Rikthimi i Fabio Thaçit me portretet anonime

Rikthimi i Fabio Thaçit me portretet anonime

06 May 2018 17:00

Galeria “Kalo” në kalendarin e saj të vitit 2018, nga data 03-31 maj 2018, ka ftuar të ekspozojë piktorin shqiptaro–amerikan Fabio Thaçi. Kjo është ekspozita e parë vetjake e tij në Shqipëri, pasi ai nga viti 1995 jeton dhe krijon në New York.

Koleksioni i veprave të ekspozitës është krijuar këto dy vitet e fundit dhe i kushtohet portretit njerëzor. Ky cikël portretesh në pikturë në teknikën mix mbi letër ka disa veçanti dhe elemente të përbashkët kompozicionalë.

Ajo që i bashkon punimet, është teknika mix e realizuar mbi letër, janë dimensionet e punimeve, si dhe imazhi i njëjtë – pasqyrimi vetëm i kokës – i portretit të personazheve anonime. Të veçantat e ciklit të portreteve të artistit Fabio Thaçi përbëhet nga kërkesa e tij drejt një imazhi ndryshe në çdo punim, i kërkimit të karaktereve, sipas një kodi larg atij realist, por drejt atij abstrakt, ekspresionist, ku gërshetohen ndjenja, ngjyra, fantazia e pacak, por duke ruajtur me shumë fanatizëm elementin kryesor të portretit njerëzor “Sytë” – të cilët pasqyrohen në forma nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet.

Portretet anonimë të këtij cikli, herë janë të ndriçuar pjesërisht dhe të krijojnë befasi dhe mister, herë të japin emocionin e akuareleve të çastit me freski dhe dritë, në punime të tjera ato të japin ndjesinë e formave piktorike pastoze apo dhe skulpturore. Disa nga portretet janë aq abstrakte si imazh, sa lidhja e vetme delikate që ato kanë me realitetin është reflektimi i plotë apo dhe intim te sytë.

Në ciklin e portreteve të artistit Thaçi ndjehet një energji dhe puls ekspresiv, që i përshkon të gjitha punimet që realizohen me penelata të fuqishme mjeshtërore të një shpirti artistik shpërthyes. Në sytë e personazheve anonimë të këtij cikli ndjen ankthin si dhe mjaft emocione jetësore njerëzore të ndërthurura që artisti Thaci me mjaft mjeshtri dhe inteligjencë i ka realizuar me mjete piktorike moderne ekspresive. Imazhi i çdo portreti ka individualitetin që mbështetet në imagjinatën dhe emocionet ekspresive të improvizuara, ku artisti kërkon të shprehet me ngjyrat e paletës piktorike, apo dhe me brusha të gjëra njëngjyrëshe pastoze, apo transparente që i japin fuqi, mister dhe magji çdo punimi.

Artisti, sipas rastit, preferon të pikturojë sfonde të errëta opake, sfonde me dritë apo dhe me penelata ekspresive, duke krijuar struktura që e rrethojnë portretin si “rastësisht”. Artisti, sipas rastit, preferon të pikturojë sfonde të errëta opake, sfonde me dritë apo dhe me një brushë ekspresive. Portretet, siç shprehet vetë artisti “….herë marrin forma amorfe të gurta ose ndonjëherë të lëngshme, apo dhe të thyeshme si qelq…” Në këtë cikël portretesh – artisti Fabio Thaçi e prezanton imazhin e tij si një piktor me një eksperiencë dhe cilësi artistike të nivelit të lartë.

Përvoja artistike e artistit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në qytetin e New Yorkut ku ai jeton tashmë, kontakti me veprat e artistëve ekspresionistë abstraktë amerikanë dhe gjermanë të shekullit XX, e kanë pasuruar dhe e kanë orientuar talentin e mjeshtrit Thaçi drejt krijimit të veprave mjaft të bukura dhe të veçanta që të mbajnë gjatë e që të bëjnë t’i admirosh. Si tërësi, stili i Fabio Thaçit është gati i pamundur të karakterizohet gjerësisht vetë me një fjalë të vetme, por ai sigurisht është tashmë i njohur si piktor bashkëkohor.

Si një piktor aktiv për gati katër dekada, ai kaloi në një mori fazash dhe ndërrime stilistike. Fillimisht’ i lidhur me realizmin gjatë qëndrimit në Shqipëri, në qytetin e Beratit dhe në Tiranë para viteve 1990. Ai ishte mjaft kurioz dhe u përqendrua gjatë në format e fshehta të natyrës shqiptare, si dhe në arkitekturën befasuese të Beratit. Fabio Thaçi, edhe në ato vite identifikohet si një piktor i përdorimit të formave plastike, shpesh me prirje kubiste, interpretimeve dhe gjesteve lirike formale.

Ai përdorte fillimisht formatet modeste, kryesisht në gjininë e peizazhit. Stili i tij ishte i dukshëm në theksin e spontanitetit dhe fantazisë si një artist me kërkesa pak më ndryshe se realizmi socialist në kushtet e censurës komuniste. Kush është piktori Fabio (Fatmir) Thaci Thaci studioi në Universitetin e Arteve (ish-Instituti i Lartë i Arteve) në Tiranë nën drejtimin e pedagogëve Hasan Nallbani, Sali Shijaku, Niko Progri dhe Ksenofon Dilo. Pas diplomimit për Pikturë Monumentale në vitin 1978, ai ishte restaurator i veprave të artit mesjetar, si ikona dhe afreske në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Në vitin 1985 ai ishte kuratori kryesor i grupit të piktorëve në ngritjen e Muzeut Kombëtar “Onufri” në kalanë e Beratit, nën drejtimin e prof. Hasan Nallbanit. Vepra e tij në afresk “Kruja mesjetare”, e realizuar në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë më 1982 dhe disa punime të tjera në sallën e Principatave shqiptare mbart vlera të ndikuar, sipas stilit të Rilindjes italiane.

Ai ishte anëtar i grupit të piktorëve të interiereve në Muzeun e Skënderbeut në Krujë. Fabio Thaçi e filloi dhe e konsolidoi krijimtarinë e tij artistike në qytetin e Beratit, që ishte dhe është një nga qytetet më të lakmueshme në Shqipëri për artistët e artit viziv, si në të kaluarën, ashtu edhe në ditët tona. Tradita e këtij qyteti është e pasur me vepra e emra të mëdhenj si Onufri dhe i biri – Nikolla, Onufër Qiprioti, Çetirët etj.. Artistët e brezit të parë të pasçlirimit që i takojnë viteve 1946-1956 ishin Dhimitër Buda, Yzedin Shelegu, Hasan Nallbani, Sotir Capo Llazar Myzeqari.

Ata ishin dhe nismëtaret e ekspozitave të para në Berat, në vitin 1957. Në vitet 1970-1980 Fabio Thaçi ishte pjesë e brezit të artistëve pamorë, që u formuan në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë si: Aleksandër Filipi, Gazmend Muka, Arben Golemi, Agron Polovina, me të cilët ai ekspozoi në Galerinë e Arteve të qytetit, si dhe në ekspozitat Kombëtare në Tiranë.

Ky rrugëtim artistik i artistit Fabio Thaçi, që filloi nën ndikimin e kryeveprave të artit bizantin dhe pasbizantin të kishave të Beratit, ku artisti ishte dhe një restauratorët kryesorë në Institutin e Monumenteve të Kulturës, njohja me literaturën artistike të bibliotekës së Institutit të Lartë të Arteve dhe asaj të Universitetit të Tiranës ku ai komunikoi me albume të artit modern dhe u njoh me lëvizjet artistike të shekullit XX, krijoi tek artisti kërkesa të tjera që u kurorëzuan mjaft qartë me emigrimin e tij në vitin 1995 në SHBA në qytetin e New Yorkut.

I pajisur me një pasion të madh për artin, artisti Thaci, krahas punës së përditshme si dekorator brilant në realizimin e interiereve të ndryshme me piktura murale, instalacione në qytetin e NEW YORK-ut, realizon punime të ndryshme tashmë si një piktor ekspresionist abstrakt, punime të cilat ai i paraqiti në ekspozitën vetjake në Tiranë, por më e plotë krijimtaria e tij paraqitet në publikimin e fundit prej 242 faqesh, me titull “Fabio Thaçi – A New Approachto Exspressionism”, që ai e prezantoi në përurimin e ekspozitës në Galerinë “Kalo”.

Nga krijimtaria e artistit e para viteve 1990 ndodhen katër vepra në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë (3 punime në vaj dhe një vizatim “Tomorri”), por veprat e tij ndodhen ne koleksionet e koleksionistëve shqiptarë dhe atyre amerikanë, gjermanë, italianë, anglezë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme