Kulturë

Botohet studimi që tregon pse Kosova e Çamëria u ndanë dhunshëm nga Shqipëria

Descriptive Text

Në Tiranë, historiani Romeo Gurakuqi sapo ka botuar studimin e tij shumëvjeçar “Shqipëria dhe Tokat e Lirueme 1939 - 1946”. Libri bazohet në mijëra dokumente amerikane e britanike, italiane e gjermane, të lëna pas dore nga historiografia komuniste.

Ai përshkruan me detaje Shqipërinë e Luftës së Dytë dhe instalimin e regjimit komunist në Tiranë me ndihmën e komunistëve jugosllavë. Studimi tregon një mori ngjarjesh tragjike që ndodhën në Kosovë e Çamëri, dhe që shkaktuan ndarjen e tyre të dhunshme nga Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Profesor Gurakuqi! Çfarë burimesh keni shfrytëzuar në përgatitjen e këtij studimi mbi Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore?

Romeo Gurakuqi: Kjo është historia institucionale dhe politike e Shqipërisë nga 1939 deri në 1946. Kjo është historia e rezistencës antifashiste, historia e rezistencës së forcave nacionaliste. Në këtë histori ndërthuret Shqipëria në kufijtë e saj etnikë. Nga viti 1941 një pjesë e madhe e trojeve shqiptare u përfshinë brenda shtetit shqiptar. Pra, nuk është vetëm historia e Shqipërisë së vjetër, por është historia e Shqipërisë në kufijtë e saj maksimalë nga viti 1941 deri në fillim të vitit 1945.

Kjo është një përpjekje për ta rishkruar historinë nga fillimi, bazuar në një tërësi dokumentash, që vijnë jo nga një burim i vetëm dhe i përzgjedhur, por vijnë nga arkivat më të rëndësishëm perëndimorë; arkivat britanike, të marra nga fondet e Foreign Office-it, War Office-it, shërbimit inteligjent britanik i pranishëm atë kohë në Shqipëri, nga burimet amerikane të botuara dhe të pabotuara ose jo, nga burimet italiane të ministrisë së punëve të jashtme, dhe të ministrisë së punëve të brendshme, nga dokumenta gjermane, dhe mbi të gjitha janë dokumentat që gjenden në arkivin qendror të shtetit të Republikës së Shqipërisë AQSH, të cilat janë përgjithësisht të paeksploruar nga historianët shqiptarë. Aty kanë qenë, por për arsye të ndryshme, dhe unë mendoj se para të gjithash janë arsyet e censurës, historianët shqiptarë e kanë patur të pamundur të shohin fondin e dokumentave të Mëkëmbësisë së Përgjithshme, fondin e Ministrisë së Punëve të brendshme dhe Divizioneve partizane në fillim të vitit 1945. Të gjitha këto i kam shfrytëzuar në mënyrë të plotë.

Zëri i Amerikës: Cila ishte shtysa juaj kryesore në këtë punë shumëvjeçare?

Romeo Gurakuqi: Jam përpjekur t’u jap zë atyre, të cilëve iu mohua e vërteta për 70 e ca vite në këtë vend. Jam përpjekur me maksimumin e dijeve të mia profesionale të jem i paanshëm në vlerësimin e të gjitha aspekteve: të luftës nacional-çlirimtare, të kolaboracionizmit, të akomodimit, të uzurpimit të pushtetit nga ana e komunistëve, të regjimit të terrorit, që ato vendosën në Shqipëri, të nderimit të heronjve të luftës, rinisë shqiptare, që luftuan mbi bazën e antifashizmit kryesisht për çlirimin e vendit, si edhe të forcave nacionaliste, të cilat deri sot në mënyrë të padrejtë janë konsideruar si forca kolaboracioniste. Në fakt, nga burime të paanshme e të ftohta, rezulton se ato kanë qenë pjesë e aktivitetit antifashist. Një pjesë e veçantë i është kushtuar arsyetimit të elitës politike që pranoi pushtimin dhe përpjekjes së tyre për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej nga Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Çfarë vendi dhe çfarë roli kishte Shqipëria atë kohë në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Romeo Gurakuqi: Libri është një përpjekje e përgjithshme mbi raportet e Shqipërisë së asaj kohe në marrëdhëniet ndërkombëtare nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore deri në fund të saj, si dhe përpjekjet pas saj për të vendosur një rend të ri botëror. Libri është një përpjekje për të trajtuar raportet e posaçme që Mbretëria e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe SHBA patën me parti të ndryshme brenda Shqipërisë në periudhën e luftës dhe në regjimin e Enver Hoxhës. Në një kapitull të veçantë ëhstë trajtuar raporti që regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, që unë e quaj regjimi i terrorit për shkak të terrorit që ushtroi mbi popullit shqiptar, kryesisht të Shqipërisë së veriut, krijoi me dy fuqitë kryesore perëndimore antifashiste; SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Raportet janë trajtuar në mënyrë të vërtetë, të detajuar, të vendosura në një linjë kronologjike dhe bazuar në një teori të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Po me fqinjët e tjerë si ishin marrëdhëniet e Shqipërisë:

