Kulturë

Kosova dhe Maqedonia me marrëveshje për bashkëprodhim në kinematografi

Sot në Festivalin e Kanës, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia e Filmit e Maqedonisë kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe Ministri i Kulturës Kujtim Gashi i cili tha se “Është kënaqësi e veçantë të jem prezent në këtë moment historik të lidhjes së kësaj marrëveshje e cila do të shërbej edhe më shumë për bashkëprodhimet në fushën e filmit, por edhe të njohjes së kulturës në mes të dy vendeve. Ministria e Kulturës çdo herë do të jetë afër iniciativave të tilla që i fuqizojnë marrëdhëniet ndërfqinjësore”.

Drejtori i Agjencisë së Filmit të Maqedonisë tha se Maqedonia dhe Kosova kanë bashkëpunim shumë të thellë në fushën e filmit, dhe sot si rezultat është arritur kjo marrëveshje shumë me rëndësi për të ardhmen e filmbërësve të të dy vendeve.

“Ky është një moment shumë i veçantë, sepse nënshkruhet marrëveshja e parë e këtij lloji, dhe pikërisht me shtetin fqinjë me të cilin kemi një histori të shkëlqyeshme të bashkëprodhimit” u shpreh me rastin e nënshkrimit drejtori i QKK-së, Arben Zharku.

Maqedonia është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të kinematografisë Kosovare, vetëm brenda vitit të fundit katër projekte kanë gjetur mbështetje.

Kosova pritet të nënshkruajë marrëveshje të bashkëprodhimit edhe me disa shtete tjera fqinje.

Kujtojmë se kemi pasur “Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Bashkëpunimin në fushën e Kulturës, nënshkruar në Prishtinë më 8 shkurt 2013".

{gallery}