Komuna rrezikon “DokuFestin” dhe festivalet e tjera

Komuna rrezikon “DokuFestin” dhe festivalet e tjera

01 April 2017 15:13

Shuma e ndarë nga Komuna e Prizrenit për mbështetjen e disa ngjarjeve kulturore tradicionale rrezikon mbajtjen e edicioneve të sivjetme të “DokuFestit”, “NgomFestit”, “40 BunarFestit”, “Autostradës Biennale”, e të tjerë.

Trembëdhjetë operatorë të pavarur të kulturës, që janë pjesë e Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Prizren, kanë vlerësuar se nëse Komuna e Prizrenit gjatë muajit prill nuk i rishqyrton formën dhe nivelin e përkrahjes për ngjarjet kulturore, atëherë edhe mund të ndodhë që të anulohen edicionet e sivjetme të disa festivaleve, shkruan sot Koha Ditore.

Rrjeti i organizatave kulturore, përkatësisht 13 organizata, përmes një reagimi publik kanë theksuar se refuzojnë lëmoshat e Komunës për ngjarjet kulturore.

“Komuna e Prizrenit ka publikuar listën e granteve për organizatat dhe ngjarjet kulturore të Prizrenit për vitin 2017. Shuma totale e këtyre granteve nuk është aq sa gjysma e mjeteve që Komuna shpenzon për blerjen e veturave të reja, ndërsa ngjarjet kulturore çdo vit kontribuojnë miliona euro në ekonominë e qytetit. Përveç shumave tejet të vogla për disa, një pjesë e organizatave dhe ngjarjeve kulturore as nuk janë në listën e granteve të Komunës për sivjet. Për këtë arsye, ne organizatat e poshtënënshkruara (anëtare të Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Prizren) e refuzojmë këtë formë të trajtimit nga ana e Komunës”, thuhet në këtë deklaratë. Aty kërkohet që Komuna të ndryshojë qasjen kundruall operatorëve të pavarur të kulturës.

“Nëse Komuna e Prizrenit gjatë muajit prill nuk i rishqyrton formën dhe nivelin e përkrahjes për ngjarjet kulturore të Prizrenit, ne do të rimendojmë pozicionin tonë në raport me organizimet tona, duke mos e përjashtuar as mundësinë e anulimit të edicioneve të sivjetme”, shkruan në reagimin e nënshkruar nga “DokuFest”, “Fondaconi Lumbardhi”, “NGOM”, “Autostrada Biennale”, “X40”, “EC Ma Ndryshe”,THY, “Durmish Asllano”, “CHwB Kosovë”, “ATTA”, “Fondacioni Legatum”, “Numizmatika” dhe “Paradigma”.

Në anën tjetër zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë theksuar se nuk e mirëpresin reagimin e anëtarëve të RrOK-ut dhe kanë sqaruar se buxheti i sivjetmë për ngjarjet kulturore është ndarë në bazë të mundësive financiare që i ka pushteti lokal.

e kemi mirëpritur një reagim të tillë, sepse Komuna e Prizrenit ka bërë më të mirën të mundshme për funksionimin, mendimin e idetë kreative të OJQ-ve. Në secilin vit kalendarik Komuna ka ndarë mjete buxhetore për secilën OJQ për projektet e tyre. Komuna e respekton aktivitetin e tyre, por pjesëmarrja e ekzekutivit lokal në mbështetje të OJQ-ve kulturore sivjet vjen mbi bazën e kapaciteteve që ka buxheti komunal”, ka thënë shefi i Zyrës së informimit në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha. Sipas tij, këto organizata kulturore duhet të diskutojnë me Drejtorinë e Kulturës për kërkesat që kanë.

“Të gjitha kërkesat që OJQ-të kulturore mund t’i kenë në adresë të Komunës së Prizrenit, le t’i përimtojnë dhe t’i diskutojnë me DKRS-në. Komuna është e hapur me i dëgjua kërkesat e tyre. Ndërsa konstatimet tjera të OJQ-ve me qëllime politike rreth pozicioneve të shpenzimeve të zërave buxhetorë të Komunës vetë OJQ-të i nxjerrin jashtë kontekstit organizativ dhe i bëjnë profesionalisht të paqëndrueshme”, ka deklaruar Berisha.

Gjatë kësaj jave përkrahja komunale për njërën praj ngjarjeve kryesore kulturore në Kosovë është zvogëluar në krahasim me vitin e kaluar. Ne dy edicionet e kaluara Komuna e Prizrenit e kishte mbështetur “DokuFestin” me 15 mijë euro. Përkrahja e Komunës për “DokuFestin” sivjet është 10 mijë euro. Në fakt, ekzekutivi komunal të martën ka miratuar vendimin për mbështetje me 23 mijë e 500 euro të shtatë ngjarjeve të ndryshme kulturore, që mbahen në territorin e kësaj komune. Kryetari, Ramadan Muja, ka bërë të ditur se këtë vit festivali “DokuFest” do të mbështetet me 10 mijë euro, “Hasi Jehon” me 5 mijë, “Zgjimi me Art” me 2 mijë e 500 euro, “Autostrada Biennale” me 1 mijë e 500, pastaj “OldTimer Fest” me 1 mijë e 500 euro, “Ngom Fest” me 1 mijë euro, dhe Takimet e Gjeçovit me 2 mijë euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme