“Azem Shkreli” e shndërron Pejën në pikëtakim letrarësh

“Azem Shkreli” e shndërron Pejën në pikëtakim letrarësh

24 maj 2018 12:02

Pejë - Nën qiellin e hapur në parkun e qytetit “Ibrahim Rugova”, të mërkurën, ka nisur edicioni i 16-të i takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, që ka bërë bashkë autorë nga vende të ndryshme të rajonit e të botës.

Ky manifestim letrar dyditor, që në këtë edicion i kushtohet heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është organizuar nga Ministria e Kulturës, Komuna e Pejës dhe nën mbikëqyrjen e kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, por i cili nuk ishte i pranishëm në hapjen e këtyre takimeve. Hapjen e bëri drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Engelbert Zefaj, që uroi pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme të botës, si nga Shqiperia, ShBA-ja, Gjermania, Ukraina, Azerbajxhani, Turqia, Hungaria, Kroacia... që kanë ardhur për herë të parë në këtë qytet.

Në ceremoninë e hapjes së këtyre takimeve, në të cilat poezitë e veta i lexuan 15 poetë vendorë e të huaj, e në mesin e tyre edhe poet të rinj, u bë edhe ndarja e çmimit “Bulëzat”, që u jepet krijuesve të rinj. Këtë çmim e fitoi pejania 11-vjeçare Leonisa Ahmeti, nxënëse e shkollës fillore “Smajl Hajdaraj” në Pejë. Në orët e pasdites janë organizuare dhe dy tribuna letrare. Njëra me tematikën “Kulti i fjalës në poezinë e Azem Shkrelit”, që u ligjërua nga Dabahajdin Cena. Kurse në tribunën tjetër me tematikën “Roli i poetëve dhe shkrimtarëve në shtetndërtim”, që e mbajti studiuesi Ndue Ukaj, me poezitë e veta janë prezantuar 15 poetë, në mesin e të cilëve Nikollë Lokaj, Fatmire Duraku, Qazim Muska, Zhaneta Barzhaj, Erina Coku, Labinot Berisha, Marigonë Kelmendi... derisa jashtë konkurrencës për çmime në këto takime u paraqitën Esat Loshaj, Rrustem Gërguri dhe Shaqir Foniqi.

Në ditën e dytë të takimeve, ku përveç manifestimit qendror në të cilin do të ndahet çmimi kryesor i këtyre takimeve, “Azem Shkreli”, do të mbahet edhe takimi poetik me poezi dedikuar Skënderbeut. Meqenëse ky edicion i takimeve letrare “Azem Shkreli” i kushtohet Skënderbeut, në Galerinë e Arteve në Pejë në ditën e dytë të takimeve do të hapet edhe ekspozita me motive nga historia e Skënderbeut, në të cilën do të lexohet edhe një kumtesë nga Mira Tuci. Përveç çmimit kryesor, në këto takime do të ndahet edhe çmimi ndërkombëtar “Lirika e Azem Shkrelit”, çmimi për poezi më të mirë. Kurse vetëm për këtë edicion do të ndahen edhe çmimet “Skënderbeu’’ dhe “Pavarësia’’.

 

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme