Kulturë

Vera Bekteshi: Të shkruash kundër harresës

Descriptive Text

E ftuar në Shkollën Pranverore të Lidershipit, organizuar nga UET me gjimnazistë të rrjetit të ekselencës, Vera Bekteshi zbuloi detaje nga libri i saj më i ri, konkurrent për edicionin e këtij viti të çmimit “Kadare”. Shkrimtarja tha se në këtë libër nuk është ndalur vetëm te historia e vuajtjeve të familjes së saj në diktaturë, por ka përfshirë edhe histori të tjera, duke thënë se në mënyrë simbolike i ka shtuar edhe një kat tjetër vilës

Në farishten e duhanit, në fshatin ku e patën internuar e detyruar me punë të rëndë fizike tek përpiqej të shpëtonte lehet e duhanit nga përmbytje me ujin e kanalit që shpërtheu beftë në zhegun e vapës ku ajo bënte rojë, sepse gratë e tjera ishin shkëputur për të ngrënë drekë, do të shihte sesi një hardhucë e vogël përpëlitej në ujë për mbijetesë. “M’u duk sikur ngriti sytë dhe më tha: “A nuk ke solidaritet me mua që jam bishtprerë? Ashtu si unë je dhe ti, pa bisht, pa mbrojtje”. M’u duk se tha: “Më ndihmo!” i vura një shkop, u ngrit, doli në leh, e gjeti folenë dhe pastaj gjatë gjithë verës u rrit dhe vinte më takonte përditë. Njëherë iu afrova dhe i thashë: “Një ditë do të shkruaj për të gjitha këto!”.

Ky episod rrëfen shkrimtarja Vera Bekteshi, i erdhi ndërmend tani vonë, teksa u ul të shkruante romanin e saj të fundit, me të cilin konkurron në edicionin e këtij viti të çmimit “Kadare”.

Hollësi nga libri i saj më i fundit, Bekteshi i ka ndarë me gjimnazistë të rrjetit të ekselencës gjatë aktivitetit “Shkolla Pranverore të Lidershipit”, organizuar gjatë fundjavës në bregdetin e Dhërmiut, nga Universiteti Europian i Tiranës.

Ajo ndau me të rinjtë përvojën e jetës së saj dhe duke njohur një Shqipëri të të dy epokave- asaj diktatoriale ku ajo vuajti në internim dhe asaj pluraliste pas rrëzimit të diktaturës – ajo ndau edhe disa tipare të liderit dhe lidershipit në përgjithësi.

“Për mua takimet me rininë janë nga gjërat më interesante të eksperiencës si shkrimtare. Edhe unë si ju kam qenë ndër të parat në shkollë. Por në letërsi kam kaluar nga shkenca. Unë kam mbaruar Fizikë Speciale dhe kam qenë në grupin e parë të fizikanëve bërthamorë, që quheshin në atë kohë. Punova gjashtë vite dhe më pas u internova. 28 vjeçe unë jam internuar”.

Duke zbuluar detaje të tjera nga libri i saj më i ri, Bekteshi u ndal pikërisht te nata e parë e internimit.

“Thuhej atëherë dhe është përgjithësisht e vërtetë, një shprehje popullore se “qeveria e kap lepurin me qerre”. Në fillim të bënin mbledhjet ku të depersonalizonin dhe të përjashtonin nga partia. Për fatin tim të mirë nuk kisha qenë pjesë e partisë se edhe nuk më pranonin se kisha ca shfaqje jo konform rregullave të Socializmit”, – tha ajo, ndërsa u tregoi të rinjve që nuk e kanë përjetuar regjimin diktatorial sesi e detyruan të ndahej nga bashkëshorti.

“Ndarjet politike njihen vetëm në Shqipëri, nuk ka pasur të tilla në asnjë vend në Lindjen Komuniste, dhe kur flas me të huaj nuk e kuptojnë ç’do të thotë ndarje politike”.

Ajo kujtoi kohën kur e dërguan nga Tirana drejt Beratit, në pritje të përfundonin shtëpitë për të internuarit në fshat dhe mënyrën demonstrative sesi dërgoheshin të internuarit, si një mesazh frike për gjithë ata sy që vështronin sesi poshtëroheshin qeniet njerëzore nga diktatura.

“Nata e parë në internim. Kisha motrën dhe djalin. Ata i zuri gjumi se ishte ditë e lodhshme me ngarkesë dhe transport plaçkash. Mua nuk më zinte.

Mendoja me vete: “Kjo është jeta që e kisha ëndërruar dhe ndërtuar ditë pas dite?”. Kisha mbaruar gjimnazin shkëlqyeshëm me çmime në olimpiada, Fizikën Speciale, pata nisur doktoraturën qysh atëherë, kisha një vepër që mori çmim Republike bashkë me autorë të tjerë… Atje vendosa dhe thashë: “Do i përbuz të gjitha kujtimet e së kaluarës, sepse po të jetoj me kujtimet nuk do e përballoj dot këtë jetë të re që më është vënë përpara!”- kujtoi Bekteshi, ndërsa shtoi se e dinte se ç’jetë e priste pas asaj nate të parë në internim.

“Internimi nuk ishte vetëm të merrje kazmën dhe të punoje në arë, të paraqiteshe tri herë në ditë dhe do të haje ato bishtdilat që të jepnin. Nuk e merrni me mend çfarë varfërie ishte në kooperativat e Shqipërisë në kohën e Tufëzimit dhe ne na çuan në kooperativat më të varfra. Por i thashë vetes: “Do e përballoj njësoj si të merrem me punë shkencore”. Nga internimi kam fituar shkollën e madhe që e dalloj menjëherë të keqen dhe i largohem. E kam nga internimi, jo nga vetja dhe nuk trembem. Kam parë aq qamete, sa…!!!

Ajo u tha të rinjve se nëse nuk do të kishte rënë sistemi diktatorial, me siguri do të do të kisha vdekur atje në fshatin ku jetoi për 16 vjet e internuar.

Nga internimi doli në moshën 44-vjeçare, ndërsa mundohej të kapte jetën aty ku e kishte shkëputur vite më parë dhe iu rikthye punës në shkencë si fizikane. “Bëra doktoratën dhe pa dalë akoma në pension fillova të shkruaj. Kisha një ngarkesë shumë të madhe për të thënë gjërat që kisha kaluar unë, familja ime dhe familje të tjera” – tha shkrimtarja, ndërsa zbuloi se në librin e ri, i cili është sërish konkurrent për çmimin “Kadare” këtë vit, çmim që akordohet nga Instituti Europian Pashko, Bekteshi, ka trajtuar edhe historitë e familjeve të tjera. “Pra i është shtuar edhe një kat vilës, ashtu si them në hyrje të librit”.

Bekteshi e nisi rrugëtimin si shkrimtare me librin “Vila me dy porta”, një roman me tipare autobiografike. Duket se në këtë roman të ri ajo sjell një panoramë më të gjerë dhe detaje më të hollësishme e të pasura nga versioni i parë.

Kur ne u internuam, kisha gjyshen nga babai në shtëpi dhe gjyshja nga mamaja që rrinte shpesh te ne dhe na erdhi fjala gojë pas goje sepse nuk i takuam për 16 vjet, ajo pat thënë: “Në shtëpinë e sime bije, ra bomba atomike!”.

Gjëja më e vështirë për t’u përballur është goditja e parë, në çdo situatë jetësorë. Si grushti në ring. Nëse shmang grushtin e parë nis të përgatitesh psikologjikisht dhe fizikisht. E kisha mbledhur mendjen. Mendoja: “Këta plehra, do më poshtërojnë dhe të më bëjnë vegël të tyre?! Kurrë, gjallë në botë. A ka vdekje?! Njëherë jeton njeriu dhe njëherë vdes. Të bëhem unë vegël e Sigurimit?!”

Bekteshi është e mendimit se një nga arsyet që nuk është shkruar shumë për diktaturën është se regjimi mundohej të thyente dhe të komprometonte çdo njeri. “Njerëzit diku e kanë ngrënë atë lugën e çorbës së prishur -që thuhen në ata filmat e kohës së socializmit -dhe u duket se nuk e kanë atë të drejtën morale për të folur. Unë mendoj se kjo është e gabuar, sepse edhe nëse kanë gabuar, mund ta thonë. E kanë thënë çmime Nobel, “Ore, qemë disa ditë nazistë, ose na detyruan”. Se çfarë nuk bënin ata. Ja unë qeshë e fortë e nuk më thyen, por shumë i kanë thyer”.

Bekteshi kujton sesi brenda një dite, kur u njoftua se i ati do dënohej, edhe ajo u dënua me mohim jete. “Isha e martuar, pedagoge në universitet, lindur një djalë, burrin diplomat dhe papritur merr vesh që babai yt po dënohet dhe ty të mohohet jeta. Të të marrin, të të çojnë në një humbëtirë, të të japin një kazmë në dorë e të thonë: “këtu do të jetosh e të vdesësh”. “Kot mëson djali yt se këtu ka për të vdekur njësoj si ti”, nuk ta thoshin vetëm ata të Sigurimit që të ngulisnin se ky sistem është i përjetshëm por ta thoshin edhe fshatarët. Pse mundoheni kaq: “Mos puno kaq shumë”- më thoshin- “se do të punosh gjithë jetën, duhet të ruhesh, duhet të bësh hile në punë”.

E pyetur nga të rinjtë rreth kujtimeve më të hidhura të jetës, Bekteshi u ndal te lajmi i vdekjes së kushëririt të saj, djalit të hallës. “Ishte oficer madhor të teknikës së ushtrisë, specialist shumë i zoti në fushën e tij, foli diku, e burgosën në burgun e Qafë Barit, u ngrit në revoltë dhe tre i vranë. Një nga këta ishte djali i hallës sime, i rritur në shtëpinë time dhe e kisha si vëlla. Dhe e dini si e kanë vrarë bashkë me dy të tjerë ishte në krye të revoltës? E morën, e shtrinë përdhe, i hipën sipër me çizme me thumba, dhe më në fund – këtë e mora vesh para një jave-një nga ata policët e ka kthyer duke i thyer kolonën vertebrale”- zbuloi ajo, ndërsa zëri i dridhej gati për të shpërthyer në ngashërim. “Para një javë kam marrë vesh po ashtu se edhe këtë policin e kanë marrë e kanë hedhur nga gremina të burgosurit. E di që jeta e tyre humbi, por është një farë çlirimi …”.

Ajo kujtoi se lajmin e vdekjes së kushëririt, ia pat dhënë i ati nga burgu, ku shkruante pa censurë, se edhe pse shkaku zyrtar thuhej të ishte një sëmundje zemre, Sadik Bekteshi ishte i sigurt se nipin ia kishin vrarë.

Gjatë kohës në internim kishte një bindje të brendshme se do të kishte një jetë tjetër ku do i rrëfente të gjitha. “E kam menduar dhe, për të mbajtur mendjen i kam bërë djalit matematikë të olimpiadave, një libër me probleme shumë të vështira, i përkthyer nga rusishtja, të cilin ma pati dërguar Vili Minarolli nga qyteti Stalin, edhe ai i dënuar dhe në shenjë solidariteti ia dha tim biri. Kam punuar 16 vjet me atë libër dhe ai më ka mbajtur mendjen gjallë e bëja sepse thosha: “Kur të kthehem do të jem tabula rasa”.

Ajo rrëfeu se nisi të shkruajë 20 vite pas periudhës që kaloi në internim.

“Gjithmonë e kam ndier se dikur do shkruaja. Isha e mbushur… Një shkrimtar i madh thotë se njerëzit shkruajnë për dy arsye: nëse ata kanë një talent të lindur, ose kanë aq shumë gjëra për të thënë sa një ditë do i thonë. Me sa duket unë jam e tipit të dytë. Përveç faktit që më dukej edhe si detyrë qytetare që unë të dëshmoja një periudhë shumë të errët të historisë shqiptare siç ishte diktatura”.

Bekteshi tha se tema e librave të saj është përballja e individit me sfidat më të mëdha. “Libri i parë është përballja me diktaturën, i dyti që është përmbledhje tregimesh është vazhdimi i saj dhe pjesa më e madhe është përballja me lirinë, pjesa e tranzicionit. “Ora me rërë” flet se çfarë bëjmë ne me lirinë, se edhe liria është shumë e vështirë. Ju jeni një brez që se keni ndier diktaturën, por shumë njerëz në liri nuk e gjetën veten”- u tha ajo të rinjve, ndërsa zbuloi detaje të reja se në këtë libër përshkruhet se si personazhi kryesor e vret veten, për shkak se nuk e gjeti veten pas rënies së komunizmit. “Kurse libri që do të botoj pas një viti është përballja me një sëmundje të pashërueshme. Këto janë sfida të mëdha por ka edhe sfida të tjera, ndoshta kur të moshohem edhe ca, sepse akoma nuk e ndjej moshën, do të jetë përballja me pleqërinë. Ju jeni te rinj dhe s’e kuptoni, por edhe ajo është një sfidë shumë e madhe, si të jetosh me dinjitet deri në fund të jetës”.

Bekteshi iu përkushtua pasionit për të shkruar kryesisht dhjetë vitet e fundit me libra si “Vila me dy Porta” , përmbledhjet me tregime “Një det i moçëm” dhe “Ora me rërë”.

Njëzet e shtatë vjet nga tranzicioni dhe po aq vite të kaluara nga ’91 kur mori fund edhe kalvari i saj 16–vjeçar në internim, Bekteshi duket se po jeton një jetë të tretë duke ndarë me lexuesin dëshminë e gjallë dhe shembullin e qëndresës, duke qëndruar mbi ngjarjet dhe mbi kohët dhe duke shkruar si një luftë kundër harresës.