Kulturë

Sot nis Festivali i Filmit në Cannes, me art përballë komercializmit

Cannes ka hapur dyert e veta të hënën për një festival që do të shfaqë spinofin e ri të “Star Wars”, por edhe do të mirëpresë emra më pak të njohur sesa zakonisht, thekson shkrimi i Reuters, që sot e transmeton “Koha Ditore”.

Kritikët kanë thënë se një juri që përfshin Cate Blanchett, Kristen Stewart dhe Lea Seydoux, ka më shumë aktorë të kategorisë “A” sesa që ka nëpër filmat konkurrentë – shumë prej të cilëve të ardhur nga filmbërës më pak të njohur evropianë, aziatikë e afrikanë – e që luftojnë për “Palmën e Artë”.

“Solo: A Star Wars Story” do të jetë i vetmi film komercial i Hollywoodit që do të shfaqet në kuadër të festivalit dhe madje edhe ai tashmë veçse e ka pasur premierën në Los Angeles.

“Netflix”, që kishte sjellë një listë të kategorisë “A” vitin e kaluar, sivjet e ka bojkotuar Festivalin e Cannes për shkak të rregullit francez që do të ndalonte transmetimin e filmave për tre vjet, pas lansimit nëpër kinema. Ky edicion gjithashtu do të jetë i pari festival pa Harvey Weinsteinin, që dikur ishte i famshëm për ndejat nëpër rivierën e që tani është subjekt i ngacmimeve seksuale që kanë shkundur gjithë industrinë globale të filmit. Weinstein i ka mohuar të gjitha akuzat që i janë bërë.

Drejtori i festivalit, Thierry Fremaux ka mohuar se mungesa filmave amerikanë, është indikacion që Cannes e ka humbur apelin e vet në Hollywood, ku studiot kanë rritur realizimin e filmave të mëdhenj në fund të vitit për t’u bërë më të dukshëm në garën për “Oscars”.

“Nuk duhet të gjykoni për një vit”, u ka thënë ai gazetarëve në një konferencë për media.

Kritiku i “Hollywood Reporter”, Scott Roxborough ka thënë se Festivali i Cannes mbetet “festivali numër një për kualitet mbarëbotëror të kinematografisë” dhe që përzgjedhja e filmave më pak komercialë dëshmon që “Cannes po u kthehet rrënjëve të veta”.

“Është i vetmi vend ku mund ta shfaqni një film vërtet të panjohur… e që brenda një ore pas shfaqjes të flitet për të… e që brenda një dite a jave të bëhet emri më i madh në kinematografi”, i ka thënë ai “Reuters”. Janë 21 filma në konkurrencë kryesore të festivalit dhe dhjetëra të tjerë për çmimet e tjera, e që do të shfaqen jashtë konkurrencës.

Prej më të dalluarve është “Everybody Knows” (Todos lo Saben). Festivali hapet me dramën familjare të realizuar në gjuhën spanjishte, që ka në role kryesore Penelope Cruz dhe Javier Bardem. Skenaristi e regjisori është iraniani Asghar Farhadi, që ka marrë çmime “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj me “A Separation” dhe “The Salesman”. Filmi “Everybody Knows” është në garë për “Palmën e Artë”. Një tjetër film i dalluar është “The House That Jack Built” që e rikthen regjisorin provokator danez Lars von Trier, pas përjashtimit nga festivali më 2011 pasi që kishte thënë në një konferencë për media se ishte nazist që simpatizonte Adolf Hitlerin – komente për të cilat më vonë kishte thënë se i ishin nxjerrë nga konteksti. Matt Dillon luan rolin e një vrasësi serik të grave.

Roxborough ka thënë se filmi që shfaqet jashtë konkurrencës, është një nga top-tre filmat që duhen parë patjetër, dhe e ka quajtur atë “një film që thuajse mund të shihet si përgjigje ndaj lëvizjes ‘MeToo’, në një mënyrë shumë të llastuar”.

Edhe Spike Lee rikthehet në Cannes thuajse 30 vjet pasi që filmi i tij “Do the Right Thing” ishte konsideruar favorit, por kishte dështuar ta merrte “Palmën e Artë”. Filmi i tij “BlacKkKlansman”, një rrëfim i vërtetë për një oficer afro-amerikan policie që infiltrohet në “Ku Klux Klan”, ka në role kryesore John David Washington dhe Adam Driver. Lee thotë se rrëfimi, që e zhvendos ngjarjen më 1970, është më relevant sesa asnjëherë më parë në Amerikën e presidentit Donald Trump. Krahas konkurrencës për “Palm d’Or”, “BlacKkKlansman” do të shfaqet në kinematë amerikane më 10 gusht.

Dy filma të tjerë në konkurrencë kryesore do të shfaqen pa prezencën e regjisorëve – pasi të dy janë të ndaluar të udhëtojnë nga autoritetet kombëtare të shteteve tyre, “Leto” që flet për një skenë të rock-muzikës të Leningradit në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik është realizuar nën regji të Kirill Serebrennikov, që është nën arrest shtëpiak. Ndërsa regjisori i filmit “3 Faces”, iraniani Jafar Panahi ishte arrestuar më 2010 dhe i qe ndaluar të bënte filma, por e ka vazhduar punën e tij me nam ndërkombëtar. Edhe në këtë film ai luan vetë.

Festivali i Filmit në Cannes zgjat deri më 19 maj.