Romeo Gurakuqi: Një kujdes i veçantë i është kushtuar çështjes së Epirit të jugut dhe raporteve të shtetit shqiptar të periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj me Mbretërinë e Greqisë dhe me regjimin tranzitor, që u vendos atje pas luftës, mbi të gjitha, çështja çame ka një trajtim tç veçantë bazuar në dokumentat arkivore britanike dhe amerikane.

Zëri i Amerikës: Kuptohet se vendin e zë Kosova, apo jo?

Romeo Gurakuqi: Po. Ndalem gjatë te riintegrimi i Kosovës dhe tokave të tjera të liruara në Shqipëri në 1941 dhe si ndodhi procesi i rishkëputjes së Kosovës dhe rajonave të Shqipërisë lindore dhe veriperëndimore në 1945. Kjo ndodhi për shkak të bashkëpunimit të regjimit të pilotuar komunist shqiptar nga Partia Komuniste Jugosllave, i cili e lëshoi gradualisht këtë pjesë të trojeve shqiptare përsëri në Jugosllavinë e dytë e drejtuar nga PKJ dhe nga një ekip krejt i ri.

Zëri i Amerikës: Cili është përfundimi kryesor për këtë periudhë?

Romeo Gurakuqi: Studimi tregon se çfarë ndodhi praktikisht në këtë periudhë të thyerjes historike. Kështu e kam quajtur këtë periudhë 1939-1946; është një thyerje historike. Shqipëria në vitet 1944-45, Tirana, Durrësi, Shkodra, Berati, Korça, Gjirokastra, Gjakova, Prizreni, që ishin qendra të qytetërimit tonë, ku drejtonin elitat që formuan Shqipërinë dhe kombin shqiptar; të gjitha këto eliminohen brenda këtij harku të shkurtër kohor. Ishte, pra, një periudhë thyerje historike midis Shqipërisë së parë dhe Shqipërisë që krijoi Enver Hoxha. Ky proces vazhdon deri në vitin 1952 dhe Shqipëria pëson një ndryshim rrënjësor; e gjithë jeta qytetare, arsimore, kulturore, komb-formuese, shkollë-formuese, elita drejtuese politike u eliminua. Ato që vijnë në pushtet më 17 nëntor në Tiranë dhe më 29 nëntor në të gjithë Shqipërinë janë një grup i pilotuar nga PKJ, e cila pati në fakt një veprimtari të vendosur për shkatërrimin e gjithë arritjeve pararendëse të elitës shqiptare, të cilën në bllok e cilësuan si “kolaboracioniste dhe tradhtar të kombit”, por në fakt ata ishin komb-formuesit.

Periudha vijuese ishte periudha e shkatërrimit të vlerave arsimre, kulturore, shtetformuese, ekonomisë së tregut, pronës nga regjimi i vendosur në 17 nëntor në kryeqytet dhe 29 nëntor në gjithë Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Bie në sy vëllimi i madh i librit. Sa kohë keni punuar me të?

