Sot, në  Ditën Ndërkombëtare, vizitat në muzetë e Shqipërisë janë falas

Sot, në Ditën Ndërkombëtare, vizitat në muzetë e Shqipërisë janë falas

18 maj 2018 13:43

Tiranë, 18 maj - “Muzetë që komunikojnë, Qasje të reja, Publiku ri” është tema e këtij viti, me rastin e 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve”.

Kjo datë është vendosur që prej vitit 1977 nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve – ICOM, që funksionon pranë UNESCO-s.

Muzetë, parqet arkeologjike dhe drejtoritë rajonale të vendit janë mobilizuar për të ofruar një buqetë të gjerë ngjarjesh për publikun, nga nxënësit e shkollave e deri te qytetarët artdashës.

Ndër aktivitetet që do të zhvillohen veçojmë ekspozimin e 25 panelave me imazhe të mjediseve dhe koleksionit të Muzeut Ikonografik “Onufri”, në Berat, organizimi i një ekspozite me fokus, shtypin e vjetër shqipar, duke prezantuar në origjinal dhjetëra tituj të gazetave dhe revistave shqipe në muzeun e Korçës, si dhe njohja e nxënësve me vlerat arkeologjike dhe rëndësinë historike të tyre, si dhe rolin e muzeve në ruajtjen dhe promovimin e tyre pothuajse në të gjithë muzetë e vendit.

Ministria e Kulturës bën të ditur se sot hyrja në të gjitha muzetë e vendit do të jetë falas.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve është një mundësi më shumë për punonjësit e muzeve që përmes kontakteve me publikun e vizitorët të dëshmojnë përpara tyre sfidat me të cilat ndeshen muzetë në mënyrë që ato të mbeten ashtu siç e përcakton edhe ICOM “një institucion në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj”.

ICOM i fton të gjitha institucionet kulturore të gjitha tipologjive në të gjithë botën që t’i bashkohen Ditës Ndërkombëtare të Muzeve dhe të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj koleksioneve duke përdorur të gjitha lidhjet që i bashkojnë ato me komunitetet e tyre , peizazhin kulturor dhe mjedisin natyror.

Muzetë dhe parqet arkeologjike në Shqipëri kanë “rrëmbyer” një shifër mbresëlënëse vizitorësh në tremujorin e parë të 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i vizitorëve në muze në tremujorin e parë 2018 është 24.477, duke shënuar rritje me 83,7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme