Shqiptarët kanë art brenda vetes

Shqiptarët kanë art brenda vetes

01 April 2017 13:05

Ishte vetëm pesëvjeçar kur për herë të parë nisi të luante në violinë. Muzika ishte diçka e pashmangshme për të. Elvin Hoxha-Ganiyev, tashmë e ka dëshmuar se është violinist virtuoz.

Ani pse vetëm 20-vjeçar, ai është ngjitur në skenat më të mëdha botërore - prej Turqisë deri në ShBA. Me shumë çmime e gara të fituara, bashkëpunime me violinistë të mëdhenj botërore, Hoxha-Ganiyev rrugën e suksesit tashmë e ka të shtruar, shkruan sot Koha Ditore.

I lindur në një familje muzikantësh, me baba shqiptar dhe nënën nga Azerbajxhani, është rritur në një rreth ku muzika ka qenë gjuha e parë e komunikimit. Ishte gjyshi i tij, violinisti i njohur Sever Ganiyev, i cili ia mësoi notat e para dhe e përcolli rrugëtimin e tij muzikor deri në moshën 12-vjeçare. Nuk iu desh shumë kohë që të binte në sy me performancat e tij dhe të pranohej në shkolla të mëdha të muzikës.

Skenat prestigjioze, si ajo e “Carnegie Hall” në New York, “Berlin Philarmonic Hall” në Berlin, “Kremlin Palace” e “Tchaikovsky Hall” në Moskë, u bënë vulë e punës së tij si violinist dhe njëkohësisht dëshmi të virtuozitetit që posedon. Përkundër faktit që ka prejardhje shqiptare, deri para dy javësh, ai asnjëherë nuk kishte performuar para publikut shqiptar.

Koncerti i shënimit të 20-vjetorit të gazetës “Koha Ditore” u bë sebep për ardhjen e tij në Kosovë. Eksperiencën gjatë qëndrimit në Prishtinë e konsideroi si të paharrueshme, ndërsa u nda i befasuar me nivelin artistik që gjeti në vend. Se është një muzikant me vlera të mëdha e tregon edhe me thjeshtësinë e tij, gjë që kombinohet shumë mirë me misionin që ia ka vënë vetes si artist. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme