Kulturë

Filarmonia akordohet për një frymë të re në interpretim

Prishtinë, 4 prill - Një gërshetim kulturash midis Lindjes dhe Perëndimit, është baza e koncertit të radhës të Filarmonisë së Kosovës.

Jo fort në aspektin programor, aq sa në përgatitje emocionale. Vetë dirigjenti indonezian, Noorman Widjaja, është përkujdesur për këtë pjesë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ka sjellë një qasje krejt tjetër të punës për orkestrën. U ka mësuar filozofinë e tij balineze të punës.

Ka premtuar se kjo do të përçohet përmes interpretimit të muzikantëve. Një qasje të tillë ai e ka parë si të nevojshme, pikërisht për faktin se programi për këtë koncert ngërthen në vete vepra shumë kërkuese të cilat kërkojnë një standard të lartë interpretimi. Por kjo nuk është risia e vetme e mbrëmjes.

Violinisti virtuoz me famë botërore, Iskandar Widjaja, do të ngjitet në skenë. Ai vjen për herë të parë në Kosovë, falë festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Koncerti i së martës vjen si bashkëpunim i institucionit më të lartë të muzikës serioze në vend me festivalin i cili të premten nisi edicionin e 12-të, dhe sjell nëntë koncerte me muzikantë vendës e ndërkombëtar, njëri prej të cilëve është Iskandar Widjaja. Daja i tij, Noorman, është mysafir i Filarmonisë së Kosovës. Duke qenë se qëllimi i “DAM”-it është promovimi i artistëve të rinj, në këtë koncert, soliste do të jetë pianistja Dea Bajrami, fituese e garës “Pianisti i Ri 2016” që ia ka siguruar asaj të drejtën që të paraqitet me Orkestrën Simfonike të Filarmonisë së Kosovës.

Vepra të Edrvard Grieg, Eduardo Lalo dhe Sergei Rachmaninoff janë në repertorin e këtij koncerti i cili do të zërë vend në Pallatin e Rinisë, por jo në Sallë e Kuqe ku zakonisht mbahen koncerte të tilla. Do të mbahet në sallën përballë, atë që njihet si atelie.

“Dalëngadalë po zhvendosemi nga Salla e Kuqe në sallën përballë saj, për shkaqe kryesisht akustike. Kemi vlerësuar që akustika në atelie është më e mirë, e kjo është vërejtur nga koncerti i mbajtur në mes të muajit mars”, ka thënë të hënën drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në një konferencë për media një ditë para koncertit, ku ka shpalosur edhe programin.

“Pianistja jonë të re, shumë e talentuar, Dea Bajrami, do të interpretojë një vepër të Edvard Griege. Kjo është një vepër e popullarizuar dhe me kërkesa të jashtëzakonshme për çdo pianist. Mund të them se nga provat që patëm, Dea ka treguar një afinitet të jashtëzakonshëm dhe na ka befasuar të gjithëve. Besoj se do të jetë befasi e këndshme edhe për publikun tonë të nderuar”, ka thënë Jashari. Është ndalur edhe te ajo që do të sjellë, mysafiri special, violinisti virtuoz, Iskandar Widjaja.

“Do të interpretojë një vepër shumë të njohur por edhe me kërkesa për solistin. Është ‘Simfonia spanjolle’ e kompozitorit Eduardo Lalo e cila do të luhet në tërësi”, ka thënë Jashari.

Orkestra dhe dy solistët do të marrin urdhrat e dirigjentit nga Indonezia, por që vepron dhe jeton në Gjermani, Noorman Widjaja. Për të është hera e parë që dirigjon Filarmoninë e Kosovës. Koncerti do të përfundojë me një vepër të vështirë, me kërkesa të jashtëzakonshme për çdo orkestër simfonike. Bëhet fjalë për veprën “Vallët simfonike” të Sergei Rachmaninoff.

“Për mua është hera e parë që erdha në shtetin tuaj. Po ndihem shumë i nderuar që jam këtu. Më parë nuk e kam ditur se Kosova ka një orkestër kaq të mirë. Veprat në program janë shumë të vështira, të standardit të lartë, për shembull ajo e Rachmaninoffit”, ka thënë Widjaja... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.