Muzeu i Kosovës në Ditën Ndërkombëtare u mor me aktivitete edukuese për paqen

Muzeu i Kosovës në Ditën Ndërkombëtare u mor me aktivitete edukuese për paqen

18 maj 2018 14:57

Muzeu i Kosovës, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, ka organizuar një sërë aktivitetesh me fëmijë me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit me rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë.

Edukimi për Paqe është një program, i cili përmes punëtorisë artistike inspiron gjeneratat e reja me trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke promovuar paqen dhe mirëkuptimin.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se Muzeu i Kosovës përmes disa aktiviteteve me fëmijët dhe të rinjtë, ka dashur që ta shënojë Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Sipas tij, këto aktivitet po zhvillohen në frymën e edukimi për paqen.

“Ne jemi shumë të interesuar që i gjithë aktiviteti i Muzeut të Kosovës për këtë ditë të zhvillohen në frymën e edukimit paqësor, edukimit për paqe dhe jemi shumë të bindur që Muzeu është një vend i mirë ku gjenerata e re mundet edhe me u taku dhe me interpretua historinë, por nga ky vend mund me dërgua mesazhe paqeje”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Kosova ka edhe një arsye më shumë që nga viti i kaluar për ta festuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, pasi që nga viti i kaluar ky institucion është bërë pjesë e organizatës së ICOM-it, organizatë botërore e muzeve.

Për të vizituar sot Muzeun e Kosovës kishin ardhur edhe fëmijët e grupmoshave 5-6 vjeç nga institucionet parashkollore.

Meris Mulaj, fëmijë nga kopshti “Lira” në kryeqytet thotë se sot për herë të parë e ka vizituar Muzeun, kurse pjesa që më së shumti i ka pëlqyer ishte aktiviteti i ngjyrosjes.

Kurse, pjesëmarrës në aktivitetet ishin edhe fëmijët e grupmoshave 7-12 vjeç.

Reina Llalloshi, nxënëse e klasës së pestë në shkollën e mesme të ulët “Qamil Batalli”, në Prishtinë, thotë se aktivitetet që po i zhvillojnë sot po i pëlqejnë shumë, derisa shtoi se në kuadër të këtij aktiviteti, ajo ka vendosur të vizatojë një shpatë e cila paraqet luftën e popullit shqiptar me ushtrinë osmane.

Gjatë tërë ditës në Muzeun e Kosovës do të zhvillohen aktivitete me të rinjtë dhe në mbrëmje aktivitetet e Muzeut vazhdojnë me prezantimin e punimeve dhe dokumentareve “Citites of Peace” të realizuara më parë në 10-të vende të botës, dhe shpërndarjen e certifikatave për vullnetarët e Termokiss në Muzeun e Kosovës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme