Kulturë

Joseph Roth më 1927: Ballo në Tiranë me anglezë të veshur me smoking

Si mund të ishte një ballo në Tiranë me britanikë të veshur me smoking? Ndërsa tirrej mishmashi i luftës, gazetari austriak, Joseph Roth vinte re bujqit shqiptarë që punonin në fusha, tregtarët që shisnin opingat, kovaçi bënte gjymat e samarxhiu qepte shalën – teksa mëngjes për mëngjes marshonin rekrutët.

Thotë se në Tiranë ka bile edhe klub tenisi, ku hyjnë e dalin të gjithë ata që zotërojnë një furçë dhëmbësh apo raketë tenisi. Temë e pëlqyeshme për thashetheme është një kapter shqiptar me origjinë austriake dhe karakter aventurieri, por që shihet si hero kombëtar. Flet për një mikeshë austriake të presidentit (Zog) dhe tregon se adjutanti i motrës së presidentit ia ndaloi një nëpunësi të ri shqiptar të vallëzonte me princeshën…

Duket sikur në një farë mënyre hidhet dritë mbi sekretet e jetës së elitës në Tiranën e fundit të viteve 1920.

Janë të gjitha, shënime të Joseph Roth mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, transmeton Gazeta Shqiptare. Mes teksteve të tij janë përzgjedhur pjesë nga artikujt e botuar në fletët e gazetës së njohur “Frankfurter Zeitung”, për të cilën autori punonte si korrespondent në vitin 1927. Tekstet janë sjellë në shqip nga shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur Lindita Arapi. Në ballinën e kartolinës letrare, Joseph Roth paraqitet i veshur me kostum shqiptar. Tekstet që publikohen përshkruajnë tipare, sjellje dhe tradita të shqiptarëve, shoqëruar me qëndrime dhe komente të autorit. Kartolina e tretë letrare pason publikimin e ballinës së revistës “Fryma”, 1944, ku u botua një poezi e Rainer Maria Rilke-s dhe që vijoi me nobelisten austriake Elfriede Jelinek (2004).

POETEKA hedh kështu në qarkullim edicionin e tretë të programit “Poetry Card – Nga Austria me dashuri”. Edicioni vijon me shkrimtarin dhe gazetarin e shquar austriak, Joseph Roth. Kartolina letrare hidhet në qarkullim në kujtim të përvjetorit të vdekjes së Joseph Roth, 27 Maj 1939. “PoetryCard” është një cikël veprimtarish që zhvillohen në kuadrin e vitit kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë, që kanë nisur në mars e vijojnë deri në fund të vitit.

Rrëfimet e Roth

Diplomatët kanë misionin të tregojnë se punojnë për interesat e vendeve të tyre. Por në të vërtetë, i shohin gjërat nga sipër – si mizat mbi mbulesën e djathit, gumëzhijnë në automobilat e shtetit andej këndej, vizitojnë njëri-tjetrin, përgjojnë njëri-tjetrin, konsultohen e bëjnë mizën elefant, e kodojnë dhe e nisin me telegram në vendlindje. Pastaj çfarë ndodh? Pastaj tensionohet një çikëz situata. Si pasojë, vetëm pakëz, shtetet fillojnë armatimin. Gazetari rend për në zyrën e postës. Dëgjon një taty-tata. Ishte boria e një prej të dërguarve evropianë. Ky i dërguar i posaçëm është zjarrfikës për gazetën. Dhe gazeta në të vërtetë përgjon diplomatin. Anasjelltas, diplomati i beson gazetës. Çfarë keni dëgjuar ju? Ka banda në Shkodër? A ia thatë këtë atasheut ushtarak? Pse nuk e dini akoma? Selaniku? Sazani? Kryqe në bregdet të mos futen tanket? Hidroplan?!

Ndërkohë që tirret ky mishmash, bujqit shqiptarë punojnë në fusha, tregtarët shesin opingat, kovaçi bën gjymat, samarxhiu qep shalën. Mëngjes për mëngjes marshojnë rekrutët, dëgjohen daullet dhe boria e zgjimit për të filluar përgjunja. Dikur të vrasin. Kush? Italianët? Jugosllavët? – Lufta është luftë.

