Kulturë

Muzika korale përplas kulturat në skenën e “DAM Festit”

Skena e improvizuar në hapësirat e një shtypshkronje u shndërrua në arenë ku u “përplasën” kultura të ndryshme, shkruan sot Koha Ditore.

E gjitha u realizua nëpërmjet interpretimit koral. Mbrëmja e dytë e festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM Fest” është ajo që organizatorët e kanë quajtur “Përplasje 2” dhe është vazhdim i serisë që kishte nisur vitin e kaluar. Muzika korale që u prezantua në natën e dytë të festivalit, të mbajtur në ambiente të ish-shtypshkronjës “Rilindja”, i shkoi mirë përshtati titullit të kësaj serie.

Dy kore e tre dirigjentë u ngjitën në skenë për ta përmbyllur një rrugëtim muzikor që zgjati rreth dy orë. Të dyja koret u prezantuan në interpretime unike. “Simbioza” një ansambël vokal, i cili paraqitet në formën e një projekti multietnik, multikulturor e arsimor, ishte mysafir nga Maqedonia. E në pjesën e dytë të koncertit, para audiencës në kryeqytet debutoi kori i formuar rishtas, “Siparantum”, nga Peja, i dirigjuar nga Memli Kelmendi, me mysafir special nga Kroacia – dirigjentin e kompozitorin eminent Josip Delg’Ivellio.

“Simbioza”, nën dirigjimin e Behar Veselit, i cili edhe ka iniciuar ansamblin bashkë me pedagorun maqedonas Damjan Temkov, interpretoi shtatë pika muzikore – secila prej tyre gërshetim i dy këngëve në gjuhë të ndryshme. Dy prej atyre që Veseli i prezantoi si simbiozë para audiencës, ishin këngë shqipe të përziera me këngë tradicionale maqedonase.

Ky kor interpretoi edhe në kinezisht, japonisht, gjermanisht, rusisht, turqisht, greqisht, anglisht e spanjisht. Solli edhe këngë nga Lindja e Mesme – izraelite e palestineze, duke realizuar kështu misionin e vet që nëpërmjet bashkimit të gjuhëve e melodive të ndryshme, të sjellë një shembull edukativ me tendenca për bashkëjetesë, bashkësi, tolerancë e nxitje për pranimin e konceptit multietnike...(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.