Kulturë

“Shtëpia e Kulturës në Obiliq po ndërtohet më shpejt se ç’është paraparë”

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, inspektuan punimet në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Obiliq, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Me këtë rast, kryetari Gashi falënderoi ministrin Shala për angazhimin e tij në ndërtimin e kësaj ndërtese të re moderne, nga e cila, të gjithë artistët e Komunës së Obiliqit do të kenë mundësi ta shprehin talentin e tyre.

“Planin dinamik e kanë për një vit, por siç po shihet kjo ka gjasë që të përmbyllet edhe më herët por prapë po e them kjo është meritë duke filluar nga Ministria e Kulturës dhe në këtë rast ministri Shala që vazhdimisht ka qenë i përkushtuar dhe i angazhuar që të zhvillohet ky aktivitet sa më shpejtë që është e mundur”, tha kryetari Gashi.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala tha se është mjaft i kënaqur me dinamikën e punimeve që po bëhen në ndërtimin Shtëpisë së Kulturës në Obiliq.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi mundësi të ndihmojmë Komunën e Obiliqit që më në fund të ketë një objekt modern i cili do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve të Obiliqit”, tha ai.

Ky projekt është bashkëfinancim i Komunës së Obiliqit dhe MKRS-së dhe kap koston 810 mijë euro.