Kulturë

Dyshja Çeku-Bouchkov në lojë virtuoze për harmoni perfekte

Kur energjia pozitive gërshetohet me virtuozitetin dhe ndjeshmërinë, rezultati nuk ka se si të mos jetë pozitiv.

Sidomos kur në skenë bëhen bashkë dy muzikantë siç janë kitaristi i njohur kosovar Petrit Çeku dhe violinisti i njohur belg, Marc Bouchkov, shkruan sot “Koha Ditore”. E ndanë skenën në Prishtinë. Hapën edicionin e 17-të të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”.

Në një program me vepra të kompozitorëve të ndryshëm që kërkojnë lojën me virtuozitet, ndjenjë e pasion, shpalosën artistllëk të plotë. Mbrëmjen e nisën me “Cantabile”, nga Niccolò Paganini, e cila përshkruhet si shembull perfekt i veprës së ndarë në tri pjesë.

Në këtë udhëtim melodik, dyshja virtuoze shëtitën publikun që mbushi përplot sallën e Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Numri i madh i të pranishmëve, një pjesë e të cilëve u detyruan të uleshin në tokë e të tjerë të qëndrojnë në këmbë, e bëri hapësirën të duket edhe më intime. Kjo shkonte mjaft mirë me reflektorët e kuq që ishin vendosur në skenë, duke sjellë edhe më energji në skenë. Ani pse nxehtësia në këtë hapësirë bëhej e padurueshme, ishin tingujt e sjellë me emocion ata që i dhanë kuptim mbrëmjes.

Me këtë mbrëmje muzikore me shumë emocion nisi mbarë edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”, i cili do të zgjasë deri më datën 2 qershor... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)