Karakterin ekzotik të tokës shqiptare e kupton qysh në vështrimin e parë nga mënyra e veçantë e jetesës së evropianëve të civilizuar që jetojnë këtu. Kjo racë e çuditshme, zakonet dhe traditat e së cilës akoma nuk janë lëvruar tërësisht dhe pjesëtarët e së cilës e urrejnë në vendlindjen e tyre komfortabël njëri-tjetrin, duket se në dheun e huaj, të egër, zbulojnë tek vetja një zemër tjetër, një botëkuptim të ri dhe për përdorim nxjerrin një karakter tjetër. Menjëherë sapo mbërrijnë në një vend me WC pa shpëlarje, nxjerrin nga valixhet e tyre një buzëqeshje të re fringo e të papërdorur për ta shkëmbyer këtë me po një buzëqeshje të tillë, të re, të miqve të civilizuar, me të cilët u ra fati i përbashkët të jenë në këtë vend. Madje në zona veçanërisht të shkreta, ndodh nganjëherë që një sinjorinë e vërtetë të vallëzojë me ndonjë përfaqësues tregtar në klubin evropian, vetëm e vetëm që të hidhen edhe vendësit. Në Shqipëri arrita në përfundimin se që të gjithë, evropianë apo amerikanë, në thelb nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Kujtime të përbashkëta si roja i ashensorit, tufa e transaksioneve ngjiten si stuko me gradën më të lartë të patundshmërisë, akoma më shumë kur ia beh gramafoni dhe çiftet shkrihen në dans.

Diplomatët, që në të vërtetë janë armiq me njëri-tjetrin, këtu luftojnë në një front mushkonjat, malarien si dhe vendësit, të cilëve ata vetë duan t’u sjellin kulturën e qytetërimit. Të gjithë konkurrentët që janë mbledhur këtu për thelat thatime dhe pa zot, marshojnë të bashkuar, por përfitojnë ndarazi. Bile edhe gazetarët i mërmërisin njëri-tjetrit, pa zili, lajme të gënjeshtërta nga burime autentike. Herët në mëngjes mund të të qëllojë të ndeshesh me atasheun ushtarak të aksh vendi, i cili përshëndet një berber, sepse pikërisht ky është në zonën e sigurisë së këtij atasheu. Të dërguarit evropianë shkëmbejnë kartëvizitat me aksh persona të paemër. Para selive të evropianëve nuk ka më portier të pasjellshëm, por asqer, që të dekurajon. Aty ku në Evropë të pret një sekretar, këtu të pret terxhumani me buzëqeshje të gatshme. Zotërinj të sërës janë madje gati të ndajnë një krevat, vetëm e vetëm t’u ikin pleshtave. Vëllazërimi është kaq i madh, tamam si një orë para fundit të botës. Kjo racë e të civilizuarve këtu ia ka frikën vullkanit, mbi të cilin të gjithë vallëzojnë çarlestonin!

Disa vendalinj ia kanë dalë të futen në elitën e perëndive të huaja. Në Tiranë ka bile edhe klub tenisi, në të cilin hyjnë e dalin të gjithë ata që zotërojnë një furçë dhëmbësh apo raketë tenisi. Temë e pëlqyeshme për thashetheme është një kapter shqiptar me origjinë austriake dhe karakter aventurieri, por që shihet si hero kombëtar.

Nëpunësit shqiptarë madje guxojnë të luajnë një set me gra autentike të oficerëve anglezë. Ndërsa një drejtor gjerman luan poker me nënkonsullin e një shteti ballkanik. Amerikanët janë miqësorë edhe karshi bullgarëve, pasi në Sofje eksportojnë sfungjer, Tiranës akoma nuk i ka ardhur radha. Thuhet se disa ministra janë të gatshëm t’i japin dorën edhe kujdestares së fëmijëve po qe se ajo është duke shëtitur me një pasardhës evropian.

Herë pas here organizohen në Tiranë edhe ballo. Anglezët, të cilët i dallon menjëherë nga kostumi i ditës, vijnë në këto mbrëmje me smoking. Në një nga këto darka ndodhi që të bisedojë me mua gjysmë ore një dynjabredhës feudal, që në të vërtetë e përçmon shtypin dhe sidomos çdo lloj letre pa emblemë – dhe për këtë si përgjigje nga ana ime mori vetëm heshtjen! Aty u dendëm me uiski-soda, e nxjerrë nga një gardist rus, që administron lokalin e këtushëm derisa të ngrihet cari. U dendëm edhe duke u marrë me thashetheme. Ekziston edhe molloisja tiranase – perënditë e huaja as nuk e vënë re sa tokësore janë.

Kështu, mora vesh që mikesha bukuroshe e presidentit është vjeneze nga lagja e ‘Ottakringut’. Ajo, Franzi? Iku me ‘Fiat’. Po kur? Pasdite! Në cilën orë? Në orën katër e njëzetë! Çfarë kishte veshur? Ou, kishte një kapele të re! Çfarë lloj kapeleje? Të kuqe!- E morët vesh që Majori X., adjutanti i motrës së presidentit, ia ndaloi një nëpunësi të ri shqiptar të vallëzonte me princeshën. Megjithatë, nëpunësi i ri vallëzoi! Dhe përfundoi në arrest. Tri ditë plot qëndroi në burgun e Tiranës. Barbarizëm! Ankohen perënditë. Harrojnë që në Bavari ndenjën në burg shkrimtarë me vite, madje pa i këshilluar ndonjëherë ndonjë adjutant. Në Amerikë bojkotohet Çaplini pasi ka puthur gruan e tij jo vetëm në buzë. Në Francë jetonte dikur një i ashtuquajtur Drejfus. Në Itali pinë në gjendje të mirë shëndetësore vaj recini.