Romeo Gurakuqi: Kjo është një punë e nisur 9 vite më parë, por duke nisur nga viti 2012 e deri sot është një punë e pandërprerë pa asnjë ditë pushimi, as edhe ditët e festave. Kam punuar intensivisht me orë të tëra, dhe janë dhjetëra e mijëra faqe dokumentacion, i lexuar, i skeduar dhe i studiuar. Janë me qindra faqe literaturë e shkruar enkas ose tangent për Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Kjo është një punë intensive, të cilën e kam konsideruar si një detyrim para së gjithash ndaj atyre që iu mohua e vërteta në mënyrë të padrejtë. Kjo është një vepër, të cilën ia kam kushtuar atyre që nuk u lanë me fol, atyre që iu imponuar një të vërtetë të pilotuar nga diktatori dhe kasta që e ka drejtuar vendin në atë kohë dhe bijtë e tyre, që drejtojnë sot vendin me të njëjtën ashpërsi, me të njëjtën kulturë të dhunimit të Shqipërisë ndryshe dhe të kushteve të pluralizmit.

Zëri i Amerikës: Pra, ju keni zgjedhur të zeroni gjithë historiografinë komuniste dhe të shkruani një histori krejt të re e të panjohur?

Romeo Gurakuqi: Kam shkruar historië mbi bazën e dokumenteve arkivore shqiptare dhe të huaja. Dokumentat ishin në AQSH të pashfrytëzuara aspak nga historianët e kohës së komunizmit. Edhe sikur thjesht të lexohen dokumentet e AQSH të prodhuara nga institucionet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe më vonë të PPSH-së, dokumentat dhe raportet e Divizioneve partizane, kujtimet e liderëve kryesorë të diktaturës, ato do të ishin të mjaftueshme që të gjykohej në mënyrë të paanshme dhe të kuptohej falsifikimi i historiografisë komuniste. Kuptohet qartë se çfarë është thënë është tërësisht e ndryshme nga dokumentat që projektuesit e kësaj qasjeje të shtrembëruar të historisë kanë lënë në arkivin qendror të shtetit.

Mjafton një të përmendet; pleniumi i dytë i komitetit qendror i Beratit nën nëntor 1944. Shihet qartë se qasja e diktuar nga diktatori i ka pozicionuar luftën dhe sjelljet e liderëve komunistë është krejt e ndryshme nga realiteti. Aty ata pranojnë edhe luftën civile edhe regjimin e terrorit edhe intrasigjencën ndaj forcave antifashiste nacionaliste kryesisht në veri, në qebdër e në jug të Shqipërisë. Këtë çast të rrëfimit të krimeve të tyre ata e fshinë fare nga historiografia zyrtare.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se do të pritet ky libër në Kosovë?

Romeo Gurakuqi: Populli i Kosovës do të mësojë se ka patur një periudhë të caktuar të historisë së shqiptarëve në Ballkan kur shteti shqiptar është shtrirë jo në të gjitha trojet etnike, por në kufijtë maksimalë nacionalë që ka arritur ndonjë herë në Ballkan. Pjesa më e madhe e Kosovës, Dibra, Tetova, Struga, Gostivari kanë qenë pjesë e shtetit shqiptar. Shqiptarët e Kosovës do të mësojnë se cili ka qenë kontributi i “kolabotacionistëve” në këndvështrimin e Enver Hoxhës, cili ka qenë kontributi i atyre qeverive në formimin e shkollës shqipe në tokat e lirueme, kur është krijuar elita e parë drejtuese, e cila më pas luajti rol të madh në mbajtjen gjallë të frymës shqptare edhe në periudhat e errëta të okupacionit serb pas Luftës së Dytë Botërore edhe më vonë kur kishte një status në kuadër të federatës jugosllave.

Shqiptarët e Kosovës do të mësojnë rrugën në të cilën Kosova është përfshirë në Shqipëri dhe mënyrën se si Kosova dhe krahina të tjera shqiptare janë rishkëputur nga Shqipëria me një kompromis të heshtur dhe të pamarrë vesh në mënyrë publike midis dy liderëve komunistë Enver Hoxha nga PKSH-ja dhe Josif Tito nga PKJ-ja.

