Kulturë

Akua Naru me zërin e saj i bashkon njerëzit kundër padrejtësive

Prishtinë, 1 qershor - Në kohën e muzikës komerciale, konsumerizmit, botës e cila më shumë se kurrë ka nevojë për paqe, një muzikante si Akua Naru për pak minuta duket si shpëtim. Ani pse veten e prezanton si të turpshme, ajo e hap zemrën dhe jep gjithçka në skenë.

Këtë e bën me zërin e saj hipnotik kur këndon poezitë që vijnë si gërshetim i mrekullueshëm me muzikë jazz. Flet me shumë pasion për jetën, lumturinë e dashurinë, ndërsa anën tjetër të saj e vë në pah përmes hip-hopit. Bashkë me lëvizjet në skenë dhe ndryshimin e intonacionit ajo bën thirrje për barazi gjinore, motivon publikun që të mos dorëzohen para asnjë pengese. Sfidon politikën, paragjykimet, diskriminimin e gjithçka tjetër negative, shkruan sot Koha Ditore.

Muzika dhe performanca e këngëtares amerikane, e cila jeton në Gjermani, tashmë janë dëshmi e trashëgimi të muzikës soul dhe traditës së artisteve gra që eksplorojnë rrugë të reja të kreativitetit. Naru erdhi për herë të parë në Prishtinë të mërkurën, në kuadër të festivalit “FemArt”, që për gjashtë ditë nëpërmjet shfaqjeve, debateve, koncerteve përcolli porositë për të cilat edhe është themeluar: fuqizimin e rolit të gruas. Sivjet, “Ti udhëheq” ishte motoja.

Naru në skenë u ngjit bashkë me bendin e saj, me Christain Nink në bateri, Alexander Ronez në bas, Julian Ritter në saksofon alt dhe Dany Lavital në sint. Muzika e Akua Narusë është një gërshetim interesant mes muzikës hip-hop me jazz. Mesazhet e saj janë të fuqishme. Ajo arrin që të krijojë lidhje të madhe me publikun.

“Kur sfida vjen përpara a dorëzohesh apo ecën përpara”, pyet ajo. Më pas flet për krenarinë dhe arritjet e saj, për kapjen e ëndrrave dhe për ardhjen në një vend që kurrë në jetë nuk do ta kishte imagjinuar. Krejt anën shpirtërore e zbraz në skenë. E mëkat që skena e zërimi i ndërhynë goxha që magjia të përçohej ashtu siç do të duhej. Skena zuri vend në sallën përballë Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë. Altoparlantët ishin të vendosur vetëm te skena, dhe muzika e fjalët e saj kuptoheshin qartë vetëm nga afër (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).