Rrënohet një pjesë e Qendrës së Kulturës në Vushtrri, arsyetohet kryetari i Komunës

Rrënohet një pjesë e Qendrës së Kulturës në Vushtrri, arsyetohet kryetari i Komunës

26 maj 2018 19:12

Një pjesë e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri sot është rrënuar, derisa kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri është arsyetuar se projektin e kishte gjetur në tavolinë pasi ishte zgjedhur në postin e të parit të komunës.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, edhe pse ishte kundër rrënimit, është arsyetuar se procedurat dhe projekti kanë qenë të përfunduara shumë kohë më parë dhe se prokurimi afër 1 milion eurosh është filluar dhe përfunduar gjatë procesit zgjedhor për këtë komunë.

“Personalisht unë por edhe i gjithë koalicioni qeverisës kemi qenë kundër projektit për rrënim të pjesshëm të shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina”. Por, kur kam dhënë betimin si kryetar i Komunës në tavolinë të punës kam gjetur të gatshme për nënshkrim kontratën për objektin e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina’”, ka shkruar Tahiri.

“Procedurat dhe i gjithë projekti natyrisht kanë qenë të përfunduara shumë kohë më parë. Por quditrisht krejt prokurimi afer 1 milionësh është filluar e është përfunduar gjatë procesit zgjedhor, ndërsa tërë procesi ka përfunduar vetëm 4 ditë para se ne të marrim detyrën. Për këtë e kam njoftuar edhe Kuvendin e Komunës në vazhdimësi.Jam konsultuar me shumë ekspert të prokurimit për atë se si të dilet nga kjo situatë dhe a mund te rishikohet projekti. Përgjigja ka qenë e prerë, JO”, ka shkruar ai.
“Kam kërkuar nga Ministria e Kulturës rikonfimim me shkrim se a i qëndrojnë prapa projektit dhe atë rikonfirmim e kam marrë ne dy raste. Kam mbajtur takim edhe me shoqërinë civile të qytetit ku i kam njoftuar me situatën”.

I pari i komunës ka thënë se do të rindërtohet pjese e përparme e Qendrës së Kulturës dhe sipas tij, salla e saj do të mbetet e paprekur.
“Tani ajo që na mbetet,e qe ne e marrim për zotim është që në fasadën e jashtme të kemi të pakten elementet bazë të trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë e që janë guri dhe tullat”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme