Kulturë

“J”-ja e Sislej Xhafës me thirrjen për drejtësi inaugurohet në Firence

Inaugurimi i veprës “J” të Sislej Xhafës në Firence e ka kthyer artistin kosovar në Itali. Pikërisht qyteti ku ky artist kishte kryer studimet bazike në art, tashmë është bërë vend i përhershëm për veprën e tij. Vepra që pos drejtësisë reflekton mençuri, forcë e autoritet është vënë para Pallatit të Drejtësisë në këtë qytet.

“I turpëruar...” ka thënë të jetë ndier Xhafa përballë skulpturës në ditën e inaugurimit, të hënën në mesditë. Bastuni 14 metra i lartë ka edhe simbolin e paanshmërisë, shkruan sot “Koha Ditore”. Vrimat prej nga rrjedh uji mund të shihen edhe si interpretim i asaj që drejtësia nuk duhet ndalur së funksionuari.

Xhafa, bashkë me katër artistë të tjerë në fillim të vitit 2017, ishte shpallur fitues i konkursit të hapur nga Bashkia e Firences. Autoritetet lokale kishin pranuar 228 aplikime nga artistë të ndryshëm për projektin e lansuar në gusht të vitit 2015.

“Bastuni është 14 metra i lartë, i montuar para Pallatit të Drejtësisë në Firence. Prej disa vrimave të vogla spërkat me ujë, si një fontanë, dhe i lag të gjithë që kalojnë pranë tij. Bastuni - ndoshta mjeti më i vjetër që e kanë përdorur njerëzit, është simbol i moshës së shtyrë dhe urtësisë, por gjithashtu dhe simbol i fuqisë, autoritetit e elanit”, kishte thënë Xhafa për gazetën kur kishte shpjeguar idenë dhe konceptin e veprës së tij “J”, kur ishte shpallur fitues... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)