Po pse bëjnë kaq shumë zhurmë për ndodhitë në Shqipëri – epo ky në fund të fundit, vend barbarësh është! (Frankfurter Zeitung, 7.7.1927)

***

E parë nga Berlini, hakmarrja duket më interesante. Veçse në vendlindjen e saj, ajo shoqërohet nga pisllëku, tartabiqët, net pa drita, fenerë të thyer vajguri, merimanga të dhjamosura, shpërthime malarieje, çaj i turbullt si prej algash; ajo është kthyer në një gjendje të zakonshme dhe të vetëkuptueshme. Në kushte të tilla, unë jam më pak i ndjeshëm karshi bukurive të natyrës, jo me optimizmin e lindur të turistit. Më së shumti, regjistroj: ditë të qeta blu prej një thjeshtësie fisnike, të përmbushura nga një diell i mirë, i cili djeg madje edhe vetë hijen dhe ndjehet në çdo çarje shkëmbi, aty-këtu fluturojnë zogjtë (që këtu janë të rrallë, pasi njerëzit në këtë vend qëllojnë zellshëm) në ajër dhe nëpër degë. Shoh pyje me një qetësi, thellësi, pafundshmëri dhe përhumbje pambarim. Aty-këtu duket një grumbull kullash, pa dritare, gjithandej të izoluara, si kube shurdhmemece prej guri, të rënda, enigmatike dhe tragjike, të mbarsura me fate njerëzish dhe me mallkim të mistershëm.

Në secilën nga këto shtëpi të ujdisura në mënyrë që gjakmarrësi të gjejë strehë, i përndjekuri skutë dhe një fis i tërë siguri, rri pezull magjia ogurzezë, së cilës unë preferoj të mos i avitem. Pa lejen e zotit të shtëpisë, nuk është e lejueshme të shkelësh as pragun e derës më të varfër. Të ftoi i zoti i shtëpisë brenda, atëherë je mik e shkuar miku dhe ai rrezikon edhe kokën për ty.

Mikpritja! Ky zakon i mirë të kujton kohën fisnike të njerëzimit. Sigurisht, mikpritja e arsyeton mirë veten bazuar në pikëpamjen egoiste të këtyre njerëzve, që në vend të zgjedhin gjyqin, pranojnë gjakmarrjen për të vendosur të drejtën e tyre. Dhe është e qartë që kush përndiqet, ka nevojë për strehë, e në fund të fundit, gjithkujt i qëllon të përndiqet njëherë në jetë. Por megjithatë, po të jesh në mënyrë konsekuente skeptik – atëherë vjen kollaj në përfundimin se një polici e përgatitur është disa herë më mirë se sa mikpritja.

U lutem shqiptarëve dhe të tjerëve të mos më zemërohen, pse nuk jam aq i aftë ta vlerësoj këtë lloj konservatorizmi joproduktiv!

Shqiptarët kanë – përveç mjaft cilësive që unë i nderoj – edhe një karakteristikë të çuditshme. Ata janë kaq shumë të preokupuar të ruajnë ca zakone të shkuara dhe të mbesin të patundur në shqiptarinë e tyre, duke mbetur jashtë botës së qytetëruar dhe sikur të mos mjaftojë kjo, përkujdesen me kaq zell për fisin, duke mos ndërtuar kështu kombin. Ata shqiptarë që jetojnë jashtë izolohen me vetëdëshirë, martohen vetëm me vendëse dhe nuk ia kanë besën rrethit ku jetojnë. Deri në Amerikë mbesin shqiptarë, flasin shqip me njëri-tjetrin – pas disa dhjetëra vjetësh rikthehen, po përse? – Që të mbajnë në vendlindje gjerdanin me fishekë?!

Ashtu si popuj të tjerë të vegjël, edhe shqiptarët ruajnë atë lloj besnikërie ndaj atdheut, që në të vërtetë e çon kombin drejt shuarjes dhe kulturën kombëtare e lë të varfër.

Ndoshta kjo mund të jetë arsyeja që gjuha shqipe sot nuk ka akoma një fjalë specifike për “Liebe” – dashurinë – asnjë përshtatje për “Seele” – frymë – nuk ka fjalë specifike për “Gott” – Zotin. Vetë letërsia shqipe, megjithëse sot është disi më e pasur dhe për së paku mundet të pasqyrojë jetën aktuale shqiptare, prapë është kaq e thjeshtë si këngët e para të njerëzimit, e mbetur madje pas zhvillimeve të këtij vendi të ngadalshëm. Temat e saj janë konflikte bukolike familjare (Frankfurter Zeitung, 30.7.1927- Përktheu Lindita Arapi).

Image

Image