Kulturë

“Anadrinia Jehon 2018” mbledh folkloristët në Denjë të Rahovecit

Descriptive Text

Për 17 vjet me radhë, në javën e dytë të muajit maj, në kuadër të “Javës së dëshmorëve dhe heronjve të Komunës së Rahovecit”, në fshatin Dejnë, në mbrëmjen e së premtes ka filluar Festivalin Tradicional Kombëtar “Anadrini Jehon”.

Kjo ka bërë që në Denjë të mblidhen adhuruesit e folklorit nga të gjitha trojet Shqiptare, për të ruajtur dhe kultivuar traditën shqiptare.

Para fillimi të festivalit, nga Kryetari i Komunës Smajl Latifi, zyrtar tjerë dhe në prani të shumë pjesëmarrëseve u bë përurimi i Amfiteatrit të Festivalit ”Anadrinia Jehon”, i financuar nga buxheti i Komunës së Rahovecit.

Festivalin e shpalli të hapur Kryetari i Komunë së Rahovecit, Smajl Latifi.

“Ashtu si edhe shumë vite më parë, po mblidhemi në këtë lëndinë për të shpalosur vlerat më të mira popullore të kombit tonë. Me këtë rast duhet përgëzuar entuziastët e kulturës e traditës tonë popullore për mundin dhe përkushtimin e tyre, si dhe grupet pjesëmarrëse nga të gjitha viset shqiptare. Duke parë këtë entuziazëm, Qeveria komunale e Rahovecit ka ndarë mjete materiale e financiare për krijimin e kushteve sa më të mira për mbarëvajtjen e kësaj feste kombëtare. Mbështetja institucionale është e domosdoshme, ngase festivali Anadrinia jehon është bërë tashmë institucion më vete”, ka thënë Latifi.

“Banorët e kësaj zone duhet të ndjehen krenarë që faktin se me punën e tyre po arrijnë të mbledhin në këtë skenë emra të njohur të kulturës e traditës popullore, vlera të shquara artistike nga krahina e ndryshme shqiptare, duke u bërë një shesh ku shqiptarët marrin e japin dhe ku çmojnë e vlerësojnë njëri-tjetrin”, ka thënë më tej ai.

Në natën e parë të festivalit kanë performuar: SH.K.A “Anadrini” Dejnë, SH.K.A “Ardhmëria” Gjakovë, SH.K.A “Tingujt e Vendlindjes” Kaçanik, SH.K.A “Muharrem e Xhevat Qena”, SH.K.A “Isa Boletini” Rogovë, SH.K.A “Rahoveci” Rahovec dhe AKV “Zëri i Kosovës”, Fushë Kosovë.

Kurse në natën e dytë do të përformojnë: AKV “Hajvalia” Prishtinë, SH.K.A “Bresana” Dragash, AKV “Dëshmorët e Kombit” Obiliq, SH.K.A “Albana”, Kamenicë, AKV “Mitrovica”, Mitrovicë, Grupi i rapsodëve nga Malisheva, Rapsodët Shefki Salihu dhe Shaban Baksi dhe AKV “Nënë Tereza” Tiranë.

Në natën e tretë do të bëhet edhe përmbyllja e festivalit dhe ndarje e çmimeve do të përformojnë: SH.K.A “Bajram Curri” Krushë e Madhe, SH.K.A “Minatori” Kishnicë, Grupi i Rapsodëve Gjenevë, AKV “Folk Alb” Tiranë, Solistja Hava Bekteshi Hamburg, AKV “Kemajl Azizi” Viti, AKV “Ilirida” Shkup dhe AKV “Emin Duraku” Shkup Mysafir.

Festivali tanimë tradicional, organizohet në përkujdesje të Kryetarit të Komunës, Smaj Latifi në bashkëpunim me OVL e UÇK-së në Rahovec dhe këshillit organizativ të festivalit udhëhequr nga Ervin Hoxha, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport.