Kulturë

Hapet Pavijoni i Kosovës në Festivalin e Cannes

Për të shtatin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdon prezencën në festivalin e Cannes me pavijon në tregun më të madh të filmit në botë ‘Marché Du Film’.

Dje ka filluar edicioni 71 i Festivalit të Cannes dhe Kosova ka pavijonin e përbashkët me Shqipërinë i cili do të jetë i hapur deri me 18 maj 2018 në lokacionin të ri në "Village International" i cili është afër Greqisë, SHBA-së, Çekisë, Sllovakisë, Bulgarisë dhe vendeve tjera të ish-Jugosllavisë.

Qendra Kinematografike e Kosovës në treg do të promovojë filmat e fundit Kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, gjithashtu do të ketë shumë takime me partner ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare dhe producent e distributor të ndryshëm.