjeshtra. Sipas raportimit, Kennedy në njërën anë fliste për paqen e në anën tjetër tregonte se si amerikanët do të skllavërojnë gjithë botën. Ishte koha kur Shqipëria investonte shumë në propagandë kundër ShBA-së me të gjitha mjetet, që nga mediat e deri te kinematografia. Pothuajse me këtë përmbajtje ishin të gjitha tekstet që botoheshin në të përditshmet shqiptare të shtetit socialist. Krejt këtë kohë deri në vitet ‘90 ekspozita e sjellë me fotografi të presidentëve e faksimile të gazetave shqiptare të kohës.

Në hapjen e saj, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se George Tames, një emër i panjohur deri vonë për opinionin e gjerë shqiptar, është një prej fotografëve të shquar amerikanë me origjinë shqiptare, i cili i siguroi vetes një vend të merituar si fotograf në Shtëpinë e Bardhë gjatë punës së tij për gazetën “New York Times”.

“Ai konsiderohet si fotograf ku mbi 40 vite ka fotografuar njerëzit më të fuqishëm të botës dhe presidentët të Amerikës, që gjatë jetës profesionale i ka mbërritur nga Franklin Roosvelt e deri tek George Bushi i Vjetër”, ka thënë Gajraku. Sipas tij, kjo ekspozitë e fotografive në Prishtinë, e që kishte zgjuar një interesim të madh në Tiranë, jep pamjen e dhjetë presidentëve amerikanë, thjeshtësinë, zgjuarsinë dhe natyrshmërinë e tyre në rrethana të caktuara.

“Momente nga aktivitete e tyre politike, takime publike e zyrtare, marrëdhëniet me të tjerët, ndejat vetjake që mbaheshin fshehtë por që u besonin George Tamesit”, ka thënë Gajraku.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se si qytetare e jo si politikane ka kënaqësinë të jetë e pranishme në këtë ekspozitë. Sipas saj, shqiptarët kanë përjetuar tragjedinë e ndarjes së kombit të tyre dhe që në këto rrethana të reja, janë bërë kthesa të rëndësishme historike.

“Ne e kemi rigjetur njëri-tjetrin këndej dhe andej kufirit, por ende nuk e kemi rinjohur sepse paradokset tona historike na kanë vënë në pozita shtypëse”, ka thënë ajo. Sipas Tahirit, ekspozita krijon ndërlidhje multidimensionale me ShBA-në pasi, pos tjerash, autori i fotografive është një shqiptaro-amerikan, i cili është ngritur në majat e artit të fotografisë dhe sjell presidentët amerikanë në imazhe.

“Ndërsa fati dhe liria jonë lidhen me shtetin amerikan”, ka thënë ajo. Sipas Tahirit, tashmë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar për të punuar për të ardhme të përbashkët me të gjithë popujt që jetojnë brenda dhe jashtë shteteve shqiptare.

Elvis Kazazi, drejtor i Fondacionit që e ka çuar ekspozitën në Tiranë dhe e ka sjellë atë në Prishtinë, ka thënë se është nder i veçantë prania në kryeqytetin e Kosovës me ekspozitën e presidentëve amerikanë. “Fondacioni ynë është një fondacion që dëshiron të punojë brenda konceptit të artit e kulturës dhe kjo ekspozitë është pjesë e kësaj fryme që ne dëshirojmë të përcjellim në Shqipëri, Kosovë e në gjithë rajonin”, ka thënë ai. Kësisoj vizitorët dhe studentët që frekuentojnë ambientet e BKK-së, do të kenë mundësi që të mësojnë më shumë rreth historisë së afrimit dhe largimit midis shtetit shqiptar dhe ShBA-së.