Shqiptarët e Kosovës do të mësojnë se Shaban Polluzha ka qenë një lider nacionalist antifashist. Ai ka luftuar përkrah me forcat partizane kundër okupatorit dhe më pas ka pësuar goditjen e divizioneve jugosllave në bashkëpunimin e heshtur dhe aktiv të dy divizioneve partizane nga Shqipëria divizionit 5 dhe divizionit 6. Drejtuesit e këtyre dy divizioneve kanë raportuar dhe kanë lënë dokumente të padëmtuar në arkivin e shtetit.

Ata do të mësojnë se në fillim të 1945, sidomos pas shtypjes së kryengrijtes së Shaban Polluzhës, në mars deri qershor, djelmënia e Kosovës dhe viseve të tjera të lirueme janë zhbi nga vatrat e tyre, janë marrë deportuar nga mosha 16 vjeç deri në 49 vjeç përmes një rruge që kalonte përmes Prizrenit, Kukës, Qafa e Malit, Fushë-Arrëz, Pukë, Gomsiqe, periferi e Shkodrës, Sukobinë, në drejtim të Tivarit e Dalmacisë dhe u krye masakra e Tivarit mbi ta. Kjo prapë është vetëm një pjesë e vogël e masakrimit dhe shpërbërjes pjesë pjesë e djelmnisë shqiptare të Kosovës. Por populli rezistoi dhe arriti të ketë sot një shtet të pavarur dhe merita kryesore i takon nacionalistëve, të cilët u përçmuan si “kolaboracionistë” pa i pyetur se cila ka qenë qasja e tyre, forca e tyre para fuqive fashiste italiane e naziste gjermane. Ata janë munduar të shpëtojnë çfarë mund të shpëtohej nga Shqipëria në luftë. A ka patur kolaboracionistë që kanë dëmtuar shqiptarët? Po, ka pasur, por ata janë një pjesë fare e vogël dhe krimet e tyre janë minimale në raport me vrasjet që partizanët e komanduar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Nako Spiru, Shefqet Peçi kanë shkaktuar popullit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë. Vrasjet e tyre ndaj shqiptarëve në Shqipërinë e veriut dhe të jugut janë të pamata në raport me dëmtimet që kanë bërë qeveritë kolaboracioniste si gjatë pushtimit italian si edhe instituconet e Shqipërisë neutrale gjatë pushtimit nazist gjerman. Kjo kërkonte një ridimensionim dhe u krye mbi bazën e dokumentave arkivore.

Zëri i Amerikës: A prisni kritika për këtë libër?

Romeo Gurakuqi: Shoqëria shqiptare është mësuar vetëm me një qasje. Për fat të mirë, disa historianë shqiptarë para meje dhe historianë perëndimorë kanë shkruar për këtë periudhë dhe përfundimet e tyre nuk janë të ndryshme nga të miat nga Bernd Fisher, Rodrik Bejli si dhe vëzhgues të tjerë të paanshëm të situatës në Shqipëri.

Unë e kam shkruar studimin krejt ftohtë dhe me qëndrim të paanshëm, për t’i thënë të vërtetat deri në fund, pavarësisht se kë mund të prekin. Shumëkush do të mbetet i pakënaqur nga thyerja e tabuve, por unë në raport me ndërgjegjen time profesionale dhe me interesat publike dhe interesat e brezit të ri, i cili edhe sot e kësaj dite indoktrinohet sa herë që ka një festë, në vend që t’i thuhet e vërteta, injektohet me gënjeshtra nga të majtët sa herë që vijnë në pushtet, që janë intransigjent ndaj njohjes së të vërtetës dhe heqjes së tabuve; pra ky është një detyrim që unë ia kam plotësuar brezit të ri dhe kam bërë një shkrim të saktë dhe të vërtetë të qëndrimit të gjithë elitës shqiptare, që themeloi shtetin shqiptar, që shpalli pavarësinë, ndërtoi institucionet dhe i dha zë Shqipërisë në periudhën e Shqipërisë së parë dhe të dytë, duke quajtur Shqipëri të tretë atë që krijoi Enver Hoxha, edhe asaj elite i kam dhënë vendin e duhur në meritat komb-formuese.