Kulturë

Ambasadori Hysa kujton Mateskin, akademikun e dekoruar për kontribut në marrëdhëniet Kosovë - Maqedoni

Ka ndërruar jetë akademiku Matea Mateski, njëri nga intelektualët më të mëdhenj që ka pasur Maqedonia.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me propozimin dhe përmes Ambasadës së Kosovës në Maqedoni dhe ambasadorit Ylber Hysa, e kishte dekoruar akademikun për kontributin e dhënë në bashkëpunimin me kulturën e Kosovës dhe afrimin e saj me kulturën në Maqedoni.

Ambasadori Hysa e kujton Mateskin si intelektual që kishte rrënjë shqiptare.

“Si ambasador i Kosovës kam pasur mundësi shpeshherë të bisedoj haptazi me të ndjerin Mateski në një shqipe arkaike e dialektore të Rekës, siç thoshte vet ai, por që unë e quaja një shqipe te kulluar me një tingull të veçantë. Mateski më kishte treguar për paraardhësit e tij. Pretendohej që mbiemrin e kishte me origjinë nga Mati”, kujton Hysaj.

Hysaj ka shtuar tutje se Mateksi i tregonte për familjarët e tij që ende i kishte në varrezat në Stamboll, për punën e jetën e tyre komunitare si kurbetxhinj atje.

Ai tutje thotë se me “akademikun Mateski kishin evokuar shumë miqësi e takime me intelektualë shqiptarë dhe kishin shokë të përbashkët poet kosovarë me atin tim të ndjerë, sikurse Ali Podrimën dhe Fahredin Gungën”.

“Ky i fundit, gjatë një ekskursioni në takimet tradicionale poetike të Strugës, i kishte shpëtuar jetën Mateskut me kolegë kur aksidentalisht ishte rrotulluar barka mbi liqe”.

“Matesku ishte krenar me poezinë që ishte përkthyer ne shqipe. Ma kishte dhuruar librin me kënaqësi, më kishte treguar se si shqipja e tij i kishte ndihmuar në disa situata në vende të ndryshme. Kishte mundur të bisedonte me një nga kritikët e njohur të letërsisë nga Dalmacia duke e kombinuar rekanqen e tij me atë të arbneshve të Zarës”, tregon ambasadori Hysa, përcjell Koha.net. “Ndërsa, në një rast tjetër në Itali, në një treg të gjelbër, ku shpesh e kishte zakon të shkonte ‘të shoh njerëz e zakone’, siç më thoshte, me të kuptuar që shitësi fliste me gruan e tij arbërisht, ja kishte kthyer pazarin shitësit në shqipen e tij”, shton Hysa, duke treguar se Mateski ndihej shumë natyrashëm kur i tregonte gjitha këto në bisedimet mes tyre të gjata në katër sy.

“Matesku kishte një qetësi të brendshme imponuese por, njëkohësisht një gjerësi e njohje eurudite. Isha i privilegjuar që e kam njohur dhe që në emër të kosovarëve e albanofonëve munda t’i përcjell një mirënjohje modeste për kontributin e tij jomodest”, thotë ambasadori Hysa. “I qoftë i lehtë dheu e u preftë në qetësi”.

Image