Kulturë

Vdiq Tom Wolfe, shkrimtari e gazetari i njohur amerikan

Descriptive Text

Tom Wolfe, alkimisti bestseller i fiksionit dhe realitetit, autor i “The Bonfire of the Vanities”, “The Right Stuff” dhe shumë romaneve të tjera, me një karrierë të gjatë si gazetar, vdiq të hënën në spitalin e New Yorkut si pasojë e pneumonisë. Ai ishte 88-vjeçar, bëri të ditur The Wall Street Journal, transmeton “Koha Ditore”.

Wolfe ka qenë pionier i asaj që njihet si “New Journalism” (Gazetarisë së re), një stil letrar që mori hov në vitet ‘60 dhe ’70, i cili prej gazetarisë tradicionale objektive kaloi në qasje subjektive duke shkrirë distancën autoriale në raport me ngjarjet. Kësisoj i zhyti lexuesit në ngjarje të atilla si ato të programit hapësinor të Amerikës.

Në “The Bonfire of the Vanities”, hodhi dritë mbi filantropët e New York Cityt gjatë viteve të vrullshme të ’80-ve. Disa vite më pas, romani i tij “A Man in Full” shqyrtoi relacionet racore dhe të sipërmarrësve të guximshëm të pronave në jug. Humori i nxehtë dhe gjuha kreative e Wolfe, solli shumë shprehje leksikore sikur “Radical Chic” (kur përshkruan shoqërimin e Leonard Bernsteinit me aktivistë në apartamentin e tij në Manhattan) dhe “rreze-x shoqërore” (një term për nikoqiret e Upper East Side në New York ku problemet anoreksike maskojnë ambiciet sociale).

Në fiksionin e tij, ai përdor qasje liberale të onomatopesë, veçanërisht shprehjeve që i bëri për të kapur biseda dhe tinguj. Në frazë në “Bonfire” shkruan: “Aya thonë: hehhehheh...unnnnhhh-hunhhh”.

“Ai nuk është vetëm një ikonë amerikane, por ai pati reputacion të madh ndërkombëtar”, ka thënë agjentja e tij Lynn Nesbit. “Në të njëjtën kohë, ai ka qenë një prej njerëzve më modest dhe më të dashur që kam takuar ndonjëherë. Asnjëherë nuk jam shtyrë me fjalë me të në gjithë ato vitet që kemi punuar së bashku”, ka shtuar ajo.

Vajza e Wolfe, Alexandra, të martën në një ngjarje në bibliotekën publike të New Yorkut kujtoi babanë e saj dhe folës të tjerë nga të cilët ishte kërkuar ta përshkruanin veten në shtatë fjalë. “Dy prej fjalëve që ai zgjodhi ishin ‘as’ e ‘baba’, dhe unë pajtohem me të”, ka thënë Wolfe.

Tom Wolfe, i cili u lind në Richmond në vitin 1930 ka qenë provokues i përjetshëm, kureshtja e përhershme e të cilit e shtyri që të hulumtojë njëlloj për fiksion dhe realizëm.

Alexandra më 2016 në një intervistë me babanë e saj për veprën e tij “The Kingdom of Speach”, kujton se si ai ishte kthyer në shtëpi nga Universiteti i Bostonit, ku kishte marrë një mirënjohje. Në vend se të hiqte frakun ceremonial, autori e kishte mbajtur atë të veshur gjatë fluturimit, duke bërë kështu që pasagjerët ta pyesnin nëse ai ishte prift. “Jo, jam papa”, ua kishte kthyer ai.

Para vdekjes, Alexandra po mblidhte shënime për librin e tij të ri. “Ai asnjëherë nuk merrte pushim, asnjëherë nuk ndalonte së punuari”, ka thënë ajo të martën. “Ai ka qenë shumë i guximshëm”, ka thënë Gay Talese, një tjetër pionier i “New Journalism”, duke përmendur kërcimin e tij të guximshëm nga lartësitë e gazetarisë në botën e trillimeve. Wolfe tashmë ishte vlerësuar për gazetarinë dhe jofiksionin kur nisi zhanrin tjetër. “Çfarë ka bërë ai? Ai ia arriti që të shkruajë roman bestseller”, ka thënë Talese.

Këta dy shkrimtarë ishin takuar në fillim të viteve ’60, kur të dy ishin reporterë: Talese për “New York Times”, ndërsa Wolfe për “New York Herald Tribune”. Talese ka thënë se shumë gazetarë bëjnë gabime kur mëtojnë të garojnë me Wolfe, por që ata po ia vënë vetes një detyrë të pamundur: “Nuk mund të garosh me të, sepse ai është i pakonkurrent”.

“Ai krijoi fjalë. Është një gjuhë e tërë të cilën ai e nisi”, ka thënë Talese. Megjithëse shkrimi i tij mund të jetë sarkastik, Talese rikujton: “Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë diçka të ndyrë. Ai ka qenë një zotëri nga Richmondi”.